Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet papritur nga jeta agjenti i ambasadës amerikane

Hamdi Kosturi, 39 vjeç me detyrë agjent special i shërbimit diplomatik, pranë ambasadës amerikane u nda papritur nga jeta 10 ditë më parë për shkaqe natyrale. Hamdi Kosturi nuk ishte i martuar dhe nuk la pas fëmijë. Burimet thanë se vdiq pas një problemi shëndetësor me mushërinë.

Ai kishte marrë pjesë në 7 operacione të përbashkëta me policinë shqiptare, dhe së fundi u shfaq para kamerave për operacionin e arrestimit të trafikantëve të klandestinëve.

Dje në ambjentet e Policisë së Shtetit u organizua një ceremoni në nderim të tij, ku mori pjesë ministri Fatmir Xhafaj dhe ambasadori amerikan Donald Lu. Nënës dhe vëllait të Hamdi Kosturit, ju dorëzua një dekoratë mirënjohjeje për kontributin e rrallë që 39-vjeçari ka dhënë gjatë zbatimit të misionit të tij.

Kosturi ishte agjent special i Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit Amerikan të Shtetit, të atashuar pranë ambasadës së SHBA-ve në Tiranë. Shërbimi Diplomatik i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara (DSS ose DS), është forca federale e zbatimit të ligjit dhe e sigurisë e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara.

Detyrat e Agjentëve Specialë të DSS-së, përfshijnë mbrojtjen e misioneve diplomatike të ShBA-ve, diplomatëve të ShBA-ve dhe vizitat e personaliteteve të huaja, kryerjen e hetimeve kriminale kundër falsifikimit të vizave dhe pasaportave, kundër-terrorizmit dhe kundërzbulimit brenda dhe jashtë vendit.

39 vjeçari me origjinë nga Fushë-Kruja, kishte emigruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1999-2000, dhe mes përpjekjeve, Kosturi ja arriti të merrte pasaportën amerikane dhe më tej të futet në FBI. Më pas ai u kthye në Shqipëri për të punuar pranë ambasadës amerikane.

Please follow and like us: