Avokati i Popullit: Askush nuk mundë të fyejë popullin
Avokati i Popullit ka reguar për protestën e dhunshme në Kalimash dhe përleshjes mes policisë dhe qytetarëve për disa orë me rradhë. Avokatja e Popullit, Erinda Balanca në një deklaratë për mediat ka kërkuar ulje të tensioneve mes palëve ndërsa deklaroi se do të shyrtonte të gjitha procedurat e vendosjes së tarifës së rrugës.
Deklarata e plotë
Institucioni i Avokatit të Popullit po i ndjek me shqetësim zhvillimet e ditës së sotme ku gjatë protestës së qytetarëve kundër një tarife që ata e gjykojnë të padrejtë, ka pasur përplasje me policinë. Është një e drejtë e padiskutueshme e çdo qytetari ajo për t’u organizuar dhe kundërshtuar vendime të padrejta apo të debatueshme të autoritetit qeverisës. Megjithatë, dhuna si mjet kundërshtimi ndaj një padrejtësie duhet shmangur në të gjitha rrethanat. Gjithashtu Avokati i Popullit thekson nevojën për përgjegjshmëri dhe vetëpërmbajtje edhe nga ana e organeve të ruajtjes së rendit, duke konsideruar se përgjigjja me dhunë ndaj dhunës, prodhon vetëm spirale të pafundme dhune. Ekspertë të Avokatit të Popullit, gjithsesi do të hetojnë me kujdes në ditët në vijim të gjitha procedurat e ndjekura nga autoritetet policore gjatë zhvillimit të protestës së sotme, për të verifikuar çdo tejkalim kompetence apo shkelje të manualëve të sjelljes së policisë kundrejt qytetarëve protestues. Çështja e vendosjes së një tarife mirëmbajtjeje për Rrugën e Kombit është prej disa ditësh objekt i një hetimi administrativ nga ana e Institucionit të Avokatit të Popullit. I gjithë procesi i vendimmarrjes për tarifimin e një segmenti rrugor kombëtar dhe administrimin e tij nga një kompani private, do t’i nënshtrohet një shqyrtimi të hollësishëm për të parë nëse kemi në këtë rast shkelje të të drejtës universale të njeriut për lëvizjen e lirë, nëse ka shkelje të principeve të barazisë, nëse ka ngarkim të dyfishtë apo të trefishtë të qytetarëve me pagesa për të njëjtin shërbim, apo nëse konstatohen shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, ashtu sikurse po referohet nga ankesat e qytetarëve. Institucioni i Avokatit të Popullit gjithsesi vlerëson se sikundër është e këshillueshme që qytetarët të shmangin dhunën në shprehjen e pakënaqësisë së tyre ndaj çdo lloj padrejtësie, po ashtu është krejtësisht e mundshme që autoritetet ligjvënëse të shmangin vendimet që i shtyjnë qytetarët drejt dëshpërimit dhe akteve të tij. Gjithashtu prania në ligjërimin publik politik, e etiketimeve fyese dhe denigruese ndaj qytetarëve protestues, si dhe gjuha e urrejtjes e manifestuar publikisht, i shërben vetëm nxitjes së acarimeve të mëtejshme dhe nuk kontriubuon aspak për zgjidhjen e situatës. Duke u bërë edhe një herë thirrje të gjitha palëve të përfshira në këtë ngjarje, për të ulur tensionet dhe për të eksploruar me dialog dhe respekt të ndërsjelltë të gjitha rrugëdaljet ligjore, Institucioni i Avokatit të Popullit garanton qytetarët se do të jetë në mënyrë të palëkundur në krah të interesit të tyre publik në çdo rast.