Albspirit

Media/News/Publishing

BE: Arrestimi i 6 shtetasve turq, arbitrar dhe kundër të drejtave të njeriut

ALBIONETA ADEMI

Bashkimi Evropian ka reaguar pas arrestimit të gjashtë shtetasve turq në Kosovë, për dëbimin e tyre të mëpasshëm në Turqi, ku ata akuzohen për gjoja terrorizëm. Në një përgjigje për Gazetën Express, BE’ja e ka cilësuar arbitrar dhe kundër të drejtave të njeriut arrestimin e shtetasve turq, të enjten e kaluar.

“Arrestimi dhe dëbimi i mëpasshëm i gjashtë shtetasve turq, të cilët kishin leje qëndrimi në Kosovë, ngjall dyshime për respektimin e procesit të rregullt ligjor”, ka deklaruar zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.

“Sundimi i ligjit është parim themelor i Bashkimit Evropian. Në linjë me vendosmërinë e tyre për të ndërtuar një të ardhme të lirë dhe demokratike, dhe gjithashtu siç përcakton Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, të gjitha veprimet e institucioneve vendëse në Kosovë duhet të jenë në përputhje me sundimin e ligjit dhe respektimin universal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Procedurat arbitrare në lidhje me arrestimin, mbajtjen apo azilin bien ndesh me këto parime”, ka theksuar Kocijançiq, në një përgjigje për Gazetën Express, përmes postës elektronike.

“Sa i përket Turqisë, ndonëse ne e kuptojmë nevojën që t’i sjellin para drejtësisë përgjegjësit për përpjekjen e 15 korrikut për grusht shteti, çfarëdo akuze për keqbërje apo krim duhet t’i nënshtrohet procesit të rregullt dhe normave të mirënjohura ndërkombëtare, kur kërkohet ekstradimi. E drejta e çdo individi për gjykim të drejtë duhet të respektohet plotësisht. Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe si anëtare e Këshillit të Evropës, Turqia ka pranuar këto parime”, ka deklaruar zëdhënësja e BE-së. /Express/

Please follow and like us: