Albspirit

Media/News/Publishing

Chris Patten: Një pranverë e rrezikshme e Trumpit

Shpërfillja e vlerave demokratike liberale nga Donald Trump po dobëson shtyllat institucionale të rendit botëror që vetë SHBA ka udhëhequr prej kohësh. Vetëm nëse demokracitë e tjera të botës bashkëpunojnë për të marrë situatën në kontroll, mund të shpresojmë se komuniteti ndërkombëtar do të rezistojë deri në rikthimin e një lidershipi amerikan më të përgjegjshëm.

Është pranverë në Hemisferën Veriore. Lulet po fillojnë të lulëzojnë, teksa dielli shndrit dhe çdo ditë është më e gjatë. Në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare, megjithatë, panorama nuk është e lulëzuar.

Në Lindjen e Mesme, Izraeli ka kërcënuar veprime ushtarake ndaj Sirisë dhe Iranit. Arabia Saudite po sfidon Iranin në një përpjekje për të kufizuar rritjen e ndikimit të vendit në rajon. Në Egjipt, presidenti Abdel Fattah el-Sisi ka forcuar zgripin e vet të pushtetit, përfshirë përdorimin e ushtrisë për të luftuar kundërshtarët politikë dhe sapo ka siguruar një fitore elektorale false. (Nuk do ta mësojnë ndonjëherë ushtarët arabë se diktatura e rrit fundamentalizmin islamik dhe promovon destabilitet?
Por ky trend është i lirë në Lindjen e Mesme. Presidenti Vladimir Putin sapo ka marrë një fitore elektorale të garantuar, pjesërisht falë përdorimit të shërbimeve sekrete dhe miqve të tij në mafian ruse për të eleminuar çdo kërcënim të mundshëm ndaj regjimit të tij. Por Kremlini nuk u mjaftua me dëmtimin e shtetit të vet me gangterizëm plutokratik; po punon gjithashtu për të penguar proceset demokratike gjetkë.
Pastaj është Kina, ku presidenti Xi Jinping ka forcuar pozicionin e vet duke u bërë lideri më dominant që nga Mao Ceduni. Tani që kufizimet në mandate të prezantuara nga Deng Xiaoping për të mbrojtur vendin nga një tjetër diktaturë e një personi kanë rënë, dinastia e ardhshme komuniste bie mbi shpatullat e një lideri suprem.
Dhe Shtetet e Bashkuara, vendi që dikur lidhej me lidershipin e botës së lirë, tani po përballet me perspektiva të zymta. Nën liderët si Harry Truman, Dëight Eisenhower, George H.W. Bush, John F. Kennedy, and Barack Obama, vendi e formësoi sistemin ndërkombëtar për mirë. Tani, Donald Trump – injorant, me paragjykime, mashtrues, gënjeshtar dhe amoral siç është – po e shkatërron këtë trashëgimi.
Kur Trump u zgjodh fillimisht, disa sugjeruan se ai do të mësonte gjërat e nevojshme. Duke lënë pas fushatën, kokë më të ftohta dhe këshilltarë më të mençur do ta përmbanin dhe në mënyrë të pashmangshme ai do të mësonte si funksionon qeveria amerikane. Ai optimizëm ishte i gabuar.
Në vitin e dytë në detyrë, Trump po sillet edhe më keq nga ç’mund të mendohej, duke hequr pa ceremoni këshilltarë dhe zyrtarë të tjerë si ta ketë humorin. Së fundmi, ai zëvendësoi Rex Tillerson – i parë shpesh si një nga “të rriturit në dhomë” që do të mbronte SHBA-në dhe botën nga instinktet më të këqija të Trump – me ish-drejtorin e CIA, Mike Pompeo si Sekretar Shteti.
Edhe më keq, Trump ka zëvendësuar ish-këshilltarin e sigurisë gjeneralin H.R. McMaster me John Bolton – zyrtarin e politikës së jashtme me mbase pikëpamjet më të rrezikshme në botën perëndimore. Bolton është i përkushtuar ndaj “Amerika e para” dhe konsiderohet një bandit burokratik i aftë të eliminojë kundërshtarët.
Më rrezikshëm akoma, Bolton është fanatik i politikës së jashtme, fajkoji që i ha të gjithë të tjerët. Ndër ata që mbështetën më shumë pushtimin e Irakut nga Amerika, Bolton duket se mendon se virtualisht çdo problem meriton një përgjigje ushtarake dhe Irani (atje ku ai ka propozuar vazhdimisht ndryshim regjimi me forcë) nuk bën përjashtim. Pritshmëria e vetme e atij rezultati ka rritur tashmë çmimet e naftës – një tjetër dhuratë e Trump për Putin.
Gjërat nuk janë më mirë në frontin ekonomik. Tani që Trump ka mbushur ekipin e tij ekonomik me nacionalistë, proteksionizmi i premtuar prej kohësh nga ai po bëhet një realitet. Sigurisht, Trump nuk bën keq që përballet me Kinën në vjedhjen e pronës intelektuale dhe në merkantilizmin flagrant. Ç’ka është e gabuar, është qasja e tij: në vend që të rekrutojë aleatë si Japonia dhe Bashkimi Europian për t’i ushtruar presion Kinës, ai ka zemëruar miqtë dhe armiqtë me tarifat e njëanshme dhe kufizimet e tjera të keqmenduara, të cilat sjellin rrezik për një luftë tregtare që do të dëmtonte këdo.
Nuk është çudi që sjellja e Trump ka gërryer shpejt lidershipin global amerikan teksa shpërfillja e tij për vlerat e demokracisë liberale ka dobësuar shtyllat institucionale të rendit botëror që SHBA vetë ka udhëhequr. Një mënyrë për të penguar këtë rënie është duke ndërmarrë veprime pjesa tjetër e demokracive liberale të botës – në Europë, Azi dhe Komonuelth.
Si fillim, këto vende duhet të lëvizin urgjent për të mbrojtur tregtinë e lirë dhe tregjet e hapura. Duke punuar me Organizatën Botërore të Tregtisë, ata duhet të ndërmarrin një përpjekje të koordinuar për të mos lejuar abuzime nga Kina dhe SHBA.
Për më tepër, këto vende duhet të punojnë për të fortifikuar sundimin ndërkombëtar të ligjit – një koncept që e bën Bolton të kërkojë armën – duke u zotuar në forcimin e Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo nënkupton ruajtje të parimeve që kanë ndihmuar paqen dhe begatinë që nga vitet 1950, përfshirë duke mbështetur marrëveshjen bërthamore të Iranit, për sa kohë vendi vazhdon të përmbushë premtimet e veta dhe të ndjekë një zgjidhje paqësore të krizës në Korenë e Veriut.
Teksa Trump dhe ekipi i tij hartojnë një politikë dëmtuese pas tjetrës, demokracitë e tjera të botës duhet të përgjigjen efektivisht dhe në bashkëpunim. Vetëm atëherë mundet komuniteti ndërkombëtar të ruhet derisa të kthehet një lidership amerikan më i përgjegjshëm./Project Syndicate/

Please follow and like us: