Albspirit

Media/News/Publishing

Letra e dytë deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Veton Surroi

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Ditën e sotme u paraqitën Kryeministri dhe Presidenti i vendit për rastin e rrëmbimit të gjashtë qytetarëve turq dhe dorëzimit të tyre autoriteteve turke për t’i larguar nga vendi. Paraqitja e Kryeministrit dhe Presidentit rrit arsyet për brengosje për fatin e vendit, të demokracisë, ligjshmërisë dhe sigurisë së qytetarëve në të.

Sipas informatës së dhënë nga kryeministri, ministri i Brendshëm, tashmë i shkarkuar, ka marrë që nga data 23 mars kërkesën e AKI-së për arrestimin e gjashtë qytetarëve turq. Prej datës 23 deri më 29 mars, kur u krye arrestimi, kishte kaluar pothuajse një javë dhe brenda atyre ditëve, Kryeministri i vendit nuk u informua nga vartësi i tij për një operacion të këtillë.

Operacioni, sipas fjalëve të sotme nga President i vendit, u krye në saje të shpjegimit të AKI-së se gjashtë qytetarët turq kishin bërë “veprime të paligjshme” dhe që “kërcënonin sigurinë kombëtare”.

Pra, Kryeministri i vendit, tashmë dihet, së paku për gjashtë ditë me radhë nuk është informuar se gjashtë shtetas të huaj dyshohet se bëjnë veprime të paligjshme, dyshohet se janë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe se do t’u anulohet leja e qëndrimi e do të dëbohen nga vendi.

Kjo do të thotë se ekziston një sistem i vendimmarrjes i cili përjashton Kryeministrin e vendit, përgjegjësitë e tij Kushtetuese, rrjedhimisht, Kushtetutën e vendit. Në formë pothuajse të pavërejtshme, këtë e vërtetuan Kryeministri dhe Presidenti i vendit, kur përdorën, që të dy, të njëjtën fjalë për të përshkruar atë që u ndodhi gjashtë qytetarëve turq. Që të dy, Kryeministri dhe Presidenti thanë se qytetarët turq “u deportuan”, gjë që pak a shumë e përshkruan realitetin.

Problemi i vetëm është se kjo fjalë nuk ekziston në ligj; në Ligjin për të huajt, i cili rregullon këtë materie nuk ekziston koncepti i deportimit. Me ligjin tonë të huajt “largohen” apo “dëbohen”, por nuk deportohen. Por, Kryeministri dhe Presidenti kishin të drejtë të përdornin këtë fjalë, sepse ashtu siç nuk ishte ajo në ligj, ashtu nuk ishte në ligj as procedura me të cilën u rrëmbyen dhe iu dorëzuan autoriteteve turke.

Presidenti i vendit nuk shpjegoi sot nëse kishte dijeni, prej datës 23 deri më 29, se do të zhvillohej një operacion i këtillë. Ai dhe Kryeministri do të duhej ligjërisht të marrin të njëjtën informatë mbi sigurinë në vend nga AKI-ja. Kryeministri deklaroi se nuk e kishte marrë por për këtë nuk u deklarua Presidenti i vendit.

Deklarimi i Presidentit të vendit është me rëndësi sepse me të qytetarët e vendit mund të kuptojnë se a është ai pjesë e një vendimmarrjeje paralele, e cila shpërfill përgjegjësitë kushtetuese të Qeverisë së Kosovës dhe kreut të saj. Presidenti gjeti kohë për të treguar se kush fle në cilën shtëpi kur vjen në Kosovë, cila parti ku trajnohet çdo javë, kë do pyetur për financime nga Irani dhe, nëse nuk merret përgjigje, me cilin kushëri duhet biseduar, por nuk gjeti momentin për një deklarim të thjeshtë: ka qenë i përfshirë apo jo në operacionin e rrëmbimit dhe dorëzimit të gjashtë qytetarëve turq?

