Kush tentoi ta vriste? Elvi Fundo, letër ministrit Xhafaj dhe Arta Markut
Gazetari Elvi Fundo i është rikthyer ngjarjes së 1 viti më parë, ku persona ende të paidentifikuar ushtruan dhunë barbare ndaj tij. Ishte data 8 Mars. Në orën 10 e 30 ai shkon pranë një dyqani telefonash për t’i blerë një celular si dhuratë nënës së tij më rastin e festës së Gruas. Shumë pranë dyqanit, dy njerëz e godasin nga pas dhe e rrezojnë në tokë duke i shkaktuar plagë të rënda.
“Kalova në një rrugë që kam 15 vjet pasi punoj dhe banoj këtu. Kam qenë duke ecur dhe kam ndjerë dy goditje në kokë. Pata një moment që humba ndjenjat sepse më pas mbaj mend një levë ose dy që më goditën në fytyrë dhe një goditje të fortë në këmbë. Në fillim ndjeva goditjen në kokë dhe në këmbë ndërsa në fytyrë e kuptova vetëm nga gjakderdhja.”
Ajo është një ngjarje që unë e kam konceptuar si një mesazh paralajmërimi. Të gjitha çfarë kam pasur i kam bërë publike në të gjitha mediat. I kam bërë letër dhe ambasadorëve, dhe ministrit të brendshëm, dhe organeve ligjzbatuese. Unë e kam konceptuar si një mesazh, “mos fol, mbyll gojën”. Kjo për shkak të levave që më erdhën në gojë”, rrëfen ai për gazetën “Dita”.
Elvi përfundon në spital. Politika filloi të ziej duke e cilësuar si agresion që vinte prej saj, ndërsa vetë gazetari doli dhe tha: Kjo që ndodhi nuk ka lidhje me politikën. Ai ishte i bindur që ishte ashtu, siç është edhe sot. Një vit pas kësaj ngjarje, hetimet vazhdojnë me intensitet të vakët. Nuk ka asnjë të arrestuar për këtë ngjarje dhe nuk ka asnjë gjë të re nga hetimet.
Mesa duket dosja ka filluar të dremis në organet e drejtësisë.Fundo, është i vetëdijshëm që në atë periudhë ka publikuar në median e tij online, disa shkrime që kanë të bëjnë me njerëz të pushtetshëm në media.Ndoshta dikujt i ka shkelur në kallo, por kjo nuk do të thotë që drejtësia nuk duhet ta çojë deri në fund këtë çështje.
“Personalisht jam thirrur një apo dy herë në prokurori nga prokurori i çështjes i cili vazhdon punën. Unë kam shkuar vetëm për të kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe asgjë më tepër se kaq.Kur më ka pyetur ku mendon apo dyshon, i kam dhënë dhe emra. Deri më tani dosja është pezull, për mendimin tim është turp që në një vit mos gjenden autorët. Ne kemi një thënie që shteti kur do e kap lepurin me qerre, por është dikush ose një dorë tjetër që e frenon këtë zbardhje. Ndoshta edhe ish-prokurorit të Tiranës nuk i ka interesuar zbardhja për shkak të disa shkrimeve të mija kundër tij”, thotë ai.
Elvi kërkon drejtësi. Për këtë arsye, ditën e djeshme i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kryeprokurores Arta Marku, ndërsa për dijeni i është drejtuar Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Z. Donald Lu, Ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë Znj. Romana Vlahutin dhe Ambasadorit të Prezencës së OSBE në Tiranë, Z. Bernd Borchardt. Gazetari Fundo kërkon mbështetjen e tyre për zbardhjen e ngjarjes duke kërkuar në të njëjtën kohë mobilizim dhe ndërgjegjësimin e organeve kompetente që rasti në fjalë të mos mbetet në errësirë.
“Unë në atë kohë pata publikuar disa shkrime, ku një ka qenë një foto e Erion Veliajt me prokurorin Fusha, ndërkohë që ndaj Veliaj kishte padi. Ishin disa shkrime ndaj ish-deputetit socialist Alfred Peza që është dhe kolegu ynë gazetar. Kam pas shkrime ndaj botuesit të Ora News, Ylli Ndroqi. Këto kanë qenë momentet që kam shkruar në atë kohë, por unë asnjë herë nuk kam drejtuar gisht ndaj tyre. Mund të jetë shfrytëzuar edhe rasti që duke qenë në konflikt me këta persona, ndokush që ka patur hatërmbetje me ndonjë shkrim ose publikim të mëparshëm të ketë bërë këtë agresion për të shfrytëzuar situatën. Nuk e di. Këtë duhet ta zbardh drejtësia” , thekson botuesi i CityNews.
Sa i përket videoskandalit të Salianjit me shtetasen GD, ai thotë: “Në fakt, sa i përket G.D unë kam pasur dyshimet e mija se kush është. Disa media e kanë botuar që është Grida Duma dhe unë kam dyshime dhe disa prova që të çojnë te kjo zonjë, por s’kam dashur të theksoj nëse është ajo apo jo pasi nuk më ka interesuar. Mua më interesonte fakti se si një deputet fliste me gjuhë perverse në karrigen e parlamentit, një deputet që paguhet nga taksat e shqiptarëve. Ky deputet do të duhej të merrej me punë të tjera siç ishte rasti Habilajve që ishte atë ditë temë dite”.