Zyrtari britanik në Tiranë: Ballkani në BE dhe NATO, shmang ndikimet nga Rusia
Në kuadër të samitit për Ballkanin Perëndimor që do mbahet këtë vit në Londër, koordinatori i këtij samiti Andrew Page deklaroi nga Tirana se në muajin korrik fokusi do të jetë tek stabiliteti ekonomik, çështjet e sigurisë dhe terrorizmi e radikalizmi.
“Në samitin e Londrës do të kemi tre tema ku do të fokusohemi, stabiliteti ekonomik, siguria e brendshme siç është krimi i organizuar, korrupsioni, lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit dhe e treta ka të bëjë me mosmarrëveshjet bilaterale. Është shumë e qartë në strategjinë e komisionit europian se mes fushave që ata kërkojnë progres teksa vendet tuaja ecin drejt Bashkimit Europian është zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe. Këto mosmarrëveshje dypalëshe duhen zgjidhur përpara anëtarësimit në BE”,- deklaroi Page. Sipas tij, anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian sjell stabilitet.
“Nuk e përmenda Rusinë, por duhet përmendur. Ne jemi të ndërgjegjshëm se nëse vendet e Ballkanit nuk ecin përpara drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, atëherë ka vende të tjera që kërkojnë të sjellin ndikimin e tyre në këtë rajon, por jo gjithmonë ndajnë të njëjtat vlera apo të njëjtat qëllime. Prandaj është në dorën e qeverive dhe popullit tuaj që të vendosin se ku dëshironi të shkoni. Nëse qeveritë dhe populli kërkojnë të shkojnë drejt BE-së ne si Britani e Madhe kemi dëshirën për t’ju ndihmuar. Nuk mendojmë se një vend tjetër duhet ta pengojë këtë”,- theksoi zyrtari britanik.
Sipas tij, Britania e Madhe edhe pse po largohet nga Unioni nuk ka ndryshuar qëndrim për të qenë një partner dhe mik i vendeve të Ballkanit Perëndimor.