Albspirit

Media/News/Publishing

Haradinaj i kundërpërgjigjet Erdoganit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i përgjigjet kritikave të Erdoganit: “Askush nuk mund të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.” Haradinaj ishte kundër deportimit nga Kosova të gjashtë shtetasve turq. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur kritikave të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke ia kujtuar se “të gjithë duhet ta dinë se askush nuk mund të përzihet në punët e brendshme të Kosovës”. Presidenti turk, Erdogan tri herë radhazi ka kritikuar së fundmi kryeministrin Ramush Haradinaj, ku siç tha “do të paguajë”, pasi kryeministri i Kosovës shkarkoi nga detyra shefin e inteligjencës kosovare dhe ministrin e Rendit, pas deportimit të gjashtë shtetasve turq për në Turqi, të cilët akuzohen nga autoritetet turke  për terrorizëm. Haradinaj tha se “Kosova nuk ka hyrë në asnjë punë të brendshme të Turqisë.

Haradinaj: Nuk është në traditën tonë me hy në punët e shtëpisë së dikujt tjetër

“Për ata që nga larg na gjykojnë dua t’iu them se nuk na njohin, ju mungon njohja për shqiptarët në trojet e tyre, në atdheun e tyre. Bëjnë mirë të na njohin, sepse kur na njohin e dinë mirë se nuk është në traditën tonë me hy në punët e shtëpisë së dikujt tjetër. Kosova dhe unë nuk kemi hyrë në asnjë punë të brendshme të Republikës së Turqisë dhe kjo është mëse e vërtet, as në të kaluarën, as sot, dhe as në të ardhmen. Por, po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do t’i bëjë kurrë askush në emër tonë në Kosovë, do t’i bëjmë vetëm ne, atëherë kur i bëjmë”, tha kryeministri Haradinaj gjatë një tubimi përkujtimor për nder të 550 vjetorit të Skënderbeut.

Türkei | Präsident Erdogan (Getty Images/AFP/A. Altan)

Erdogan falënderon Thaçin

Presidenti i Turqisë duke hedhur kritika në drejtim të kryeministrit Haradinaj, në të njëjtën kohë ka falënderuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për siç thotë “arrestimin nga autoritetet kosovare dhe dëbimin e shtetasve turq nga Kosova”. “E falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them ‘turp’. Largimi nga detyra i kreut të inteligjencës dhe ministrit të Brendshëm, të cilët na i dhanë anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik”, u shpreh Erdogan. I befasuar me deklaratat e Erdoganit drejtuar kryeministrit të Kosovës është shprehur edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. “Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarime të tilla nuk i kontribuojnë forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë, për çka vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar”, thotë kryetari i kuvendit Kadri Veseli.

Veseli: Duam raporte të respektit të ndërsjellë

Sipas Veselit, veprimet e institucioneve të Kosovës janë sovrane dhe si të tilla nuk mund t’u nënshtrohen presioneve të jashtme. Ai thotë se “marrja në përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurisë është çështje e brendshme dhe në diskrecion të lidershipit të Kosovës”.

Albanien PDK Kadri Veseli Politker (Shpresim.M.Shala)

“Republika e Kosovës do të vazhdojë pa kompromis rrugën e vet evropiane, të forcimit të vlerave perëndimore dhe demokratike, duke ofruar bashkëpunimin e vet me të gjitha ato shtete mike që duan raporte të respektit të ndërsjellë, duke përfshirë edhe Republikën e Turqisë”, tha Kadri Veseli. Kritikat e Presidentit të Turqisë, drejtuar kryeministrit të Kosovës dhe thirrjet e tij hapur kundër Haradinajt, është rasti i parë i një përplasjeje Turqi-Kosovë në historinë e shtetit të Kosovës.  Kosova u bë vendi i parë rajonal që i deportoi për në Turqi, gjashtë shtetas turq të akuzuar nga autoritetet e atjeshme për terrorizëm të kërkuar për lidhje me klerikun Fethullah Gulen. Këtë të fundit Presidenti Erdogan e akuzon për përpjekjen për grusht shteti në korrik të vitit 2016.

Reagimet e mediave në Kosovë

Analistët në Kosovë kritikat e Presidentit të Turqisë drejtuar kryeministrit të Kosovës nuk i shohin shumë shqetësuese. Armend Muja, analist politik dhe ligjërues universitar, shkruan në një editorial se “sulmet e Presidentit Turk ndaj liderëve janë të zakonshme. Ai përmend edhe sulmet verbale ndaj, kancelares gjermane Merkel, Presidentit Francez, Macron, kryeministrit Holandez dhe së fundi edhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. “Gjate qeverisjes së Erdogan rolin e Ministrisë së Jashtme e luan (MIT) Inteligenca Turke. Kontaktet me përmbajtjesore zhvillohen përmes agjencive simotra në Azi dhe Afrikë. Shkarkimi i Shefit te Inteligjencës kosovare ne termat e Erdogan është njësoj sikur te ndërpriteshin marrëdhëniet diplomatike”, shkruan Armend Muja. Analisti Muja, thotë se në këtë fazë liderët e Kosovës nuk duhet të merren me kritikat e Presidentit të Turqisë. “Miqësia me Erdogan ne ketë periudhë është toksike. Kërkohet një distancë e shëndetshme. Për ata që nënvizojnë partneritetin ekonomik, duhet te theksohet se Turqia ne raport me Kosovën është net përfitues. Ata eksportojnë rreth 300 milion euro, ndërkohe qe ne eksportojmë një shume te parëndësishme. Për ata që nënvizojnë faktin qe Turqia na ka njohur e para duhet t’i themi qe ata i kemi shpërblyer disa fish – KEDS, Aeroportin dhe Autostradat ata i zotërojnë. Për ndryshim nga Serbia ku Turqia ka bere investime te huaja direkte, në Kosovë ata janë vetëm ofertues te shërbimeve te paguara publike dhe net përfitues në shkëmbim tregtar”, shkruan Armend Muja. Debatet në Kosovë pas deportimit të gjashtë shtetasve turq për në Turqi ku u përfshi Agjencia Kosovare e Inteligjencës, nuk kanë të ndalur duke kërkuar përgjegjësi në forma të ndryshme. Tashmë kryeministri Haradinaj ka liruar nga detyra ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj, ndërsa, ka kërkuar që detyrën ta lirojë edhe shefi i inteligjencës kosovare (AKI), Driton Gashi. Për këtë të fundit kryeministri, Haradinaj nuk mundet i vetëm ta shkarkojë. Për këtë i nevojitet edhe miratimi dhe nënshkrimi i Presidentit të Kosovës, gjë që këtë Hashim Thaçi akoma nuk e ka bërë./REL/

Please follow and like us: