Albspirit

Media/News/Publishing

 Reshat  Kripa: Replikë me një “historian”

 

 

 

 

Para disa ditësh duke ndjekur emisionin “Arena” në kanalin televiziv “Ora News”, drejtuar nga Dritan Hila, ndjeva neveri kur dëgjova nje të ashtuquajtur historian, studjues dhe akademik, të cilit nuk ia vlen as t’i përmendësh emrin, laureuar në universitetet e njohura të Romës dhe Këlnit, në kuadrin e një bisede lidhur me kampet dhe burgjet gjatë periudhës së regjimit komunist të shprehet, në mënyrë të veçantë me kampin famëkeq të internimit të Tepelenës gjatë periudhës 1949-1954:

“Kampit i Tepelenës ishte ndoshta kampi më i mirë”.

Dhe të vazhdonte më tej:

“Këta që e kanë promovuar çështjen e këtij kampi, ku është angazhuar edhe Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tepelenës, e kanë quajtur Aushvici shqiptar, kampi i shfarosjes në masë. Po ta dëgjojnë lobet çifute do të tmerrohen, sepse është një banalizim”.

Ndërsa kur e pyetën nëse ka patur një numër të vdekurish në kamp, përgjigja e tij ishte skandaloze:

“Absolutisht jo!”

Një përgjigje e një njeriu cinik që njollos emrin e një personaliteti që e quan veten në majat e inteligjencës shqiptare.

Një gjë e tillë më shtyri të lexoj materialin e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ku Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Mara Sula, ka publikuar një material historik mbi kampin e Tepelenës, përgatitur me 13 mars 2018 nga Qendra e Studimeve Albanologjike.Në të thuhet:

“Tepelena është kampi i cili mbeti në mendjen e atyre që patën fatkeqësinë për të jetuar në të. Tepelena mbahet mend për kushtet tejet të vështira të jetesës dhe mungesën e theksuar të ushqimit, për mungesën e theksuar të higjienës, për punën tejet të rëndë që burrat, gratë dhe fëmijët mbi moshën 12 vjeç ishin të detyruar të zhvillonin.

Tepelena mbeti në kujtesën e njerëzve, pasi për shkak të këtyre kushteve të vështira, pati raste të shumta vdekjesh, sidomos në mosha të reja.Ndonëse dokumentet janë të pakta, ato tregojnë që gjatë viteve 1949-1950, lajmërohet për raste vdekjesh nga dizenteria.Ndërkohë që nga muaji tetor 1950 deri në dhjetor të po atij viti numri i fëmijëve është zvogëluar me 285 vetë, fenomen i cili nuk haset në kampe të tjera të ngjashme”.

Ndërsa më poshtë:

“Në mënyrë që e kaluara të mos harrohet dhe të shërbejë për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar në baza më solide të ardhmen, shqiptarët kanë nevojë për të pasur disa vende të kujtesës, si: institucione burgimesh, internimesh etj. Sa i takon sistemit të internim-dëbimeve, kampi i Tepelenës do të ishte ideal si vend kujtese për disa arsye:

1. Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerëzore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës në Kampin e Tepelenës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim.

2. Ai pasqyron më së miri tipologjinë e kampeve të rrethuara me tela me gjemba, të cilat nuk kanë qenë fenomen i përhapur në Lindjen Komuniste dhe mund të krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë”

Atëherë më thoni të nderuar lexues, cilin dua të besojë unë, pseudohistorianin nostalgjik të së kaluarës apo institucionin shtetëror të ngritur posaçërisht për këto çështje nga Kuvendi i Shqipërisë?

Le të shohim tani disa raste konkrete të treguara nga njerëz që kanë vuajtur në atë kamp.

Po transferoheshin nga kampi i Beratit për në Tepelenë. Në afërsi të Përmetit, befas njëra nga makinat frenoi papritur. Njerëzit që ishin ngjeshur sipër fluturuan dhe ranë në greminë. Shumë u plagosën, Por Fadil Petrela dhe e shoqja Xhumaja, bija e Abaz Kupit, nuk u ngritën më. Në gjirin e Xhumasë qëndronte e shtrënguar fort fëmija gjashtë muajshe që nëna e kishte mbështjellë rreth vetes për ta mbrojtur. Fëmija shpëtoi mrekullisht së bashku me tre motrat dhe vëllezërit e saj, më i madhi i të cilëve   nuk  i  kishte  mbushur  të  dhjetë  vjetët.  Ishin  të internuarit që u kujdesën për rritjen e jetimëve.

Helena Beça, një franceze, e shoqja e Andon Beças, dëgjoi emrin e saj që e thërrisnin. Përgjegjësi i thotë se do të shkonin të ngarkonin dru në krah.  Ajo e habitur i përgjigjet me një shqipe gjysmake:

– Pse mba dru nieri? Dru mba kala.

Kapter Selfua e dëgjoi, e rrëmbeu dhe filloi ta godasë ku të mundte. Shoqet e ngritën dhe e tërhoqën zvarrë deri në vendin e punës. Kështu vazhdoi disa ditë deri sa i mbaruan fuqitë. Ra pa ndjenja në tokë. E shtruan në infermieri ku mjeku i qytetit që i vizitonte, Lluka Dhimolea, i sajoi një diagnozë falso dhe e nisi për në spitalin e Gjirokastrës. Mjekët e atjeshëm e kuptuan diagnozën, por heshtën. U vinte keq për francezen e ngratë. As që u shkonte ndër mend se mund të trajtohej ashtu njeriu. Helena qëndroi e shtruar deri sa e mori veten mirë dhe pastaj u kthye përsëri në kamp.

Trasportoheshin shtylla për në minierën e Memaliajt. Trasporti bëhej nëpërmjet lumit të Bënçës. Ishte dimër. Çdo gjë kishte ngrirë akull. Disa trungje kishin ngecur  pa  rënë  në  lumë.

Reshter Kamberi i drejtohet Kec Grimcit pesëdhjetëvjeçar:

– Hej ti që më rri si hu gardhi, shtyji ato trungje.

Keci mori një degë druri dhe u mundua të shtynte trungjet. Reshteri nuk priti por e shtyu dhe e hodhi në lumë. Keci u drodh nga të ftohtit dhe në pak minuta mbeti i ngrirë me duart përpjetë. Shokët e kapën dhe e nxorrën nga lumi. Ashtu të ngrirë e çuan në kuzhinë ku u munduan që nga nxehtësia e ambjentit të atjeshëm ta sillnin në vete. Pak nga pak filloi të shkrijë dhe arriti t’u thotë shokëve:

– Mos harroni racionin tim të bukës!

Një nënë mirditore vajtonte mbi kufomën e birit  të  vdekur gjatë natës. Pranë saj qëndronte edhe binjaku tjetër që qante me ngashërim. Pas pak ai pushoi. Nëna e pa, i lëvizi kokën dhe befas lëshoi një ulërimë ngjethëse. I kishte vdekur edhe binjaku tjetër. Shoqet u munduan ta qetësonin. Por vajtimi i saj shponte edhe qiellin. Herë qante dhe papritur fillonte të qeshte dhe përsëri të qante. E mjera ishte çmendur.

Si mund të besohet për Shega Frashërin që do të rezistonte për disa ditë e varur për duarsh në tavan, në mënyrë të atillë që vetëm pak majat e gishtërinjve të këmbës t’i preknin tokën? Dhe kjo bëhej me qëllimin e vetëm se torturuesi donte të provonte se sa do të mund të rezistonte një femër në kondita të tilla.

Në kamp kishte edhe disa të huaj. Midis tyre edhe një italian, një ushtarak i zoti i quajtur Mario Verdi. Një ditë kur dikush e pyeti nëse do t’i shkruante ndonjë ditë këto tmerre, ai u përgjigj:

– E para nuk e di nëse do të mund të kthehem gjallë apo jo. Por edhe po u ktheva nuk do t’i shkruaj sepse nuk do të më besojnë, do të më quajnë gënjeshtar.

Dhe këto fjalë i thoshte një person që i përkiste atij kombi që kishte provuar mbi shpinën e tij diktaturën fashiste.

Në kushtetutat e disa ish-vendeve socialiste të Europës Lindore ka një nen të posaçëm ku thuhet:

“Refuzimi publik, vënia në dyshim ose degradimi i faktit të genocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit, të kryera nga regjimet kombëtare socialiste dhe komuniste – është një vepër penale”.

Por, për fat të keq, në kushtetutën shqiptare ky nen nuk ekziston, ndaj ndihen ende zëra që përpiqen ta idealizojnë atë periudhë, ndaj në disa ekrane televizive shfaqen ende filma ku figura e diktatorit hymnizohet, ndaj nëpër institucione shtetërore vazhdojnë të qëndrojnë ende simbole të realizmit socialist të dështuar si për shembull mozaiku në Muzeun Historik Kombëtar, ndaj në përmendoren e varrezave të dëshmorëve të kombit, ku prehen edhe ata qëi vrau diktatura, vazhdon të “shndrisë” ylli i kuq i komunizmit qëi vrau ata.

Në Rezolutën 1481 (25 janar 2006) “Nevoja për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, nënshkruar edhe nga delegacioni ynë, në pikën 7 thuhet:

“Asamblea është e bindur që njohja e historisëështë një nga parakushtet e shmangies së kryerjes së krimeve në të ardhmen. Për më tepër, vlerësimi  moral dhe ndëshkimi i krimeve të kryera luan një rol të rëndësishjëm në edukimin e brezave të rinj. Pozicionimi i qartëi bashkësisë ndërkombëtare mbi të kaluarën mund të jetë pikë referimi për të ardhmen”.

