Mimoza Koçiu: Kompleksimi pervers i një proteste qytetare
Të rrallë e unikë mund të kenë qenë ata, që kishin imagjinuar të shihnin një protestë të qytetarëve për veten e tyre, siç ishte rasti i banorëve kuksianë, që më 31 mars reaguan kundër tarifës në Rrugën e Kombit, pa pritur që ndonjë parti t’u printe, a t’u përcaktonte arsyen e protestës. Që qytetarë të ngrihen kundër një vendimi qeveritar, që i dëmton ekonomikisht, kjo është një praktikë që raportohet rëndom në çdo vend demokratik, fatkeqësisht tejet e rrallë në Shqipëri. Pikërisht si e tillë, ajo ia doli të tronditë sigurinë e pushtetit të një kryeministri që pretendonte se “Kjo e ngritjes është “thirri, thirri të të ngrihet, ai i shkreti kokulur s’të përgjigjet dot”. Ngritja ndodhi, e pa një parti nga pas për ta anatemuar, edhe pse kryeministri u rrek jo pak t’ia faturonte opozitës, meqenëse bashkia e Kukësit administrohet nga të djathtët. Ai reagim qytetar u amplifikua përmes mediave e rrjeteve sociale, si një akt i harruar i shqiptarëve, që rendin veç kur i thërrasin partitë, në të kundërt, protestat i zhvendosin në ‘Facebook’.
Kompleksimi që po tentohet t’i bëhet asaj proteste, duke e lexuar si reagim të dhunshëm ndaj modelit të tarifimit të rrugëve, që ndiqet në shumë vende të botës, është më së paku, shenjë e mosreflektimit cinik e djallëzor, të kujt e provokoi atë lloj reagimi, por edhe mercenarizëm i ulët, fatkeqësisht edhe nga njerëz të medias, për t’i bërë jehonë qorrazi, a për interesa krejt të ngushta, hallit të kryeministrit.
Se si mund të justifikohet një tarifë 10 euro vajtje-ardhje, për një banor të zonës, që duhet të kalojë jo vetëm në Kosovë, por thjesht në fshatin përtej, brenda kufirit, ku ka të afërm a një vend pune, apo që do të udhëtojë drejt kryeqytetit, pa një studim të mundësive financiare, pa e konsultuar, pa e informuar, e pa i mundësuar një aks alternativ rrugor pa pagesë, siç është modeli i vendeve, ku aplikohet tarifimi i rrugëve për mirëmbajtje, këtë mund ta dijë vetëm ky kryeministër dhe kushdo tjetër, që po rropatet t’i rregullojë frymëmarrjen, duke recituar avazin e tij, për vandalizëm të asaj proteste.
Ai unifikim kuksian, i demokratëve që nuk e duan Edi Ramën, me socialistët që e përfaqësojnë atë në këshillin bashkiak, ishte realiteti kokëfortë që la pa frymë kryeministrin, që ishte kundër shpërfilljes që u bëri banorëve të asaj zone, pa dallim. Ai gjest i rrallë bashkimi, që bëjnë sikur nuk e shohin mercenarët kryeministrorë, spikati edhe më fort, kur i pari i qeverisë i bëri lanet dhe i përjashtoi nga partia, në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv këshilltarët e vet në Kukës, vetëm se ata, njëlloj si të djathtët, refuzuan të konsideroheshin shifra për të mbushur gropat e asaj rruge, nga një kryeministër për të cilin kanë mbledhur vota në Kukës, e që nuk i llogariti si banorë të një zone të varfër, por u vuri në kurriz, pa e menduar hiç, një barrë jo të lehtë financiare për ta.
Ata banorë, të majtë e të djathtë kishin një javë që ankoheshin në rrugë e rrjete sociale, por askush nuk ua vuri veshin, deri kur u ngritën vetë, për ta derdhur gjithë zhgënjimin për shpërfilljen, fatkeqësisht ndaj investimit privat, i vendosur në kufi, sipas kontratës ligjore me qeverinë.
Në fakt, pa atë reagim, Edi Rama do vazhdonte rehat turin fushatues për të siguruar votat për zgjedhjet e ardhshme vendore, me audienca të përgatitura qytetarësh, që e duartrokisnin pa kushte, bash si në Vlorë, kur i njoftoi se së shpejti do paguajnë tarifë, edhe për rrugë të tjera brenda vendit.
Pa atë protestë, kryeministri nuk do dilte dy ditë radhazi në media, për të tentuar të bënte çka nuk i kishte kaluar ndër mend, informimin e qytetarëve mbi atë tarifë, e duke rrëfyer përmes justifikimeve publike, se nuk e kishte konsideruar situatën e banorëve të asaj zone, para vendosjes së asaj tarife.
Çka ka menduar si zgjidhje, duket një tjetër taktikë për të mos i konsideruar kuksianët. Se si mund të ndahen banorët e asaj zone, në përdorues të shpeshtë a të rrallë të rrugës me pagesë, apo akoma më tej, me cilin kriter matës do provohet se janë përdorues të shpeshtë të asaj rruge, kjo duket nga ato idetë vizionare, që veç kryeministri i kupton. E parashikuar është që kuksianët duhet të paguajnë nga 5 euro një kalim, në 60 ditët e para të hyrjes në fuqi të tarifës, kohë që kryeministrit iu dashka për të kuptuar, se sa prej tyre nuk duhet ta paguajnë atë.
Ky është një shpërdorim krejt i pastër i forcës së pushtetit, që qytetarët i kanë dhënë, edhe pse asgjë e paparë akoma. Politika arrogante e faktit të kryer është një tipar që e ka shoqëruar këtë kryeministër, që ditën e parë që është ulur në atë karrige. Nuk është hera e parë që me mungesë konsiderate e shpërfillje, i detyron qytetarët të dalin në protestë dhe çdo herë, u reciton në transmetim të drejtpërdrejt televiziv, skriptin viktimizues të të pakuptuarit të madh, e të sakrifikuarit misionar në politikë.
Kryeministri e identifikon drejt faktin se për këto tarifa nuk ka reaguar njeri prej 14 muajsh, kur ato janë miratuar e bërë të ditura nga mediat. Por e njëjta logjikë vlen edhe për vetë kryeministrin, që po për 14 muaj, nuk e ka konsideruar mundësinë që, më mirë vonë se kurrë, ta studionte situatën e nevojat e banorëve të Kukësit.
Ndaj është e mjerueshme që e drejta demokratike për protestë krejt qytetare, ndaj shpërfilljes e arbitraritetit, të paraqitet si “injorancë“ ndaj tarifimit të një rruge, pa rrugëzgjidhje: ose paguaj 5 euro një kalim, ose izolohu aty ku je, se rrugë alternative pa pagesë nuk ka! Kjo tarifë vjen për banorët e një zone, ku ndihma ekonomike shkon nga 2300, në 6700 lekë të reja.
Ky është “vizioni“ që e vulos pa pyetur kryeministri në realitetin e Kukësit. Një kryeministër aq “vizionar“, që nuk e dallon se profesionistët po i largohen sistematikisht këtij vendi, e këtu po mbeten e shtohen “të fortët“, ata që gjejnë strehë në këtë lloj politike, ata që sigurojnë vota për të mbajtur e ushtruar pushtet, e jo për të ndërtuar shtet për qytetarët. Me këtë “vizion“ është krejt e natyrshme, që emigrimi i trurit justifikohet si kërkim mundësish të reja, ndërsa halli i pjesës tjetër të qytetarëve, si ai i banorëve të Kukësit, duket i pavend, madje një kaprico që synon të “sabotojë“ ndërtimin e Shqipërisë që duam. Por vjen një moment, kur qytetarët vendosin të ngrihen përkundër pritshmërive të një kryeministri, e pa një parti nga pas. Në atë formë ata shkaktojnë panik, që reflektohet me terror policor në errësirë, por edhe solidaritet të gjerë qytetar, pavarësisht numrave të dukshëm në Kukës a Tiranë. Solidarizimi me banorët e Kukësit nuk është refuzim për të paguar tarifa rrugore, siç djallëzisht paraqitet. Eshtë reagim ndaj qeverisjes arrogante, që prioritet ka rritjen e barrës fiskale, jo mirëmenaxhimin e taksave që mbledh. Eshtë shenjë se politika shpërfillëse “hajt se folim“, nuk mund të ngjisë më, e se qytetarët merren në konsideratë vetëm kur ngrihen në protestë.