Albspirit

Media/News/Publishing

Sali Bashota & Milazim Krasniqi: In memoriam Basri Çapriqi

 

Është mbresëlënëse kjo dashuri kolegësh, poetësh e profesorësh të Universitetit të Prishtinës. Milazim Krasniqi dhe Sali Bashota përjetësojnë me poezi mikun dhe kolegun e tyre të Universitetit, Basri Çapriqi që disa muaj më parë u nga nga jeta në moshën 58-vjeçare.

 

Image result for sali bashota

S’KE ME DALË NGA PARAJSA

(Mikut e poetit Basri Çapriqit)

 

Nuk ke me ikë kurrë më nga pika e ujit

As kur çmenden valët e detit

Asnjë pulëbardhë nuk do ta bartë mbi shpinë

Ëndrrën trishtuese të natës

Matanë vetmisë e këndej pikëllimit

Nuk ke me ikë kurrë më nga gjuha e zjarrit

Asnjë bimë e egër

Nuk do të thahet nga kripa e lotëve

Në asnjë stinë të vitit

As kur piqen e bien në tokë ullinjtë

Në ullishtat e Krythës së Ulqinit

As kur shtegtarët presin me dritë ndezur

Buzë gjirit të qetësisë

Se vetëm gjumi ty të ka zënë

Duke prekur dhimbjen mbi barin e fjetur

Nuk ke me ikë kurrë më nga vetmia e stuhisë

Shpirti yt pushon i qetë në tokën e Prishtinës

Në krahun e djathtë të Ali Podrimjes

Të dy u lexoni poezi të amshuarve

Poetët nuk vdesin më pate thënë

Kur u takuam për herë të parë

Në amfiteatrin e Fakultetit Filozofik

Atëbotë secila ëndërr e kishte ankthin e vet

Nuk ke me ikë kurrë më në fund të udhëtimit

Asnjë ditë nuk do t’i ngjajë durimit tënd

Në fillim të vjeshtës kur i shkundnim ullinjtë

Që na piknin çdo ditë mbi kokë

Për Zotin më vete e merrnim çastin e parë të lumturisë

Këndej dashurisë e matanë qirinjve të fikur

Ti njëmend thoshe të qërohen trangujt

Se na plasi inati për lëvozhgën e fatit të tyre

Të mos na zihet fryma nga liria

As të dielen kur lëshove ofshamën tënde të fundit

Nuk ke me ikë kurrë më nga zemërimi i shiut

Teksa zbrazej dhoma nga e fryma e thatë

Dhe të fluturonin të gjitha dallëndyshet

Si nëpër det si nëpër tokë si nëpër qiell

Ti po nisesh këmbë në mbrëmjen poetike

Në Kullën e Balshajve

Pa trembur asnjë zog të bardhë

Në jastëkun me pupla të zeza

Pa trembur asnjë flutur në dhomë

Një ditë para ditëlindjes tënde

Prapë pëshpërite poetët nuk vdesin

Për herë të fundit në kafenenë Simfoni

Sikur ta dinim se nuk ke me dalë nga parajsa

 

Sali Bashota

2 prill 2018

 

Image result for milazim krasniqi

EDHE KALATË BIEN

(Sonet për mikun e poetin Basri Çapriqin)

 

Ku t’u tret ajo dashni e madhe për jeten,

Hoqe dorë si prej një çaji të ftohur.

Të mbeten veç ëndrrat, si pamjet që mbeten

Kur udhëton me tren një visi t’panjohur.

 

Të njihja më të fortë, kala të Ulqinit,

Kur të pashë duke u dridhur si ferishte,

Teksa kaluam gjashtë rrathët e shpëtimit

Të veshur bardhësi në Mekën e ndritshme.

 

Po edhe kalatë bien, i dorëzohen gjëmës,

Kur u vjen koha të shndërrohen në tuma,

Në një aso fatthëne nuk mjafton përpjekja.

 

Në varrim e kuptova se ti i ngjaje nënës,

Ngrinte buzë varrit e thyer si Ajkuna,

Më enigmë se jeta, më mister se vdekja.

 

Milazim KRASNIQI

24 shkurt 2018

Please follow and like us: