Vera Kurti: Pranverë e vonuar
Pranvera kalendarike
ka ditë që ka trokitur
dyerve të shpirtit
e ai, i lodhur
prej dimrit të gjatë
folenë e saj vazhdon të thur’
me të njomat qeparise
ujitur me lotin e kripur.
Ditë ka që ka ardhur
pranvera kalendarike
as kënga e zogjve
as petalet e luleve
nuk po duken
kopshtijeve
Si ai fëmija që
rri e pret pas dritareve
të pushojë shiu
e të dalë dielli,
pres pranverën
e shumë vonuar të atdheut
folenë ndërtuar me ëndrra
buzë brigjeve të muzgëta
të oqeanit.
Please follow and like us: