Enver Bytyçi: Takimet Rama-Thaçi-Vuçiç sjellin vetëm fatkeqësi!
Në historinë e diplomacisë dhe politikës në botë shënohen dy lloj kontaktesh politikanësh: Në njërën anë takime, biseda dhe tryeza të politikanëve që sjellin progres me vizione, ide e programe zhvillimi, në anën tjetër takime e biseda që ndjellin fatkeqësi. Madhësia e progresit ose humnera e fatkqësive varen nga përmasat dhe roli në hapësirat gjeopolitike të liderëve politikë që angazhohen në vendimmarrje.
Tashmë nuk është sekret të thuhet se Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, sa herë takohen me njëri-tjetrin na sjellin fatkeqësi. Me mburrje presidenti i Kosovës u shfaq para dy javësh, me ç’rast lansoi në media lajmin e takimeve të tij në Uashington dhe në Bruksel me homologun e tij serb. Epilogu ishte realizimi dhe zbatimi i skenarit të arrestimit të Gjuriq në veriun e Mitrovicës, duke provokuar komunitetin ndërkombëtar, destabilizimin e vendit dhe më pas edhe ricopëtimin e territorit të Kosovës.
Sot Hashim Thaçi është parë të drekojë në një lokal të Tiranës me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Nuk kanë qenë bashke në ndonjë wikend, as në ndonjë ceremoni festive e gëzimi familjar. Janë takuar tinzash dhe kanë biseduar pa dhënë asnjë informacion se përse takohen në ditë jave e në orar pune presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë. Po të ishte për vizitë zyrtare, kjo do të realizohej vetëm me ftesë të presidentit të Shqipërisë.
Atëherë çfarë i bëri bashkë dy emrat protagonistë të të dy vendeve tona?! Çfarë përgatitet të ndodhë pas këtij takimi?! Ndjesia e parë lidhet me shfaqjen e ndonjë fatkeqësie tjetër si ajo e arrëstimit të Gjuriq në veri apo apo ajo që ndodhi me ekstradimin e gylenistëve të shkollave turke të Kosovës për në Turqi. A do të ndodhë e njëjta gjë në Shqipëri?!
Ndoshta tashmë kjo ka ndodhur edhe tek ne. Por publiku nuk është informuar, sepse në vendin tonë qytetarët nuk informohen, duke qëndruar në terr informativ për çdo gjë. Ndërsa Rama imiton djallin, Hashim Thaçit i pëlqen të imitojë gjarpërin. Pra, të helmojë këdo që nuk i bindet vullnetit të tij politik e personal. Të dy kanë të përbashkët cilësinë e punës në klan, organizimin klanor, në formën e oligarkisë. Në këtë mënyrë ata shtojnë pasurinë dhe duke shtuar pasurinë forcojnë pushtetin. Sa herë u rrezikohet pushteti mblidhen fshehtas e bisedojnë për masat që duhet të marrin dhe riorganizimin e klanit. Pjesë e klanit, ose oligarkisë, janë drejtuesit e medias dhe sipërmarrësit e mëdhenj besnikë. Me këto dy instrumente mundësojnë pasurinë dhe mbrojtjen e saj. Por për këtë qëllim përdorin edhe instrumentet e shtetit, policinë, prokurorinë dhe shërbimin sekret. Njësoj si diktatura! As më shumë, as më pak! Edhe në ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe në Kosovë aleatë politikë u shpallën instrumentët e dhunës, policia, shërbimi sekret dhe prokuroria.
Hashim Thaçi erdhi sot në Tiranë, takoi Edi Ramën dhe mori me vete gjithashtu porositë e këtij të fundit: Cilat janë ose mund të jenë këto porosi:
1. Në Kosovë të sulmohet kryeministri Haradinaj, të eleminohet ai politikisht. Eshtë pikërisht ajo që kërkoi Rexhep Taip Erdogan. Në Prishtinë tashmë duket qartë se ballafaqohen ashpër midis tyre dy rryma: Ajo e presidentit dhe ajo e kryeministrit. Qëndrimeve politike të kryeministrit i ka dalë në mbrojtje Departamenti i SHBA-ve. Qëndrimet politike të presidentit i përshëndet dhe mbështet presidenti turk, Erdogan. Edi Rama ka qenë, është dhe do të mbetet në këtë linjë. Ndaj dhe anuloi takimin me kryeministrin grek Tcipras.
2. Presidenti Thaçi i ka kërkuar kryeministrit Rama që dhe ky i fundit të grabisë dhe ekstradojë për në Turqi disa “armiq” personalë të Erdoganit, me qëllim që vepra e ndyrë e Thaçit të relativizohet. Që shqiptarët në Kosovë të thonë: – Ja nuk është vetëm Kosova, por edhe Shqipëria po i ekstradon gylenistët në Turqi! Nëse Rama do ta hedhë këtë hap, do të përfitojë dyfish: Edhe nga presidenti i Turqisë, edhe nga presidenti i Kosovës. Pse jo, para gjithashtu.
3. Por të tre këta si dhe Aleksandër Vuçiç do të kenë gjithashtu një përfitim tjetër: Do ta mbajnë rajonin nën tensionin e konfliktit e të luftës dhe kësisoj do t’u japin europianëve dhe amerikanëve mesazhin se “Thaçi, Rama, Vuçiç e Erdogan kanë çelësat e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkan”. Kjo përpjekje e këtyre liderëve politikë autoritarë sjellin përfitime vetëm për oligarkitë që ata kanë formësuar dhe instaluar në shtetet respektive. Për të gjitha këto arësye takimet Rama-Thaçi-Vuçiç dhe marrëdhëniet e tyre të ngushta me Erdogan ndjellin fatkeqësi për popujt e rajonit, veçmas për shqiptarët.
Kjo është arsyeja kryesore pse ne na duhet t’i themi jo më veçmas dyshes Rama-Thaçi.
Tiranë, 03.04.2018