Albspirit

Media/News/Publishing

Marrëdhëniet me Greqinë/ “Çështja e paqenë e detit”, promovohet botimi i ri i diplomatit Shaban Murati

Diplomati dhe publicisti i njohur, Shaban Murati nuk e dinte se negociatat me Greqinë për çështjen e detit do të rinisnin pikërisht në momentin kur ai do të publikonte librin e tij të radhës.

Botimi i ri që analizon marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë dhe specifikisht “paktin detar” u promovua dje në kulmin e debatit politik për këtë çështje. Libri i dedikohet kryesisht negociatave dhe marrëveshjes së 9 vjetëve më parë, të cilën autori e përkufizon si një gabim diplomatik.

“Gjithë procedura e ndjekur në bisedime, gjithë dinamika e dosjes së detit të lënë shijen ose të jep përfundimin që aty ka pasur një bashkëfajësi apo një intrigë diplomatike të të dyja palëve”, – u shpreh ambasador Murati.

“Çështja e paqenë e detit një intrigë diplomatike greke apo shqiptare” dhe negociatat që do rinisin së shpejti ka ngacmuar reagimin e shumë diplomatëve të tjerë dhe historianë të pranishëm që dhanë opinionet e tyre nga duhet të nisin këto bisedime. Prof. Dr. Ksenofon Krisafi dhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Sadushi e vlerësuan librin e Muratit si një kontribut të vlefshëm në hapësirën diplomatike.

Fjalën hapëse e mbajti botuesi i njohur, Mehdi Gurra e më pas kontribuuan personalitete të tjera.

Ambasador Çlirim Çepani tha se: Burimet e mëdha naftëmbajtëse të zbuluara kohët e fundit në detin Jon vunë në lëvizje diplomacinë greke dhe lobet pro-greke ose kalin e Trojës.

Ndërsa, historiani i njohur Pëllumb Xhufi u shpreh se: Politika shqiptare ka punuar për ta heshtur apo për ta fshehur axhendën shqiptare në marrëdhëniet me shtetin grek.

Libri titullohet “Çështja e paqenë e detit: një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”. Ai është në shqip dhe në anglisht dhe në brendësi janë publikuar edhe dokumente të ndryshme nga arkivi i Ministrisë së Jashtme për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi që nga viti 1967.

Please follow and like us: