Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Deni Porej është emëruar drejtor i WWF Adria

Adrian Ndrecaj

 

ZAGREB – Dr. Deni Porej është drejtori i ri i WWF Adria, organizatës botërore për mbrojtjen e natyrës. WWF Adria është zyre regjionale me seli në Zagreb, dhe pos në Kroaci, organizata vepron edhe në Shqipëri, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni, Slloveni dhe Serbi.

Me profesion biolog, Deni Porej ka doktoruar në katedrën “Evolucioni, ekologjia dhe biologjia e organizmave” në Univerzitetin e Ohio State në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në temën e llojeve invazive, pastaj është zgjedhur drejtor për mbrojtjen e natyrës në The Nature Conservancy OHFO. Në vitin 2007 kthehet në Evropë, ku bëhet drejtor i programit në WWF Mediteran. Në atë pozitë qëndron deri me 2 prill të këtij vitit kur zgjidhet drejtor i WWF Adria-s.

“Në 10 vitet e fundit kam bërë shume përpjekje për themelimin e WWF Adria dhe kjo është një vazhdimësi logjike e karrierës time. Në përputhje me misionin e WWF-it që të ndalim degradimin e natyrës dhe të inkurajojmë njeriun që të jetoj në harmoni me të, gjithmonë mundohem që të mendoj globalisht dhe të veproj në nivel lokal. Dhe kjo është ajo që jemi duke e bërë në regjionin tonë e cila thekson pasurinë e biodiversitetit në të gjithë Evropën”, tha Deni Porej.

“Organizata e jonë punon në përfshirjen sa më të mirë të popullatës lokale në vendimet për përdorimin e burimeve natyrore – peshqit, lumenjtë, zonat e mbrojtura… Besoj se në këtë aspekt të gjitha shtetet ku po punojmë dëshirojnë përparim të shpejtë, këtu jemi të ndihmojmë partnerët tanë në sektorin civil dhe të biznesit, si dhe në institucionet shtetërore. Jam i gëzuar se do të udhëheq një ekip të madh entuziastesh të dashuruar në natyrë, të cilët jetën e tyre ja kanë dedikuar mbrojtjes së saj,” shtoj Porej.

WWF është njëra nga organizatat më të mëdha dhe më të respektuara  për mbrojtjen e natyrës e themeluar në vitin 1961, me më shumë se gjashtë milionë përkrahës dhe me rrjetin global aktiv në më shumë se 100 vende. Në regjionin tonë WWF vepron që në fillim të këtij shekulli përmes partneritetit me organizata tjera jo-qeveritare, deri sa WWF Adria është themeluar në vitin 2015. Puna e organizatës në regjion është e fokusuar në përmirësimin e menaxhimit të qëndrueshëm të lumenjve, ligatinave, pyjeve dhe zonave të mbrojtura, si dhe ruajtjen e detit.

Please follow and like us: