Ndue Gjika: Përballë vetes dhe kohës: Invers
Rreth “triptikut”, Vilsoni dhe Genci, të shkrimtarit Sadik Bejko
Lexuesit shqiptar i paraqiten prap Vilson Blloshmi e Genc Leka. Këto figura janë vënë në fokus edhe nga autorëve të tjerë, që pa dyshim meritojnë vëmendje e vlerësim e duhur në një vështrim më të gjerë, por ne do të kufizohemi te vëllimi “Vilsoni dhe Genci” botuar nga Mirgeeralb, këta muajt e fundit. Ky libër nxjerr në dritë të diellit krijimtarinë e tyre nga dy burgje ku i kishin burgosur; privimi i botimit asokohe si të deklasuar dhe dosjet e perversëve kriminelë të hetuesisë, që inskenuan e bënë atë ngjarje makabre (që nuk ishte e vetmja), pushkatimin e tyre. Në këtë libër, i gjithi artistik, është bashkuar çfarë ka mbetur dhe është mbledhur deri më sot nga krijimtaria, studimet dhe përkthimet e Vilsonit dhe Gencit si dhe romani i mirë dhe interesant në formën e tij të organizimit i Sadik Bejkos. Libri i ri vjen në një format të ri, i plotë dhe mjaft interesant, që edhe pse nuk cilësohet, realisht është një triptik letrar i mirëfilltë. Janë tre autorë, pak a shumë të një moshe dhe me histori që në shumë pika takohen. Roman në një përmbledhje të tillë… Të vdekurit me të gjallët! Po, një domosdoshmëri se ato fakte me rrënjë historike, familjare e shoqërore të kthyera edhe në fakte letrare dimensionojnë diapazonin kuptimor e emocional të kësaj tragjedie, duke përgjithësuar e kthyer çdo gjë në atë shtrat ku ka rrjedhur shpirti dhe jeta jonë, historia shqiptare.
Dr. Sadik Bejko, nuk i sjell si tabute shtrirë para lexuesit për të vënë kujën me të qara si vajtojca, por vijnë të gjallë, madje më të gjallë edhe sesa i kujtojnë bashkë-njohësit e tyre me të cilët ata ndanin ditët dhe punët e mundimshme të ngjyera në fukarallëk. Vilsoni dhe Genci u pushkatuan. Nuk është një ngjarje që përfytyrohet e kalohet lehtë. Mes tronditjes lind vetiu pyetja: Për çfarë ishin kaq të rrezikshëm këta djem që kërkonin e mblidhnin maleve lulet e kulturës shqiptare e botërore… Në gjithë dëshmitë e tyre nuk gjen as krim, as armiqësi, por vetëm përpjekje të vazhdueshme njerëzore për të qenë miq. Rrëmbe shkollë, rrëmbe kulturë, mblidh tradita e lexo libra, formohu… “ Lumi…- i shkruante dikur Vilsoni kushërirës së tij, piktores L. Blloshmi:- Më thoshe se kishe lexuar mbi jetën e Artur Rembosë. Mirë, po pse nuk më çove ndonjë copë poezi nga Remboja? Përse nuk më tregoje asgjë për sonetin e famshëm të ngjyrave. Pse nuk më shkruan asgjë për atentatin e bërë nga Pol Varleni kundër Rembosë?… Ti tani me të vërtetë po lexon ajkën e literaturës kontemporane. Më pyesje mua në i kam lexuar… Nuk kemi kohë të mendojmë dhe për një çast, nëse kanë ekzistuar Sartra, Kamyra e Folknera edhe se ekzistojnë akoma.” (Nga letërkëmbimi, libri, fq. 96-97”).
Ja çfarë ndodhte; Vilsoni çdo mëngjes mblidhte një grusht fukarallëk në një gazetë, i fuste krahun francezit Bodler e nisej bashkë me të për në minierë apo ndërmarrjen pyjore. Diskutonin e ëndërronin së bashku e nuk flisnin kurrë për parti, as për kooperativë… Bota e tyre kishte të tjera hapësira, kryqëzoheshin shumë e shumë horizonte dhe afërmendsh që nuk entuziazmoheshin për realitetin… Po pse i pushkatuan, pasi i torturuan, mashtruan, izoluan e i nëpërkëmbën deri në skajet ku humbet filli dhe kuptimi i të jetuarit? Si nuk e treguan ata armiqësinë e tyre? Ku dhe si ua fshehën krimet profesionistëve të krimit shtetëror? Ç’bëri gjithë ajo ushtri spiunësh e informatorësh, ata operativë e sigurimësa, ata hetues, prokurorë të bazës e të qendrës, ata gjykatës e juristë dikasteresh që u morën një vit të tërë me procesin e tyre! Po ata komunistë, kuadro partie e gjithëpushteti si e kapërdinë një shfaqje kaq bajate “pa aftësie”… Kishte apo nuk kishte veprimtari armiqësore? Edhe pse e vonuar është pyetje që duhet shtruar përnjëmend. Situatat psikopatike e krijuar na bëri ta besonim ose të silleshim si gomari që e kishte kafshuar ujku e ai inkurajonte veten: “Bani zot ëndërr dhëmbët e ujkut”, se ne ishim lakmia e botës, jetonim mes armiqsh; të brendshëm e të jashtëm, armik për ideologji, armik për ekonomi, armik se donte armikun e Shqipërisë dhe armiqtë e lindur e që do të sillnin përjetësisht pasardhës armiq. Dhe sot nuk ka ndryshuar shumë në këtë këndvështrim: socialistët pjellin armiq të demokratikes, ata të demokratikes armiq të socialistëve, grupime të tjera të ngjajnë si kanceri që ha e rritet për vete e kështu me radhë në zinxhirët e armiqësive. Nuk kemi të ngopur me armiq dhe si gjithmonë koka e armiqësive politika.
Edhe ky libër është si shumë libra të tjerë që nuk pëlqehen, nuk shtjellohen, nxirren anash si harresë ose mospërfillje. Pse? Nuk është e lehtë përgjigja, por ai që pyet ka detyrimin të japë gjykimin e tij…
Këta libra kanë diçka në thelbin e tyre që na ngacmojnë çuditshëm, na irnosin, por sidomos na frikësojnë. Unë po e quaj ngacmim frenues për të mos mbetur rob i termave përcaktuese. Ndjesitë pararendëse që kemi për të gjitha llojet e angazhimeve tona; “kush, pse, çfarë?” synojnë të prekin thelbin e në mos atë, përafërsinë e objektit vatër të ngacmimit, në rastin konkret një libër i këtij lloji. Thelbi mund të jetë real ose i manipuluar. Sistemi komunist nuk mund të ketë një monster të dytë si vetja, se për çdo gjë individi manipulohej, paraprirë nga strukturat e saj dhe ithtarët e vet. Kompleksiteti i jetës vendosej si mbi një fashë herë të ndriçuar e herë të vrenjtur në horizont dhe “i pari me paritë”, gjykonin e përcaktonin besnikun dhe armikun. Askush nuk ishte i sigurt dhe kurrë nuk mund të arrinte përsosmërinë (pa prekshmërinë). Ky mosplotësim, i ngjashëm fort me atë të besimtarëve fetar, përhapte një frikë me pasojat dhe dimensionin që merrte rrënimi i goditjes së tij. Ky ishte një shkak thelbësor që e bënte frenimin mjet sundimi të përgjithshëm dhe mjerues. A është normal, a ka prurje pozitive apo negative e plot shtjellime të tjera janë çështje të një studimi shkencor e nuk është e saktë përmbledhja e një përgjigje të thjeshtë. (Personalisht e konsideroj totalisht negativ dhe shkatërrues. Nuk dua të futem as te fetë, se ato nuk kishin asnjë shans të pranonin një perëndi të dytë e për më tepër aq vulgare…)
Të vijmë në kuadrin e analizës sonë për ngacmimin frenues të kësaj kategorie letërsie, e cila nuk ka të bëjë vetëm me burgun komunist, por edhe me atë të luftërave, pushtimeve e sundimeve të gjata diktatoriale, të cilat kanë nxjerrë e nxjerrin vazhdimisht erupsione çështjesh të nxehta shoqërore si vullkanet. Lexuesi shqiptar dikur i lexonte dhe ushqehej me filmat, letërsinë dhe artin e autorëve që pasqyronin krimet dhe mizoritë e nazistëve, fashistëve e diktaturave gjakatare. Pse? Sepse kishte nevojë të njihte ato realitete, por më thellë kësaj ishte dhe një arsye tjetër; ajo që lexuesi nuk e përfshinte veten hallkë ose pjesë e anës negative të bëmave kriminale. Vazhdimisht më ka ngacmuar pyetja, pse veprat e disidentëve të vendeve ish-komuniste që ne i quanim revizioniste, bie fjala Kundera e të tjerë si ai nuk botoheshin tek ne? A diskreditonin ato Partitë që kishin “shkarë e kishin braktisur rrugën e ndritur” të komunizmit, pra normalisht duhej të përbënin ndihmë tepër të çmuar për të vërtetuar “drejtësinë” që ndiqte partia e punës së Shqipërisë. Jo vetëm dinamika e ndodhive të atyre veprave të trondiste, por kishte diçka edhe më tej kësaj, shumë më ngacmuese e të frikshme; ta zëmë, tej jugosllavëve dhe komunistëve të vendeve të tjera Lindore që ishin shpallur aso kohe armiq e mund të thuhej e besohej çdo gjë për ta, nuk kapërdihej fakti që ato ngjarje e drama i shkaktonin komunistët. Kjo ishte dërmuese. Komunistët!… Kjo pyetje ngulej hidhur mes mendimeve, bindjeve e gënjeshtrave që kishte ndërtuar propaganda e ish-sistemi për komunizmin. Se të njëjtën gjë kishin bërë e të njëjtat metoda ishim adaptuar edhe tek ne që gjatë Luftës II botërore, nën komandën dhe shembujt e komunistëve Jugosllavë që instruktonin e kontrollonin te ne, më pas u rrit përvoja me metodat staliniste Sovjetike duke i shtuar kafshërinë e përbindëshave tanë që nuk e lehtësuan kurrë dorën gjakatare e as malinjitetin e tyre. Tani komunizmi është diskredituar e mund të thuhet çdo gjë për të, porse ne ende nuk jemi të aftë të pranojmë dhe të afirmojmë krijimtarinë dhe ndihmesën që japin ata që komunizmi i masakroi. Kjo është simptomë, që psikologët e patologji dhe e konsiderojnë vetëmbrojtje ndaj një ngacmimi ose disekujlibri shpirtëror, është frika nga e të qenit pjesë e asaj që ka ndërtuar me ne e çfarë përfaqësonim ne për veten dhe ish-sistemin komunist; mbizotëronte ngado e te kushdo në doza të caktuara besimi dhe imponimi se ata që dënonte partia e gjykata, “mirë ua bënte!” se ishin armiq, ishin sabotatorë etj., etj. Edhe po të mos donim na detyronin ta artikulonim këtë si bindje tonën para të tjerëve dhe vetvetes… Sublimim kriminal? Sigurisht! A i kemi eksploruar deri në fund ato që ndodhnin vrimave e biracave të hetuesive në burgjet komuniste? Jo, dhe pavarësisht kësaj ne i ikim kësaj njohje, këtij vlerësimi dhe krijimit të hapësirave të domosdoshme për inteligjencën e sakrifikuar. Ata janë vlera të krijuara në kohën kur ne i kishim rënë trurit me shqelm, dhe na shkonin mornicat shtatë e shtatë. Është anomali, defekt me pasoja shumë të rënda sociale, është domosdoshmëri, një ballafaqim që nuk i ikim dot pa e bërë, por realizimin e një procesi të tillë kurativ shoqëror nuk e kanë ndihmuar as ligjet e derisotme.
Këtë shqetësim, këtë patologji ngërthen në thelbin e vet kjo vepër dhe pikërisht këtu qëndrojnë dhe vlerat e padiskutueshme të saj. Në secilin prej kapitujve të romanit, që është risia e këtij triptiku, ka nga një nodul të rëndë gravitacional të temës, argumente të kthjellëta, përshkrime e fraza plot mençuri, elegancë e domethënie, mjete të cilat Sadik Bejkon e kanë karakterizuar edhe në poezitë, romanin e mëparshëm dhe trajtesat e spikatura ndër vite dhe në ditët sotme më të riforcuara.