Përgjigja në këtë pyetje është me rëndësi sepse Presidenti i vendit sot tregoi shpërfillje të drejtpërdrejtë, jo vetëm ndaj të drejtave ligjore të gjashtë turqve “të deportuar”, por ndaj sistemit kushtetues të Kosovës.

Si president i Republikës së Kosovës, vendi që duhej t’i kishte pushtetet e ndara, deklaroi se një deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar Partie parlamentare financohet nga Irani. Një informatë e këtillë mund të gjendet në fjalorin e Presidentit të një vendi demokratik vetëm pasi të jetë ngritur padia kundër atij individi për financim të supozuar nga një shtet tjetër, e në kundërshtim të ligjeve të Kosovës. Por, Presidenti vazhdoi ta shpërfill sistemin kushtetues-juridik të Kosovës duke e quajtur Albin Kurtin “ideatorin e organizatës terroriste Syri i Popullit” që përbën shkelje të trefishtë. Është sulm kundër të drejtës kushtetuese të Albin Kurtit për siguri, është ndërhyrje në sistemin gjyqësor ndërsa është duke filluar seanca gjyqësore ndaj organizatës “Syri i Popullit” (e cila nga presidenti mund të quhet terroriste vetëm me vendim të plotfuqishëm gjyqësor) dhe është potencialisht fshehje e dëshmive: nëse Hashim Thaçi ka prova se Albin Kurti ideoi “Syrin e Popullit”, atëherë ato duhet t’i deponojë në Prokurori, në të kundërtën bëhet bashkëkryes i krimit.

Në vendin dhe kohën kur duhej të fliste se si është shemb sistemi juridik-kushtetues i vendit me rrëmbimin dhe dorëzimin e gjashtë qytetarëve turq, presidenti i vendit ndihmoi shembjen me shpjegime të mëtejme e me argumentin kulmor se Lëvizja Vetëvendosje dërgonte ekipe në Stamboll çdo javë për trajnim e financim. Me këtë, Presidenti i vendit sulmoi drejtpërsëdrejti parimin e të drejtës së asociimit, të garantuar me Nenin 43 të Kushtetutës. Nuk është fare punë e Presidentit të vendit se ku dhe si trajnohen partitë politike, për më tepër është ndërhyrje në të drejtën e tyre. Neni 43 i Kushtetutës e udhëzon Presidentin që ta respektojë këtë parim:

“Organizatat ose aktivitetet që kanë për qëllim cenimin e rendit kushtetues, shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ose nxitjen e urrejtjes racore, kombëtare, etnike a fetare, mund të ndalohen me vendim gjyqësor të gjykatës kompetente”.

Por, sot, Hashim Thaçi foli si drejtor i AKI-së që disponon me informata për shtratin ku ka fjetur Marko Gjuriqi, foli si prokuror që ngre akuzë ndaj Albin Kurtit për financim nga Irani dhe foli si Gjykatës që shpall fajtore një organizatë terroriste me veprim në Kosovë. Foli se si i prin shembjes së rendit Kushtetues e Juridik të vendit.

Kryeministri i vendit shpalli se ka kërkuar raport nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend, që janë nën kompetencë të tijën kushtetuese dhe ky përbën një reagim të duhur e konkret. Deputetët duhet të kërkojnë që ky raport të paraqitet në Kuvend në fillim të javës së ardhshme dhe që në saje të tij të ndërmerren masat e nevojshme institucionale e juridike.

Arsyetimi se kjo punë do kohë, nuk qëndron. Kohë nuk kishin qytetarët turq që u lidhën duke dalë nga shtëpitë e tyre, iu tha se nuk kanë më leje qëndrimi, të drejtë ankese e as mbrojtje juridike dhe se do t’u dorëzohen autoriteteve të vendit që kanë aq përfillje për procedurë sa treguan autoritetet kosovare më 29 mars të këtij viti.

Kohë nuk kemi ne, qytetarët e vendit, që çdo ditë shohim rrezikun për të drejtat dhe liritë tona./koha.net/

Please follow and like us: