Basha: Rama një plaçkitës, të lirojë menjëherë të arrestuarit
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri thirrje edhe një herë Prokurorisë që të lirojë personat e arrestuar në Kukës, të cilët protestuan të shtunën kundër tarifës së re për Rrugën e Kombit.
Në një dalje për mediat në selinë e PD-së, Basha theksoi se të ndaluarit duhet të hetohen në gjendje të lirë.
“Shumica e qytetarëve janë rrëmbyer nga shtëpitë e tyre pa asnjë urdhër ndalimi dhe janë sjellë në Tiranë. Kjo përbën një vepër penale të njëanshme të heqjes së lirisë. Këshilltarët e Këshillit Bashkiak të Kukësit kanë kallëzuar policinë e Prokurorinë, – tha Basha. – Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm pa asnjë kusht të protestuesve, ata duhet të hetohen në gjendje të lirë. I bëj thirrje Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme, që të ndalë menjëherë së vepruari si hetuesi politike e Edi Ramës”.
Kryedemokrati i bëri thirrje Prokurorisë të merret me hetimin e dosjeve të drogës dhe korrupsionit e jo të qytetarëve të thjeshtë që kërkojnë të drejtën e tyre të ligjshme.
“Prokuroria duhet të shpallë prioritet kombëtar, luftën kundër drogës e korrupsionit, dosjet ndaj Tahirit, Dakos, Beqjes, Habilajve e kriminelëve të tjerë që të jenë fokusi i punës së saj. Kukësi të mos trembet e tërhiqet nga të drejtat e tyre legjitime e demokratike. Rama po lufton për paratë e korrupsionit për veten dhe oligarkët e tij. Kukësi ka njohur shpesh shpërfilljen izolimin e diktaturës, por asnjë nuk i ka nënshtruar dot. Ta trajtojnë Ramës siç është, një plaçkitës i popullit, ne jemi me ju, e gjithë Shqipëria është me ju”, – shtoi Basha.