Albspirit

Media/News/Publishing

Mendime rreth librit poetik “Kur lëndohet zemra e poetit”

Albert Z. ZHOLI

“Kur lexon për herë të parë një libër të mirë sikur ke fituar një mik të madh të shpirtit; po ta rilexosh, sikur je takuar përsëri me mikun e vjetër. Kur sa mbaron së lexuari sikur ndahesh prej mikut me të cilin nuk e di në se do të takohesh përsëri. – Thotë një thënie kineze. Kur një libër ju pëlqen gjithnjë e më tepër me kalimin e viteve, kjo është shenjë e sigurt se ai është i mirë. – G. Lihtenberg. Kur s’ke fqinjë me mend, atëherë bisedo me librin, pasi leximi e bën njeriun të qartë, më të përpiktë – Kur mora dhe fillova të lexoj librin e parë të autores Anila Karapidu më erdhën menjëherë ndër mend këto fjalë të urta. Dhe pse autorja ka filluar të krijojë që në rini, e pa të arsyeshme të botonte shumë vonë dhe pse në arkivin e saj ka me qindra poezi të cilat flakërojnë brenda saj për të gjetur udhën e botimit. Libri i parë me poezi të zgjedhura “Kur lëndohet zemra e poetit” Anila Karapidu përbën një hap të rëndësishëm në jetën e saj si krijuese, pasi dhe pse vite të tëra që shkruan ajo tashmë ballafaqohet me lexuesin me një vepër, me një libër që i përcjell përgjegjësi dhe ankth. Nën trysninë e pritjes së mendimit të lexuesit, Anila Karapidu shkruan ende, me kërshërinë e pritjes së mendimeve për librin e parë, ndërsa unë që e kam në dorë këtë libër them me bindje, që krijesa e Anila Karapidu është delikate, nazike, por tepër bindëse që ka hedhur një hap të sigurt në tregun e madh të librave poetik.  Për vite të tëra, kur në sirtar gëlojnë me qindra poezi, Anila përzgjodhi poezitë që ju dukën më koherente, më të plotësuara, më me mesazh, më me ide dhe nivel artistik. Duke rrëshqitur lehtazi në poezitë e saj, mendoj se ajo e ka justifikuar plotësisht përzgjedhjen dhe hedhjen e hapit për botim. Në poezitë e saj valëzon jeta, dallgëzojnë ëndrra mërgimtare, lulëzon mendimi progresiv, triumfon dashuria, kurorëzohet mendimi i pastër jetësor, kritikohet intriga, edukohet falja, qëmtohen dhimbjet shpirtërore, kalitet vullneti, forcohet atdhedashuria, kripëzohet dredhia, ëmbëlsohet paqja, shkumëzohet pabesia dhe kërkohet lumturia. Një vargëzim i gjerë dhe i ngjeshur me figuracion, krahasim, ku jeta shpaloset qartazi me të gjitha ngjyrat e saj pa asnjë deduksion paraprak. Në poezi Anila është vetvetja, e thjeshtë, punëtore, kërkuese, selektive por edhe këmbëngulëse në arritjen e objektivit. Nuk paragjykon, po as nënshtron, ajo e përcjell vargun me ndjeshmëri femre, paçka se diku dhe intriga qëndron si medaljon i së keqes për ndrydhshmëri lirie. Shpirti i saj poetik rrjedh paqshëm si valëdeti në mëngjeset pranverore, apo frymon si puhiza detare në pragmbrëmjet verore. Tek libri “Kur lëndohet zemra e poetit”  poezia e Anilës ka hapësirë, dritë, ndriçim, diell, kontakt me njerëzit, bashkëbisedim me veten, dialog me idetë, mendimet, shkundje ndjenjash, atmosferë, shikim në sy. Titulli romantik por dhe sugjesticionues. Një udhëtim, kështu është jeta. Një udhëtim nga një cep të botës në një cep tjetër. Jetës i dihet stacioni fillimit të saj, por kurrë ai i largimit në përjetësi. Në këtë udhëtim, ajo që e bën më të bukur jetën janë ndjenjat, janë ato të cilat e bëjnë atë të bukur, shprehëse, domethënëse, të prekshme, joshëse, përkundëse të dëshirave. Pa ndjenjat jeta do të ishte një mekanizëm çfarëdo, që s’do të ndryshonte fytyrë, as ngjyrë nga prekja, nga fjala, nga dashuria, nga koha, nga realiteti. Tek ky mekanizëm i pashpirt jeta do të ishte një qëndrim në vendnumëro, pa asnjë vlerë dhe përmasë. Sipas poetes, janë ndjenjat ato që e fisnikërojnë njeriun, që e bëjnë jetësor ndërsa fluturimi i tyre i bën ato si yje, kometa, ylber shumëngjyrësh, për të shijuar hapësirat e pamasa të botës, ku ndjenja s’njeh kufizime.

 

Please follow and like us: