Eli Kanina: Testament
Kur të vdes s’dua varr të mermertë
Mbulomë me guvertë të butë prej bari
Me vesë të më lajë mëkatet Zoti
Kur shpirtin për në qiell të ma marri!
Mos më mbill pranë një qiparisi
Më ka mundur hijeshia e tij për së gjalli
Heshtja e tij melankolike më lodh
S’duroj të më bëjë isharet as te varri.
Mos më ngri përmendore se s’më duhet
Veç një pemë ku fëshfërijnë ca gjethe
Të më mbajë me hakikat për ty
Të më rrëfejë nga lart, erdhe a s’erdhe…
Mos më mbaj fjalime tërkuzë pa shije
Që të gjithë i dinë e i thonë në kor
Ngjyeji fjalët me nostalgjinë e kujtimeve të bukura
Nëse s’je, mos tento të mallëngjehesh me zor.
Nëse s’i bën njerëzit të ndajnë dhimbjen me ty
Të paktën prej tyre mos ndihesh tallur dhe bosh
Ndryshe nuk më duhen funeralët fallco
Në vend të njerëzve më sill një tufë zogjsh.
Një pemë me zogj më duhet mbi vete
Të përgjoj kur për qiellin rrëfehen ciu-ciu
Të marr vesh si duhen e ç’duhen zogjtë
Ndoshta kuptoj të ngjashmen tek njeriu.
Të kem prej zogu dua, krahët, shtegtimin, qiellin
Një jetë të dytë të kem, ta këndoj si një zog
Me pafajsinë e tij përqark ti bie botës
Për gjithçka që si njeri s’e bëra dot.
Nëse më parë nga mua, të mund ty vdekja
Mos prit, as mos kërko të jem në funeral
Unë s’jam aq e zonja të të dua të vdekur
Kaq shumë sa të dua të gjallë!
ELIVERTA