Vera Kurti: Po ‘vjen’ dita juaj…2 Prilli
Po ‘vjen’ dita juaj…2 Prilli
Po afron dita jote, Autizëm
kush e kush më parë
të gjithë në garë
të veshë emrin tënd për këmishë
ah, pa prekur në lëkurën e mishtë
nuk bëhet fjalë për shpirt…
Po vjen dita juaj, engjëj
politikanët, kumbarët tuaj
të rinj e të vjetër,
të sotëm e të djeshëm
sa herë vjen ditë-emri juaj
kapërdisen podiumeve
xhelozojnë të bëhen humanistë
guxojnë të përmendin edhe
emrin e të shenjtës, Nënë-Terezë.
Mjekët, më të pafajshëm se ju
fshihen pas vaksinave;
ua kanë frikën zërit të tyre
kërkuesit shkencorë po ashtu,
humbën tuneleve të errta të kërkimeve
pa dalje, pa krye…
Psikologët,
zotat e tokës ku ju banoni,
janë shtuar
mezi presin të lexojnë lajmet
se numri juaj është shumëfishuar
nuk kanë faj;
duhet të mbijetojnë
në botën e barkut të parasë,
që rritet çdo ditë,
njerëzit duke kafshuar…
Po vjen dita juaj, engjëj
perëndia ju, ju gjeti
të zbusni botën e egër?!