Ndërsa në pikën 8 vazhdon:

“Asamblea beson që viktimat e atyre krimeve  që u realizuan nga regjimet komuniste dhe që janë ende gjallë, apo familjet e tyre, meritojne simpati, mirëkuptimdhe mirënjhje për vuajtjet e pësuara”.

Lidhur me sa më sipër edhe Kuvendi i Shqipërisë miratoi një rezolutë në mbështetje të asaj të mësipërmes në tetor 2006, miratim në të cilin deputetët socialist, sipas urdhërit të kreut të tyre, dolën nga salla. Për deri më sot, mbi 11 vjet nga miratimi i saj, pothuajse nuk është zbatuar asnjë pikë.Përse?

Tani le të them edhe dy fjalë për veten time se ndoshta “historiani” do të dijë se kush jam dhe për këtë ju kërkoj ndjesë lexuesve të tjerë.

Jam arrestuar më 24 maj 1951 si pjestar i një grupi antikomunist që shpërndante trakte në qytet.Doni të dini edhe përmbajtjen e trakteve? Po ju citoj vetëm njerin:

“Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!

Le të sulemi në ballë të luftës që të na drithtërohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet   shpirti   nga   zjarri  i  shenjtë  i  Lirisë  dhe  le  të  vdesim  duke  thërritur: RROFTË SHQIPËRIA!”

Ishim tre shokë, të tre nxënës të klasës së parë të gjimnazit të Vlorës, të tre të moshës 15 vjeçare, por komunizmi nuk pyeste për moshë. Ashtu si shumë të tjerë qëi internoi nëpër kampet e ndryshme apo i mbylli në qelitë e errëta të sigurimit, ishim të detyruar të degdiseshim kampeve të punës së detyruar, ku tmerre të tjera do të na shihnin sytë. Më lejoni dy raste të tilla:

Janari i acartë i  vitit 1955 në kampin e Bulqizës. Me urdher të togerit katil, Ademit Pali, një djalosh 17 vjeçar jep shpirt i lidhur me tela me gjemba në një shtyllë telefoni, vetëm e vetëm sepse nuk kishte mundur të plotësonte normen e punës.

Kampi i Shtyllasit. Po me urdhër të këtij togeri, Sulejman Dizdari mbulohet i gjallë me dhe pasi nuk kishte mundësi të punonte sepse kishte temperaturë të lartë. Ishte vetëm mrekullia e doktorit të paharruar Isuf Hysenbegasi që e shpëtoi kur e çuam nëmbrëmje  në krah në kamp. Ja edhe disa vargje të një poezie qëi kushtoi miku i tij Allaman Hysa:

“Ty të mbuluan dje,

Atje në Myzeqe,

Të gjallë në një fushë,

Me dhe, o vëlla, me dhe!”

Nuk kisha shumë të dhëna për jetën e “historianit” të sipërpërmendur. Për këtë hapa faqen e tij në “Google” dhe lexoj:

“Lindi në vitin 1951, në DurrësShqipëri, është historian, studiues dhe akademik. Përfundoi studimet në vitin 1977 në fushën e gjuhëve klasike, të historisë e arkeologjisë, në Universitetin e Romës. Në vitet 1991-1992, zhvilloi studime të thelluara në Universitetin e Këlnit (Gjermani) si bursist i Fondacionit “Humboldt”. Pasi punoi në Institutin e Historisë për 15 vjet, në vitin 1997, u punësua në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si Drejtor i Departamentit të Ballkanit, më pas zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe më në fund Ambasador i Shqipërisë në Romë. Ka botuar shume vepra brenda dhe jashtë vendit në fushën e historisë së Shqipërisë dhe asaj ballkanike.”

Të them të drejtën u çudita dhe pyeta veten:

– Si ka mundësi që për një figurë kaq të dëgjuar të ketë vetem shtatë rreshta?

Por ajo që më çuditi më tepër ishte se përse nuk kishte asnjë rresht për aktivitetin e tij nga viti 1977, kur mbaroi studimet, deri në vitin 1991?Ku ka punuar?Çfarë aktiviteti ka patur?A ka ndonjë faqe të errët në historinë e këtyre viteve?Kush të mundet le të më përgjigjet.

Nisur nga sa shkruajta më sipër para syve më dalin vargjet e pavdekshme të poetit të shquar Ali Asllani të cilat duket sikur i ka shkruar pikërisht për ditët në të cilat jetojmë ne:

“Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
Hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;                                                                    ————————————————

Koha është vërtetë e maskarenjve,

Por Shqipëria është e shqiptarëve.”

Unë jam i bindur se do të vijë dita që Shqipëria të jetë e shqiptarëve të vërtetë. Një miku im më ka thënë një fjalë që nuk më hiqet nga mendja: Shqipëria do të bëhet kur ta marrin në dorë fëmijtë e atyre prindërve që kanë lindur pas vitit 1991. Kjo ditë do të vijë, nëse do të jemi gjallë apo jo ne dhe brezi ynë. Për këtë jam i bindur.

 

Please follow and like us: