Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Profesor Ilir Kaduku, si e kam njohur…

 

Një telefontë e mikut tim të dy sistemeve, atij diktatorial dhe gjysmë demokraci në këto 28 vjet, profesorit ekselent të Ekonomisë dhe jo vetëm, pra Ilir Kadukut, mëngjesit të sotëm, më ka shqetësuar më shumë se të gjitha paudhësitë që janë bërë në këtë tranzicion të gjatë dhe të pamëshirshëm.

Një portal jo anonim, por me emër anonim ka bërë një sulm të neveritshëm ndaj tij, çka më shumë e mendoj nga kampi i ashtuquajtur demokrat (lufta brenda llojit është gjithherë më e ashpër dhe më vrastare se ajo e rreshtimit kundërshar), që më shumë se mund t’i bëjë dëm i bën, po ashtu nder, një shpirti të lirë, antikomformist me pushtete të majta dhe të djathta që këmbyen vendet gjatë kësaj periudhe postdiktatoriale.

Për ata që nuk e njohin, dua të them se Ilir Kaduku është një moshatari im i viteve studentore, një prej pedagogëve të Ekonomisë të periudhës totalitare që arriti të organizonte grevën e urisë në Qytetin ‘Studenti’, duke tërhequr pas vetes dhe disa pedagogë të tjerë, disa të shpërblyer gjatë qënies në pushtet të Partisë Demokratike, mes të cilëve edhe Ylli Vejsiu- Ministër Arsimi dhe shumë të tjerë. Brenda kësaj greve urie, kishte edhe shumë të tjerë, që nuk kishin lidhje me përmbysjen e madhe, por profesor Kaduku, si shkodran që ‘jo të gjitha i ban’ ishte më konseguenti që kjo grevë të përmbushte misionin e vet. (Nuk është sekret të thuhet se në atë grevë urie kishte edhe shumë bij e bija të përkedhelur nga sistemi diktatorial, (në një kohë tjetër mund të publikojmë edhe emrat), që morën pjesë në revoltën studentore, por që gjithsesi nuk ndiheshin të lirë.

Pas grevës së urisë dhe ngjarjet që pasuan më pas, Partia Demokratike erdhi në pushtet dhe nuk u kujtua asnjëherë për kontributin e tij, por përkundër tij, kundërshtarët më të egër i shpërbleu me poste dhe detyra nga më të rëndësishmet (ambasador, Ministër i Jashtëm, shef i shërbimit të inteligjencës, etj) duke mos robëruar një mësimdhënës në universitet që proklamonte qytetarin e lirë dhe duke riburgosur eksponetët e ish regjimit komunist në të ashtuquajturin sistemin demokratik.

Ilir Kaduku nuk ka kurrfarë nevoje për mbrojtjen e atyre që e njohin prej shumë vjetësh, por ky shënim i shkurtër ka vetëm një synim, të lehtësojë sadopak sulmin që i është bërë anonimisht nga një portal alla dritare, por që në të vërtet është tëpkë gjyriz e llagëm thashethemesh.

Llagëmtarë të të gjitha pabesive, jeni të lutur të pllaquriseni në vrerin tuaj këndej dhe andej viseve amtare!

 

Please follow and like us: