Luan Rama: Omeri lutet
Omeri «lutet» çdo dite
në ritin piktural ballë kavaletit
suretet e tij janë tablo, koka
dervishë që kanë pirë verë në tryezën e tij të drunjtë,
fqinjët poshtë ndjejnë këmbët e tyre që rrahin,
atelieri i ngjan një skene hyjnore,
një copëz qielli tej xhamit,
veç një këmbë me një çorape nderet në tavan,
koka e Jezusë e shikon paqësisht nga një ikonë ortodokse,
bariu në miniaturë ka kohë që fle mbi oxhak,
«ney» kumbon dhe shpërndahet me hare tej dritares,
Omeri lutet i përkulur mbi paletë,
me spatulën e tij rrëmben pak të zezë,
pastaj të gjelbërt të zezë okër
dhe dansi bektashi vazhdon gjer në ag
«Ne jemi vetë Zoti», thonë dervishët
«sepse Zoti është brenda nesh»,
pastaj ata braktisin tablotë në korniza
dhe sillen rreth atelierit në ekstazën e tyre,
në vorbullën mistike që ngrihet lart,
kushedi në ç’qiell,
Omeri lutet gjithnjë me heshtjen e tij proverbiale
me spatulën e tij në atë dorë ngritur
si një muzikant popullor ardhur nga rruga e gjatë e Konjas
kështu, nga mbrëmja në ag,
Omeri lutet bashkë me dervishët e tij
që krijohen nga paleta e tij e zjarrtë…