Albspirit

Media/News/Publishing

2K: Policia na zbriti pas urdhrit politik

Të rinjtë e FRPD dhe LRI kanë zhvilluar sot një protestë pranë shtëpisë së kryeministrit Edi Rama në Surrel kundër taksës në Rrugën e Kombit.

Por gjatë protestës PD njoftoi se 2K (kryetarja e LRI Floida Kërpaçi dhe kreu i FRPD Belind Këlliçi) po shoqëroheshin në polici. Lidhur me këtë ka reaguar Policia e Tiranës e cila e ka mohuar diçka të tillë.

Ndërsa Këlliçi dhe Kërpaçi kanë sqaruar për mediat incidentin që ndodhi në Surrel, pranë shtëpisë së kryeministrit Rama, ku kishin shkuar për të vendosur traun në shenjë protestë.

Floida u shpreh se gjatë kohës që policia kishte shkuar për të shoqëruar disa të rinj, ajo u vetëofrua për t’u proceduar në vend të tyre.

“Ajo që ndodhi ishte një skenë e shëmtuar. Ne vendosëm një tra afër banesës së kryeministrit për të treguar se ai nuk mund të bëjë çtë dojë. Të rinjve të FRPD dhe LRI iu morën kartat e identitetit për t’i proceduar. Unë nuk mund të lejoja që ata të procedoheshin dhe kërkova që të më procedonin mua dhe Blendin si organizatorët e protestës. Unë u shoqërova”, tha Kërpaçi.

Ndërsa kryetari i FRPD Belind Këlliçi nga ana e tij u shpreh “Ky është një moment i rëndë pasi shefi i policisë së komisariatit erdhi aty me urdhër politik. Floida u fut në makinën e policisë, ndërsa mua më dhanë urdhër që të shkoja nga pas deri në komisariatin nr.4 pasi do procedohemi sepse paskemi shkatërruar rendin publik. Në atë moment shefit i vjen një urdhër politik për të na ndaluar. Na zbritën dhe na njoftuan se do na njoftojnë sërish prapë në komisariat”.

Please follow and like us: