Historia e Vjosës, lumi i shenjtë
Lumi Vjosa, ashtu si Nili e lumenj të tjerë janë të mitizuar.
Nga tërë lumenjtë e Shqipërisë, vetëm Vjosa është quajtur Lumë i Shenjtë. Për Vjosën janë thurur mjaft legjenda. Gryka e Vjosës ishte jo vetëm një strehim i sigurt për anijet, të cilat mund të hynin deri afër mureve rrethuese të Apolonisë, por edhe për tu mbrojtur nga armiqtë. Me të drejtë shumë historianë e kanë quajtur “jetëdhënëse”.
Ndërmjet skulpturave të shumta, të ekspozuara në Pavijonin e Lashtësisë në #MuzeunHistorikKombëtar, të bën përshtypje ajo që i kushtohet lumit Vjosa.
Vjosa është personifikuar në skulpturë nëpërmjet figurës së një plaku të shtrirë e të mbështetur në krahun e djathtë, me flokë deri te supet, me mjekër të dendur.
Skulptura është në gur të bardhë, 49 cm e lartë, 70 cm e gjerë. I përket shek. III para Krishtit, zbuluar në Apoloni. Paraqitja antropomorfe e Vjosës tregon se ky lumë ka qenë i begatë dhe luginat pranë tij, pjellore.
Ajo personifikohet me një perëndi. Gjymtyrët e zgjatura në formë valëzimi të kësaj perëndie, ku skulptori nuk ka qartësuar detajet anatomike, simbolizojnë dallgët e lumit Vjosa.