Shtetet e Bashkuara dhe konflikti në Siri
Presidenti Donald Trump thotë se në asnjë moment nuk përcaktoi ndonjë afat për sulm ndaj Sirisë. Në një postim sot në Twitter, presidenti tha se sulmi “mund të realizohet shumë shpejt, ose jo së shpejti”. Po sot, presidenti shkruan në Twitter se Shtetet e Bashkuara, nën administratën e tij “kanë bërë një punë të mrekullueshme për ta spastruar zonën nga” Shteti Islamik.
Presidenti Trump ka reaguar i revoltuar ndaj pamjeve filmike, ku shihen fëmijë duke vdekur, pasi besohet se janë viktima të gazit kimik në një lagje pranë Damaskut. Presidenti e ka quajtur udhëheqësin sirian Bashar al-Assad “një kafshë që vret me gaz kimik” dhe është angazhuar në një shkëmbim akuzash me rusët që i ofrojnë mbrojtje Assadit. Ky shkëmbim ka krijuar shqetësimin se forcat amerikane mund të jenë në prag të një angazhimi ushtarak me forcat ruse në Siri.
Gerald Feierstein, ish-ambasador amerikan në Jemen, tha për Zërin e Amerikës se ka edhe përplasje të tjera që mund të shkallëzohen në konflikt brenda Sirisë:
“Ka fërkime mes Izraelit dhe Iranit brenda Sirisë. Po ashtu ekziston mundësia që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të tërhiqen në një ballafaqim në Siri si rezultat i këtyre zhvillimeve. Po shtohen kërcënimet, si rrjedhojë e kontrollit që ushtrojnë Irani dhe Hezbollahu në zona të Sirisë. Kjo ngre mundësinë e një ballafaqimi kundër Izrealit, po ashtu edhe kundër Jordanisë. Është edhe konflikti mes Turqisë dhe kurdëve, që pa diskutim prek interesat amerikane”.
Të mërkuren Shtëpia e Bardhë reagoi, duke thënë se nuk ka plane të finalizuara për një sulm me raketa në Siri:
“Ky është një prej opsioneve, por nuk do të thotë që është i vetmi opsion, apo e vetmja gjë që presidenti mund të bëjë,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.
Por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se presidenti beson se Rusia është përgjegjëse, pasi ka mundësuar masakrat në Siri:
“Ata garantuan se armët kimike nuk do të përdoreshin më kurrë në Siri. Kanë dështuar në këtë drejtim dhe po ashtu kanë ndihmuar Sirinë duke vënë gjashtë herë veton kundër rezolutave të OKB-së, duke ndihmuar për të mbrojtur Assadin”.
Si Rusia, ashtu edhe Siria kanë mohuar se është përdorur gaz helmues në sulmin e së shtunës në Duma.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre ende po analizojnë provat, por shtoi se ushtria amerikane është e gatshme të veprojë:
“Jemi gati të ofrojmë opsione ushtarake, nëse akte të tilla shihen si të përshtatshme nga presidenti”.
Një analist rus tha se Moska do t’i përgjigjej një sulmi ushtarak amerikan mbi objekte të qeverisë siriane.
“Ky vendim i prerë nga presidenti amerikan për të urdhëruar goditje në Siri ka shumë të ngjarë që të konsiderohet nga Rusia si akt shumë armiqsor,” thotë Fiodor Lykianov.
Një vit më parë, Presidenti Trump dha urdhër për goditje amerikane ndaj një baze ajrore siriane, nga ku besohet se u ndërmorën sulmet kimike që lanë të vdekur dhjetëra civilë në veri-perëndim të Sirisë. Por analistët thonë se situata në Siri është bërë më e ndërlikuar dhe më e tensionuar që atëherë.