Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Fushë, fushë e vjeshtës

 

 

 

Në vjeshtën e misrit dhe të pambukut
Më udhëtohet në këmbë herët në mëngjeset e vlagta:

Plepa, o plepa të mirë
Roje të shtëpive fshehur në kallam e në misër e në mugëtirë.

Dhe rrugët, të përdredhurat rrugë mbi fushën e vjeshtës,
Ku fruti i pjekur mirë përkul degën e pemës,
ku pambuk e misër vjelim nga nata në natë…
dhe vera që më dhimbset,
mbështjellë tej, në një skaj nën mullarët e artë…

Po përse më pëlqen të eci, të sodis anën e lumit, s’e di as vetë.
(Të bëhet; lumi rrjedh në pambarim, sikur s’ka as burim as det)
A, ndoshta se aty në brigjet me shelgje e kam rrokur unë
Përse njerëzit thonë : “.. ka rrjedhur shumë ujë në lumë”.

Po, po.. se ujërat rrodhën dhe mbi vitet e mia,
Një ditë na lë vjeshta, fusha,
Shfaqen të përpjetat, monopatet me mijëra.
Ndaj kur vjen vjeshta, mbas fushës jepem i tëri
Si mbas një të dashure bujare që e prisnim dhe na erdhi.

Fushë, fushë e vjeshtës! Mos nga thellësirat e gjireve të lumit
mbi brigjet me shelgje dole ti ndonjë natë
Si një grigjë pjellore lopësh të arta me qumësht të begatë?

Nga libri “Rënjët”, 1972

Please follow and like us: