Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta Presidenti i Nderit i Vatrës, Agim Karagjozi

 

Presidenti i Nderit i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, ish Kryetar për dy dekada, Inxhinier Agim Karagjozi, ka ndërruar jetë në spital në Long Island, NY.
I ndjeri la në dëshmpërim zonjën Rozi, djemtë Zyhdinë dhe Shpëtimin, vajzën Angel, motrën Bukuroshe, vëllanë Vesim, mbesën Miranda (Telegrafi) nipin Armand (Vincani), si dhe shumë nipa e mbesa, kushërinj e familjarë në SHBA dhe Shqipëri.
Njoftojmë vatranët dhe Komunitetin se shërbimet funerale do të organizohen Ditën e Martë, 3 Prill 2018, nga ora 4 e 30 PM deri në 9.00 PM, në Shtëpinë Mortore:
Thomas F. Dalton Funeral Homes, Inc
29 Atlantic Ave.
Floral Park, NY 11001
Tel- 516-354-0634
Ceremonai e Varrimit do të kryhet ditën e Mërkurë, 4 Prill 2018, në orën 9 e 30.
Z. Agim Karagjozi mbante dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”, Medaljen e Artë të Shqiponjës, Ishte qytetar Nderi i Gjirokastrës dhe ishte nderuar me cmime të tjera të akorduara nga Republika e Kosovës.
***
Para një jave Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto, i shoqëruar nga zv. Kryetari Agim Rexhaj dhe arkëtari Marjan Cubi, e vizituan z. Karagjozi në spital. Gjatë të gjithë kohës që z. Karagjozi ishte i pamundur vatranët, kryesia e vjetër dhe e re, ish Kryetari Bucaj, Zef Perndocaj, Zef Balaj,Marjan Cubi, Asllan Bushati, editori i Diellit, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij e tij e kanë vizituar dhe i kanë qëndruar pranë .
Z. Agim Karagjozi lindi në Gjirokastër, me 1 shtator 1926. Arsimin fillor e nisi në qytetin e Lindjes, ku kreu katër klasat e para ndërsa klasën e pestë e vijoi në Vlorë. Në vitet 1938 – 1944 vazhdoi shkollimin në liceun e Korçës, në gjimnazin e Gjirokastrës dhe në gjimnazin e Tiranës. Edhe pse i ri u përfshi në Luftën e Dytë Botërore, ku u bë pjesë e Ballit Kombëtar, dhe u aktivizua me Rininë e Ballit, kryesisht në sektorin e propagandës, por mori pjesë në luftë edhe me armë në dorë, duke shkuar deri në Kosovë.
Tipari më i qenësishëm i tij ishte lidhja e thellë shpirtërore me identitetin kombëtar shqiptar dhe vullenti për të bërë detyrën ndaj atdheut, duke marrë pjesë në çdo veprimtari në shërbim të realizimit të aspiratave të drejta të popullit shqiptar, kudo që ka qenë – në Shqipëri, Itali, Turqi, Amerkë.
Në vitet 1943-44, ishte anëtar aktiv në rininë e Ballit Kombëtar në Gjirokastër, Vlorë e Tiranë. Në verë 1944, ishte vullnetar në batalionin “Besnik Çano” që shkoi në Kosovë për të luftuar kundër forcave të Mihajloviçit në Qafë të Morinës, ku ra dëshmor i riu Hamit Troplini.
Në nëntor 1944, u largua nga Shqipëria dhe pas afër katër vitesh në kampe refugjatësh në Itali, bashkë me babanë emigruan në Turqi.
Nga viti shkollor 1948–49 deri në qershor 1955, ndoqi studimet në kolegjin amerikan Robert College në Stamboll, Turqi, ku u diplomua në inxhinieri, dega elektrike.
Ne vitin 1956, erdhi në Amerikë. Që nga viti 1960, u bë pjesë e Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe nga viti 1992-2010, ishte kryetar i saj, ndërkohë që pat drejtuar edhe degën nr. 29 të Nju Jork-ut. Përjetoi më shumë se gjysëm shekulli jetën si vatran aktiv dhe udhëheqës i saj, njohu Imzot Nolin, ishte përfaqësues i vatarnëve të Nju Jork-ut dhe Nju Xhersit në ceremoninë zyrtare të varrimit të Imzot Nolit, udhëhoqi fondin për ndërtesën e Vatrës. Ishte mik i presidentit historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, mik i heroit të Demokracisë Shqiptare Azem Hajdari, i presidentit të parë demokrat të Shqiptarëve dr. Sali Berisha etj. Në kohën e luftës së Kosovës me bashkëpunëtorët e tij shkuan deri në Tropojë, ku u takuan me luftëtarët e plagoisur të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, dhuruan ndihma në medikamente dhe të holla për Luftën.I shte një mbështetës i fuqishëm i proceseve demokratike në Shqipëri e Kosovë.
Familja humbi njeriun e saj të dashur, Vatra, udhëheqësin e saj.I pushoftë shpirti në Paqë!(Gazeta Dielli)

Please follow and like us: