Izet SHEHU: Në zërin tim
Në zërin tim
Flenë rrezet e diellit,
Përkunden lulet plot aromë të fushës,
Kërcasin degët e thyera të shelgut,
Dridhen gjethet e brishta të gëmushës.
Në zërin tim
Përkëdhel puhiz’ e detit,
Cicërin dallëndyshja gazmore,
Duartrokasin gjethet e plepit,
Blegërijnë qingjat mbi bregore.
Në zërin tim
Përflaket një parfum bliri,
Fërfërijnë fluturat e borës e të pranverës,
Klithin dimrat e hidhur si pelini,
Bulon një filiz shprese pas frymës së erës.
Në zërin tim,
Jehon thirrja e pyllit të prerë,
Ulurima e ujkut që ngjyros erën,
Çarja e plisit të zi të reve.
Ankimi i trungut të gjymtuar prej rrufeve.
Please follow and like us: