Viron Kona: Firaun e zhongler
I kujtova fëmijërinë,
doja t’i qaja ndonjë hall,
ai u ndje i bezdisur,
shihte orën në çdo çast:
“-Ja tani që ne po flasim,
n’drekë pune po më presin,
ende pa mbaruar aty,
n’parlament do më thërresin.
Kam plane, kam dhe ëndrra,
një jetë është kjo e shkreta,
vila andej, biznese këndej,
ca pa vula, ca pa shkresa.
Konkurrencë e paparë,
për para e për pushtet,
për tendera në ndërtim,
për toka në bregdet.
Jeta është plot sfida vëlla,
ligji i xhunglës bën kërdi,
një çast s’e pate mendjen,
ta hedh tjetri sy më sy.
Sot nuk ecet pa djallëzi,
dinakëri e shkathtësi,
bëhu ujk, e bëhu dhelpër,
që të bësh biznes dhe ti.
Kaloi ora s’rri dot më,
të fala zgjedhësve të mi,
Evropën u kam premtuar,
mendja tek ata më rri”.
E ndiqja me sy nga larg,
isha bërë pikë e vrer,1)
ku kish qen gjer më sot ky,
firaun e zhongler? 2)
E di, prapë do vijë tek unë,
për të më premtuar botën,
unë naivi halle shumë,
përsëri do t`i japë votën…!
***
1).Vrer: Në kuptimin, i hidhëruar, i pikëlluar
2). Firaun: Në kuptimin njeri shpirtkazmë i pabesë. Zhongler:Në kuptimin e njeriut që vepron me dredhi,dredharak,dinak.