Arrestimet në Kukës, Avokati i Popullit: Askush nuk ishte njohur me arsyen e ndalimit kur u prangos
Arrestimet në Kukës për shkak të një proteste për të mos pasur tarifë për të kaluar me makinë në Rrugën e Kombit janë kthyer në një problematikë të mprehtë politike. Pas ekzekutimit të 23 urdhër – arresteve të Prokurorisë, ka reaguar edhe institucioni i Avokatit të Popullit. AP ka thënë se personat që janë prangosur, nuk ishin njoftuar për arsyen e ndalimit.
Njoftimi i Avokatit të Popullit:
RAPORTIM MBI VIZITAT INSPEKTUESE TË AVOKATIT TË POPULLIT NË DREJTORINË E POLICISË DHE KOMISARIATET E POLICISË NË KRYEQYTET
Institucioni i Avokatit të Popullit, në vijim të detyrës së tij kushtetuese dhe ndjekjes së problematikave të ditës së djeshme në Kukës, ka zhvilluar gjatë gjithë ditës së sotme vizita inspektuese në dhomat e paraburgimit ku janë sjellë qytetarë të ndaluar pas pjesëmarrjes në protestën e djeshme në Rrugën e Kombit. Nga inspektimet e grupeve të punës të Avokatit të Popullit rezulton se në Drejtorinë e Policisë në Tiranë po mbahen aktualisht 13 persona, në Komisariatet 1 dhe 2 nga katër persona, ndërsa tre persona të tjerë ndodhen të shpërndarë në komisariate të tjerë të kryeqytetit. Ekspertët e Avokatit te Popullit, konstatojnë se ndonëse ndaj asnjërit prej të ndaluarve nuk është ushtruar dhunë dhe asnjëri prej këtyre të ndaluarve nuk ka pretenduar të jetë ushtruar dhunë mbi të, situata paraqitet problematike në lidhje me komunikimet formale të shkakut të privimit nga liria të këtyre personave.
Deri në orën 14.00, në komisariatet 1 dhe 2 nuk ishte përmbyllur ende procedura për të bërë të mundur trajtimin e personave me ushqim. E njëjta situatë është konstatuar edhe në Drejtorinë e Policisë ku deri në orën e përfundimit të inspektimit (18:00) ende të ndaluarit nuk ishin trajtuar me ushqim. Avokati i Popullit u ka kërkuar autoriteteve policore që të bëjnë trajtimin ushqimor dhe shëndetësor të të ndaluarve që ndodhen në mjediset e paraburgimit për të shmangur klasifikimin e gjendjes së tyre si trajtim çnjerëzor. Avokatja e Popullit Erinda Ballanca ka komunikuar personalisht në rrugë telefonike me drejtorin e përgjithshëm të Policise i cili ka garantuar se problemi edhe nëse ka ekzistuar mund të ketë qenë vetëm teknik dhe ka garantuar që situata është zgjidhur. Çështja do të vijojë të mbahet në qendër të vëmendjes nga grupet e mëtejshme të inspektimit të Avokatit të Popullit.