Zamira Çavo: Shqipëria e virtuozëve dhe e batakçinjëve!
Kam 9 javë që ndjek me kënaqësi dhe krenari spetaklin “Virtuozët” në TV Klan. Po si të mos jesh krenare për këto talente që kemi!!? Dhe jam e sigurtë që të tillë Shqipëria ka edhe në fusha të tjera! Një popull i vogël me kaq shumë virtuozë të vërtetë!
Por ajo që e bën virtuoz këtë program është mënyra se si Inva Mula e ka përcjellë që në projektin e vet: Të promovojë pozitivitet, të promovojë dashuri, të promovojë VLERA! Një juri me profesionistë me integritet dhe jo me amatorë që veç të qeshurave me fjalorin banal nuk dinë të bëjnë asgjë të bukur! Një vlerësim serioz dhe i përkushtuar ndaj talentit dhe nxitjes së tij dhe jo ndaj antivlerës!
Sikur të ishte e tillë media shqiptare! Sikur në vend të banalitetit, ndasive, krimeve të promovonte modele vlerash e ardhmja me siguri do ishte ndryshe! Por jemi mësuar tashmë me antivlerën që na e servirin si vlerë! Na e shesin “lirinë” për individualitet dhe banalitetin për “liri”!
Nëse promovohen vlera dhe talente, medikoriteti nuk gjen dot vend, por ata që drejtojnë sot vendin janë të tillë ndaj nxisin banalitetin. Në vend të talentit promovojnë lakuriqësinë, në vend të familjes promovojnë divorcin, në vend të bashkimit promovojnë individualizmin! Dhe e dini pse? Sepse vetëm në këtë mënyrë mund të na sundojnë pa e prishur gjakun!
Por Shqipëria duhet të jetë e Virtuozëve. Eshtë e virtuozëve. Vetëm se na duhet ta kuptojmë këtë!