Rama tërhiqet për taksën e Rrugës së Kombit: Na mungoi intuita
Kryeministri Rama është tërhequr pas nga vendimi i tij për të mos negociuar me konsecionarin për rishikimin e pagesës së takës në Rrugën e Kombit për banorët e zonës.
Rama i ka kërkuar ndjesë këtyre të fundit, me arsyen se qeverisë së tij i ka munguar intuita siç e thksoi ai për të dhënë sqarimet dhe shpjegimet për një vendimmarrje të tillë.
Megjithatë, kryeministri premtoi se pagesa e tarifave në këtë aks rrugor nuk do të fillojë deri sa të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme.
“Opozita e ka humbur rrugën dhe kërkon që të tërheqë sa më shumë njerëz në rrugën e tyre pa krye, por unë do merrem me atë që është detyra jonë e ditës; shpjegimi me durim i çështjes që ka krijuar pakënaqësi të ligjshme të banorëve të zonës së Kukësit, – tha Rama nga foltorja e Kuvendit, ku në sallë mungonte opozita. – Ajo që duhet përsëritur nga ana e qeverisë, është vetëdija për përgjegjësinë time dhe tonën për pamjaftueshmërinë e shpjegimeve dhe sqarimeve lidhur me këtë çështje”.
Sipas tij, qeveria nuk ka bërë sa duhet, “jo sepse kemi qenë indiferent apo kemi lënë në harresë impaktin negativ që me të drejtë ka shkaktuar kështu siç është paraqitur dhe manipuluar nga katër anët vendosja e pagesës në shpirtrat e mendjet e njerëzve të zonës, por thjesht sepse nuk kemi pasur intuitën e duhur për të kuptuar domosdoshmërinë e sqarimit të gjithë kësaj çështjeje, para se të vendosej sistemi i pagesës”.
Rama dha edhe arsyet pse qeveria nuk ka dhënë shpjegime dhe pse nuk ka pasur intuitën e duhur për këtë çështje. “Pse kemi përgjegjësi unë i pari, qeveria, për akumulimin e kësaj pakënaqësie? Sepse, u kam kërkuar ndjesë publike banorëve të zonës dhe do ua kërkoj deri në fund sa herë të flas për këtë temë, por i nisur thjesht nga praktika ndërkombëtare dhe duke qenë një përvojë e parë, nuk ishim të papërgatitur për çfarë mund të krijonte një risi e tillë nga pikëpamja psikologjike për njerëzit e painformuar sa duhet”, – shtoi ai mes të tjerash.
Rama theksoi se “në praktikën ndërkombëtare kërkohet 6 muaj për të nxjerrë të gjitha të dhënat e nevojshme dhe për të trajtuar me një sistem të veçantë pagese përdoruesit e shpeshtë që në këtë rast janë banorët e zonës. Në fund të shkurtit, me ministrat Gjiknurin e Ahmetaj, kërkova nisjen e diskutimit për të adresuar pikërisht këtë aspekt. Ne, nuk do të fillojmë sistemin e pagesës pa dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë.