Albspirit

Media/News/Publishing

Perandoria e Sorosit dhe mesazhet hungareze për shqiptarët

Enver Bytyçi

Katër statuse, të cilat i hodha sot në rrjetet sociale për zgjedhjet në Hungari dhe fitoren e Viktor Orban kundër George Soros, ngjallën vëmendje dhe diskutime të gjera. Miku im, Bardhyl Selimi, më këshilloi që këto statuse t’i zgjeroj si ide, si këndvështrime, me qëllim që të thellohet analiza. Ky propozim i tij u bë shkak i trajtimit pak më të gjerë të kësaj teme.

Fatkeqësisht në vitin 1998 kam pasur një përvojë të hidhur me Sorosin dhe sorosistët. Trysninë e tyre e kam ndjerë edhe në gjumë, prapaskenat e veprimit për të penguar gjithkënd që nuk nuk ishte dhe nuk është i rracës së Sorosit më kanë shoqëruar çdo kohë. Por e kam fjalën për një rast konkret.

Po e tregoj: – Ishte vjeshtë e vitit 1998. Një miku im kishte përkthyer nga anglishtja librin e Kolin Pauell “Udhëtimi im Amerikan” dhe ma dha që ta botoja. Asokohe drejtoja Shtëpinë Botuese dhe revistën me të njëjtin emër “KOHA”! E mora tekstin e përkthyer dhe aplikova për financim tek USAID. Sapo e panë projektin, si dhe shumën modeste që kisha kërkuar (shumat e mëdha të dollarëve më trembnin) më premtuan se do ta sponsorizonin përkthimin dhe një pjesë të shpenzimeve të shtypit. U gëzova, sepse e quajta punë të mbaruar!

Prita gati dy muaj, por nuk mora asnjë përgjigje. Shkova vetë të zyrat e USAID-it. Ishin te Piramida. Pas këmbnguljes sime një zonjë më pyet: – Si i ke punët me Piro Mishën? Piro Misha ishte drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros. I thashë se nuk kisha gjë me këtë person, ndonëse e njihja. Zonja më shpjegoi sesi ata të USAID-it kishin pyetur Piron për financimin e këtij projekti dhe ky kishte folur të zezat mbi të bardhë e për pasojë projekti nuk do të financohej.

Piroja dhe Sorosi i kishin zyrat prapa ambasadës greke, aty ku sot është Adrion-i. Shkova me vrap aty. Hyra me dhunë në zyrën e tij. I revoltuar i kërkova që të mos luante me jetesën e familjes time. Pasi e mohoi ndërhyrjen e ndikimin e tij negativ, më pyeti se nga e kisha marrë vesh unë këtë gjë. Me qëllim që të mos dyshonte te zonja, e cila më shpjegoi rastin, i them se “Ti vetë ke folur në tavolina, çka do të thotë se ti je ai që ke treguar”!

Për të më qetësuar më nxori përpara emrin e një mikut tim, të cilin mik të përbashkët. Dmth pranoi se kishte folur në tavolinë me personin në fjalë. Dhe sa herë shoh emrin e Sorosit më kujtohet kjo ngjarje. Ndërkohë që njerëzit e Sorosit më shfaqen vazhdimisht me fytyrën e P.M-së. Kudo qofshin ata, majtas apo djathtas dhe sa herë përmendet USAID më kujton lidhjet e tij me Sorosin pavarësisht se për hir të respektit të pafund për Amerikën nuk do të doja të ishte kështu.

Tani ka plas diskutimi për lidhjet dhe financimet që USAID i ka bërë Shoqërisë së Hapur të Sorosit në Shqipëri dhe financimin prej 9 milionë dollarësh për t’ia dhënë drejtësinë shqiptare Edi Ramës. Ajo që më ndodhi mua pas kaq kohësh i ka ndodhur çdo shqiptari. Sorosi me paratë e taksapaguesve amerikanë ka risjellë në vendim tim, në vendin tënd, një epidemi vdekjeprurëse. Na ka marrë të gjithëve lirinë! Drejtësia ishte katastrofë edhe më parë, por kjo drejtësi sorosiste ia ka dhënë të gjitha pushtetet një njeriu, mikut të George Soros, pra Edi Ramës. E nisën me debatin për nacionalizmin dhe arritën që sorosistët të përhapin kudo pandehmën se “Nacionalizmi është rrezik për shoqërinë njerëzore dhe sistemet e qeverisjes demokratike”! Për ta ngjiz këtë ide morën shembullin e Milosheviçit, edhe pse e dnin se nacionalizmi serb dhe nacionalizmi shqiptar ishin diametralisht të ndryshëm! Tani kanë avancuar. Duan të shkatërrojnë qelizën bazë të shoqërisë, familjen, që njeriu të bëhet kavie në duart e oligarkëve të Shoqërisë së Sorosit.

Shqipëria është ndoshta vendi unikal në përqafimin e ideologjisë “liberale” të Sorosit. E tillë ishte edhe në adaptimin e ideologjisë komuniste. Nuk “shkelim për herë të parë në shtigje të panjohura”! Jemi vend eksperimental. Eksperimentoi me ne Titoja, më pas Stalini e më vonë edhe Maoja. Por vetëm Stalini ia doli deri në fund, kur u duk se murtaja u largua nga vendi ynë. Nuk qe e thënë. Murtaja staliniste bolshevike mori një pamje tjetër, pamjen e Sorosit. Këta që kemi në pushtet dhe po e rrënojnë këtë vend për interesat e mafies sorosiste, janë sponsorizuar të gjithë prej fondacioneve të tij. Këta bëjnë propagandë dhe ua marrin mendtë qytetarëve edhe me ndonjë bursë që Sorosi u ka paguar politikanëve të djathtë.

Në fakt edhe unë kam marrë 1200 dollarë nga Sorosi më 1999 për të botuar 2000 copë libra të autorit Musa Kraja për Harry Fullcin. Erdhi Mirela Kumbaro e m’i numëroi një e nga një, e nëse nuk do të ishin 2000 copë libra nuk do i jepnin ato 1200 dollarë. Mundet ta gjejnë atë faturën e asaj kohe e të më thonë sorosist. Por ai libër u financua me kërkesën e autorit dhe si mënyrë shfajësimi për bëmën e larttreguar të P.M. Ishin vetëm 60 cent per nje ekzemplar libër, shpenzimet e të cilit shkonin së paku dy tre dollarë e shitjet 5 përqind të ekzemplarëve.

Tani Hungaria është bërë burim frymëzimi për përmbysjen e perandorisë së Sorosit. Kjo perandori vërtet që ka rrënjë më të thëlla në vendin tonë sesa në Hungari. Ashtu si çdo ideologji edhe ideologjia dhe praktikat e Sorosit kanë përfshirë mijëra njerëz në këtë vend. Megjithatë asgjë nuk është e pamundur, nëse krijohet një lëvizje dhe kjo lëvizje krijon frymën e duhur. Sorosi është kërcënim ynë më i madh kombëtar.

Qeveria shqiptare e sotme është qeveria e Sorosit. Sorosi na qeveris ne. Sorosi bën ligjet tona. Sorosi sponsorizon ndryshimet kushtetuese tek ne dhe me votën tonë na ka shndërruar në kaviet e laboratorit ideologjik të tij. Sorosi na grabiti lirinë tonë të ëndërruar e të fituar me entusiazmin naiv të viteve 1990-1992. Menduam se do bëhemi si Europa, por harruam se një perandori tjetër ideologjike, po aq e rrezikshme sa komunizmi, po ngrihej në themelet e diktaturës së shkuar. Menduam se do ishim parajsë dhe harruam se parajsa e Sorosit është e dedikuar vetëm për një grup oligarkësh. Menduam se e kapëm demokracinë perendimore dhe harruam se Sorosi do të fuste njerëzit e tij në “kështjellën e kësaj demokracie” për të na imponuar vullnetin e tij ideologjik në funksion të pasurimit të pakufi. Sorosi na u fut hapur nga dera e nga dritarja me parrullat e lirisë dhe të barazisë, mosdiskriminimit dhe liberalizmit, ndërkohë që na shkatërroi ato vlera unikale njerëzore si familja, marrëdhënia e pastër midis njerëzve, si dhe nocione të tilla në qeverisje si transparenca, sinqeriteti, idealizmi, dialogu, marrëveshja, mirëkuptimi e kështu me radhë. Sorosi po shkatërron vlerat tona njerëzore e po na kthen në një shoqëri skllevërish.

Politikat qeverisëse të Sorosit po thellojnë pabarazinë ekonomike. Politikat e Sorosit po mbështesin pabarazinë e pushteteve, cilësi kjo e detyrueshme për të ndërtuar shtetin demokratik të së drejtës. Sorosi është shndërruar në një piramidë, që ka kapluar të gjithë sektorët e jetës. Arësimi është pika më e dobët e jona dhe më e fortë e tij. Universitetet janë qendrat ku promovohen idetë dhe ideologjitë perverse të Sorosit dhe sorosistëve. Sorosi dhe sorosistët duhen goxhduar duhen rrethuar duhen bllokuar, duhen izoluar, me qëllim që shoqëria jonë të mund të shkojë përpara drejt koncepteve dhe vlerave të demokracisë perendimore.

Sorosi është teori e autokracisë, është ushqim për liderët autoritarë, është burim i krijimit të një shoqërie perverse dhe ekstremisht antagoniste nga pikëpamja sociale, ekonomike dhe financiare. Sorosi është perandori e oligarkëve që ushqehet me gjakun e të varfërve. Shihni qeverisjen aktuale në Shqipëri dhe mësoni çfarë është Sorosi. Atëherë do të kuptoni pse njerëzit ikin nga ky vend, pse ata protestojnë dhe pse nuk e durojnë zgjedhën e taksave e të mjerimit të përgjithshëm në Shqipëri.

Kjo është arësyeja pse Sorosi është shpallur me ligj i padëshirueshëm në Hungari. Këto janë shkaqet që çuan në një fitore të thellë të Viktor Orban, madje një fitore në mandatin e tretë të tij. Shqipëria ka nevojë për një udhëheqës si Orban. Shqipëria ka nevojë për një ligj antisoros, ligj i cili ta ndalojë fondacionin e tij të operojë në vendin tonë. Shqipëria ka nevojë për një ligj që ua ndalon perversëve sorosistë të merren me politikë dhe aq më tepër të drejtojnë fatet e shtetit e të vendit tonë. Nëse bëjmë këtë ligj antisoros ka gjasa të kemi fituar edhe mbi sistemin e diktaturës të përmbysur e të padënuar asnjëherë me një ligj të veçantë!

Tiranë, më 09.04.2018

Please follow and like us: