Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Miranda Içi

Unë ende s’kam lindur

Jam pika e mpiksur e gjakut,
në këmbën e vrarë të nënës sime.
E plasura e pambyllur mbi buzën e babait.
Kallua në pëllëmbën e dorës së tij të majtë.
Supi që i mungoi kokës së lodhur të vëllait.
Trau i nxirë në shtëpinë e gjyshit,
për emrin që nuk trashëgova.
Jam limfa e barkut që s’desh të marr frymë.
Klithma e tokës përdhosur nga barbarë, jam.
Lule e tharë, për të kënaqur egoizmin e një femre meskine.
Rreze dielli ngecur në kurth merimage.
Unë nuk desha të lind.
Unë s’kam lindur ende.

 

Biblike

Digju botë mëkatare.
Sodomë e Gomorrë
për sytë e Zotit.
Statujë kripe.
Me kokën pas
dhe shpresën
tek e nesërmja
për sytë Lotit.

 

Tani
Jemi dy trupa qiellorë
pa tërheqje magnetike.
Galaktika me diej të mardhur.
Të huaj krejt.
Asnjë aritmi nuk e zgjon zemrën,
kur dëgjoj emrin tënd.
Magmë e ngrirë dhe kujtimi i ditëve të bukura.
Ç’ishte për t’u thënë u tha.
Veç lamtumira mbeti.
Ndjesë pastë ajo ç’ka qe.
Ndjesë pastë ajo që s’ngeli.

Please follow and like us: