Albspirit

Media/News/Publishing

Kotzias: Vizitë e jashtëzakonshme në Tiranë

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, mbërriti mesditën e së enjtes (29 mars) në Tiranë për një vizitë të jashtëzakonshme pune. Kotzias mbërriti në Tiranë me avionin qeveritar, për të shkuar në selinë e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Atje, z.Kotzias zhvilloi një takim kokë më kokë me MPJ shqiptar, Ditmir Bushati. Rreth një orë më vonë, u zhvillua edhe një takim mes dy ministrave dhe këshilltarëve dhe ekspertëve të dy palëve. Vizita e papritur e Kotzias, bëhet pak orë para se ai të shkojë për në Vjenë të Austrisë. Takimi me Bushatin, vjen pak ditë pasi Presidenti shqiptar, Ilir Meta autorizoi MPJ tonë për të vijuar dhe konkluduar negociatat me palën greke për kufijtë detarë dhe disa çështje të tjera që dy vendet kanë ende të ngrira, përfshirë anulimin e ligjit të luftës nga pala helene. Ky takim  i jashtëzakonshëm i Kotzias me Bushatin në MPJ e Tiranës, vjen vetëm pak orë pasi qeveria greke njoftoi se kryeministri Cipras e ka anuluar vizitën e tij në Shqipëri. Kotzias nuk do të takohet me kryeministrin Edi Rama. NOA raportoi më herët sot, se kryeministri Cipras nuk do të vijë në Shqipëri në vigjilje të pashkëve ortodokse, ashtu sikundër kishte rënë dakord. Qeveria greke tha të mërkurën se Cipras e ka anuluar pa afat vizitën e tij në Shqipëri, për arsye që zyrtarisht nuk u bënë të ditura. Cipras kishte planifikuar që nga 6 deri më 8 prill të qëndronte në Shqipëri për një vizitë treditore, me ftesë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Cipras do të qëndronte në një rezidencë të siguruar nga z.Rama, në Korçë, bashkë me familjen e tij dhe me një ekip të ngushtë pune nga qeveria.

Please follow and like us: