Albspirit

Media/News/Publishing

Nikollaq Neranxi: Të ulim qepenat dhe të derdhemi rrugëve deri sa të ikë Rama nga pushteti!

 

Jemi mbledhur për të folur mbi problemet e sipërmarrjes private e cila po kalon sot ditët e saj më të këqija që nga viti 91 si dhe për të bërë një plan se si të dalim nga kjo situatë.
Natyrisht jemi shumë vonë, Edi Rama ka gati 5 vite në pushtet dhe këto kanë qenë vitet ku ai ka punuar me këmbëngulje dhe përkushtim për të shkatërruar biznesin e ndershëm. Ka qenë e gjitha një skenar i mirëmenduar për të nxjerrë nga tregu të gjithë ne që kemi vite që ndërtojmë me përkushtim dhe ndershmëri një aktitvitet privat, në mënyrë që të fusë në treg paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit.
Paketat fiskale të miratuara në këto vite që ai është në pushtet dhe të rritura deri në absurditet edhe nga Bashkia e Tiranës, këtu ku janë të përqëndruara pjesa më e madhe e biznesve, kanë qenë vendime kriminale me qëllimin e vetëm për të na falimentuar. Në vitin 2014 kur Bashkia Tiranë rriti të gjitha taksat ekzistuese dhe vendosi taksa të reja, me keqardhje e them se ju nuk arritët ta kuptonit se ku do na çonte kjo rrugë. Nuk ishit të shumtë në protestat para Bashksië. Tani në fakt është shumë vonë sepse ju e dini mirë se sa biznese kanë ulur qepenat nga kjo politikë falimentuese për biznesin e ndershëm. Është djersa e mijëra familjeve që e ngritën gjithçka me mund por që kjo qeveri kriminale ia shkatërroi pa mëshirë.
Por ju a them me bindje, nëse ne nuk reagojmë fuqishëm tani, të shumtë e të bashkuar, nesër do të bëhet edhe më keq. E keqja nuk ka fund ta dini mire, sepse Edi Rama nuk ndalet në marrëzinë e tij!
Në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut të Shqipërisë unë propozoj protesta masive me karakter ekonomik. Të ndalojmë dorën që vjedh për ditë në xhepat tanë. Kundër taksave absurde që kalojnë mundësitë e biznesit për ti paguar. Në çdo vend të botës vendosen taksa që edhe shteti të marrë atë që i takon, por edhe biznesi të fitojë diçka. Taksat e Ramës dhe Velisë janë taksa falimentuese.

Të protestojmë kundër çmimit të lartë të energjisë elektrike, karburantit, ujit dhe çdo formë vjedhjeje që na bën ky pushtet.
Propoganda e bijve të komunistave është e frikshme. Jo vetëm që na vjedhin, por na tregojnë me gisht se ne gjoja nuk po e kuptojmë Ramën se ai do të bëjë shtet, ndërsa ne s’duam të paguajmë taksa.

I themi Ramës se taksat, biznesi i ndershëm i ka paguar gjithmonë edhe kur nuk ishe ti në pushtet, nuk jemi kundër pagimit të taksave, por jemi kundër pagesës së taksave të larta dhe të papërballueshme.
Të vetmit që nuk pagiuajnë taksa në këtë vend janë tregtarët e drogës dhe klientët e pushtet që bëjnë kontrabandë duke shkatërruar konkurrencën.
Prandaj në mënyrë urgjente, të mblidhemi të gjithë, biznese të vogla, të mesme dhe të mëdha të cilët po e ndjejnë në kurrizin e tyre krizën Rama, të ulim qepenat dhe të dalim në protesta masive deri sa ta rrëzojmë këtë kastë të korruptuarish.

Ftoj t’i bashkohen protestës tonë edhe ata qytetarë që nuk kanë biznes por që mendojnë se taksat e shtuara në faturat e ujit dhe të dritave të banesave të tyre dhe rritja e e vazhdueshme, është një padrejtësi që po iu bëhet. Merrini faturat me vete në protestë dhe grisini aty para syve të gjakpirësve.

Nëse jemi shumë dhe të bashkuar ne arrijmë ta ndalim Edi Ramën, sepse ne jemi në të drejtën tonë, duam të jetojmë dhe të punojmë në ketë vend me dinjitet, jo të nëpërkëmbur dhe të plaçkitur.

Fjala e mbajtur sot ne takimin me Shoqatat e biznesit dhe Partine Demokratike

Please follow and like us: