Thuaja hallin që të ka zënë!
Viron Kona
Paska çelur lule kumbulla,
ka shpërthyer gjelbërimi,
shkon me çap bukuroshja,
me dy shtamba te burimi.
Dielli rrezet i përthyen,
vajza ëmbël nis këndon,
ylberi e vesh me ngjyra,
një bilbil po cicëron.
Ulë shtambat freskon ballin,
fëshfërima vijnë nga pylli,
llërëpërveshura diç pret,
pikë – pikë, pikon burimi.
Dy herë djalë mos u mendo,
shko rrëmbeja njërën shtambë,
duke mbushur të dy ujë,
thuaja hallin që të ka zënë.
Nxite veten, bëhu trim,
ndjenjës tënde jepi udhë,
se dhe pak po u vonove,
n`burim s`do ketë më ujë.
Please follow and like us: