Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Hysenbegasi : I pavarr dhe i paharruari, Ferit Hysenbegasi

 

Im at, sot mbush 70 vjet pa varr.

Njëra foto e tij ndodhet në kupolën hyrëse të “BUNKART 2″.

Fotoja tjetër në Muzeun Historik Kombëtar në pavijonin e genocidit komunist shqiptar.

U shua nga kjo botë 70 vjet më parë, në mënyrë tragjike, nga barbaria kriminale komuniste.

Doli nga një derë e lartë, nga një familje me tradita patriotike e arsimdashëse. U diplomua në drejtësi. Ashtu si vëllai i tij, doktor Isuf Hysenbegasi “Nderi i Kombit”, im at i përkiti grupit të intelektualëve që, pasi u shkolluan e u formuan në perëndim, morën përsipër të ktheheshin në atdhe e të vinin në shërbim të tij kulturën, dijet dhe ndershmërinë e tyre. Por bishat komuniste, injorantët që dritën e dijes e urrenin me shume se tymin në sy, u turrën me mjetet më barbare për ta shfarosur elitën intelektuale. Tim at e torturuan gati 10 muaj në hetuesi deri sa e zhdukën pa lënë asnjë gjurmë.

Aty nga fillimi i viteve ‘70, një burrë nga një fshat i Korçës me një fëmijë të vogël te sëmurë për dore, nipin e tij, merr rrugën drejt Vlorës dhe troket në shtëpinë e doktor Isufit. Im ungj, human i pakursyer siç e njohën të gjithë, e viziton djalin me kujdes, teksa fshatarit po i rridhnin lotë nga sytë.

– Ç ‘ke, pse qan, i thotë doktori, mos u shqetëso, do të ta shëroj djalin…

– Jo, doktor, nuk qaj për djalin, por qaj se kam një peng, e duhet ta rrefej…në ‘47-ën unë shërbeja si polic…

– Lëre atë fjalë, i thotë im ungj duke menduar se do t’ i kujtonte burgun e tij, për mua është një kapitull i mbylllur…

– Jo për ty, doktor, e kam për vëllanë tënd, e kam peng që duhet ta rrëfej. Isha polic në Tiranë në ‘47-ën tek burgu ku mbanin të arrestuarit në dhomat e paraburgimit. Atje ishte edhe vëllai yt, Feriti. E torturonin vazhdimisht. Nje ditë hetuesi po e merrte në pyetje e po e torturonte egërsisht, te varur me kokë poshtë. Kur hetuesi del nga qelia, Bedri Spahiu që po priste jashtë i thotë: “Hë mo, nxori gjë?” “Jo”, i përgjigjet ai. Atëhere Bedriu i tërbuar hyri vet në qeli dhe, duke bërtitur e sharë “po fol, mor qen”, e godet në gjoks me majën e çizmes fort… për vdekje…Kështu doktor, ti nuk e di, por vëllai yt iku nga kjo jetë me gropën që i la në trup çizmja e Bedri Spahiut…

Në vitin ‘91, në kuadër të reabilitimit të të përndjekurve politikë, u përpoqa të gjeja dokumente për statusin e babait tim, por në organet e shtetit nuk gjeta gjë. Atëhere , sipas fjalëve të dikujt, shkoj në Tiranë të takoj doktor Petraq Progrin. Ky zotni burrë, i moshuar, kur mori vesh se i biri i kujt isha, më futi në shtëpi. I thashë se më duhej të vërtetoja që im at kishte vdekur në burg e s’po gjeja dokumente dhe se “ kam dijeni që ju keni lëshuar një raport mjekësor”.

– Dëgjo, mor bir, është e vërtetë, në atë kohë unë isha mjek ushtarak. Një mbasdite më thërret Mihallaq Ziçishti nga Ministria e Brendëshme e më thotë se kishin në burg një të burgosur të sëmurë që duhej ta vizitoja. Vete atje, hyj në qeli… dhe ç’të shoh… Feriti i vdekur, i degraduar nga torturat…Më detyruan të lëshoj një raport mjekësor ku të shënoja se ai kishte vdekur nga zemra.

Doktor Progri më lëshoi një deklaratë ku vërtetonte se babai im kishte vdekur në hetuesi. Më tha gjithashtu se im at kishte qenë njeri i nderuar e me vlera, e kishte pasur të njohur dhe unë duhej të ndihesha krenar për të .

Një deklaratë të tillë më dha edhe ai ish-polici nga Petrusha e Korçës.

Më vonë komisioni i drejtuar nga av. N. Bezhani e nxori faktin e vdekjes në hetuesi të tim eti nga procesverbalet e gjyqit të teneqexhiut ministër K.Xoxe. Nga arkiva e Ministrisë së Brendshme, zoti Kastriot Dervishi ka vërtetuar se në listën emërore të të ekzekutuarve pa gjyq dhe të vdekurve në burg në nr. rendor 1874 rezulton Ferit Jashar Hysenbegasi, ekzekutuar në dt. 17.09.1947 .

Duargjakpërlyerit kriminelë, me instinktet e tyre shtazore, (shumica e tyre me profesion furxhi, teneqexhi , këpucar etj), nuk lanë torturë pa përdorur kundër elitës intelektuale të këtij vendi, vrasjen deri edhe në zhdukjen pa nam e nishan. ‘Kainët’ komunistë shqiptarë që kryen genocidin “made in Albania” dhe bunkerizimin e vendit, lanë pas pjellat e tyre që sot po realizojnë gjeocidin dhe betonizimin e Shqipërisë. Dhe janë këta që për një çerek shekulli kanë kapur tempullin më të lartë të vendit dhe, pa shkundur nga ndërgjegja të shkuarën kriminale të etërve të tyre, çirren e bërtasin duke bërë be e rrufe për dekriminalizimin, hapjen e dosjeve, lustracionin, vetingun duke talllur e qorrollepsur këtë popull .

Mallkimi rëntë mbi ta!

E kam peng që, qysh kur kam filluar të mbaj mend, nuk arrita ta shqiptoj fjalën baba. E kam peng që nuk e ndjeva aromën tënde, nuk i shijova dot përkëdheljet e duarve të tua. I shtrenjti, i miri, i bukuri im, intelektuali, që ta këputën jetën në moshën 42 vjeç. Shikoj fotografinë tënde. Ty të lexohet në sy mënçuria e fisnikëria. Të vranë barbarisht, të zhdukën gjurmët, por nuk vranë dot kujtimin dhe frymën tënde që jeton në mëndjen dhe zemrën time.

I pavarri im…

I paharruari im…

Loti im…

Fotografia e Bardhyl Hysenbegasi

Please follow and like us: