Andi Bushati: Nuk pushtohet Surreli me trëndafila
Gurë dhe hunj mbi traun e koncesionarit në rrugën e kombit. Qepena të mbyllur në tregjet e pakicës. Miell në parlament mbi kokat e qeveritarëve. Tentativa për të protestuar para shtëpisë private të Ramës.
Prej disa ditësh opozita po qëndron me flakandan në dorë për t’i fryrë ç‘do konflikti të mundshëm. Disa kanë filluar t’a quajnë të dhunshme, disa pesimistë të pashpresë dhe disa të tjerë të mjerë, që mëton të pengojë reformën në drejtësi.
Por, pavarësisht nga arsyet për të cilat po e bën, pavarësisht sa të ndershme dhe të besueshme janë qëllimet e saj, një gjë duhet pranuar: tensionimi i stituatës është një ngjarje pët t’u duartrokitur.
Ajo që na mëson historia jonë e këtij çerek shekulli, është sa e thjeshtë aq edhe e qartë: kur qeverisjet kanë tendencën për të degraduar në rregjime, ato nuk përballohen dot vetëm me mjete demokratike. Po të hedhim sytë pas, ky pohim rrezulton gjithnjë i vërtetë.
Sali Berisha arriti t’a fitojë pushtetin në mars të vitit ’92 vetëm pasi ndoqi politikën e zhytjes së vendit në kaos, vetëm pas nxitjes së grevave të përgjithshme dhe në fund, pas grushtit vrastar që i dha qeverisë së përbashkët të stabilitetit. Nëse ish lideri i atëhershëm i demokratëve do të kishte zbatuar lojën demokratike dhe do të kishte respektuar verdiktin e zgjedhjeve të 1991, komunistët do të kishin qëndruar se paku edhe 3 vite në pushtet.
Si për ironi të fatit, loja e historisë i ktheu reston Berishës. Ai udhëhoqi fillimisht si një despot, burgosi opozitarë e gazetarë, vodhi zgjdhjet, lejoi ngritjen e piramidave dhe me anë të tyre fitoi garën lokale të tetorit ’96, që u konsiderua e vlefshme nga komuniteti europian.
Duhej që, disa muaj më pas, shqiptarët t’i vinin flakën vendit për të rrëzuar me çmimin e tmershëm të mbi 2 mijë të vrarëve, një tentativë për të ringjallur diktaturën. Sado e dhimshme dhe cinike të duket ’97-a nuk e ktheu mbrapa, por e shpuri përpara vendin.
Po e njëjta taktikë u zgjodh edhe nga opozita socialiste për të rrëzuar Berishën e dytë. Provokimi i 21 janarit, shkopat, gurët, bombat molotov patën një qëllim të caktuar: të nxirrnin fytyrën e vërtetë të një qeverisjeje që po degradonte në autoritarizëm.
Pa e provokuar rëndë, ne nuk do të arrinim të bindeshim kurrë për profilin e njeriut që urdhëroi vrasjet në bulevard.
Kjo gjë është e vlefshme edhe për Edi Ramën sot. Nëse nuk do ishte mbajtur nën trysni dhe presion ai do të vazhdonte të propogandonte një Shqipëri ku nuk mbillej hashash, ku nuk uleshin avionë droge. Pa këtë trysni ai do të vazhdonte të pikturonte një parlament ku nuk ishin zgjedhur kriminelë, megjithëse policia nuk i ndalonte dot deputetët e shoqëruar me trafikantë, apo një arenë biznesi ku gjithçka lulëzonte dhe nuk ishte kapur nga klientët e tij oligarkë.
Frymëzimi i tensionit aktual, thyerja e traut që nxjerr të vërtetat e koncesionit, mbyllja e qepenave që tregon se përse po varrosen tregtarët e vegjël, demonstrimi në Surrel që flet më shumë se gjithçka për arsyet pse po betonohet Tirana, duken në pamje të parë si akte “vandale”.
Shumëkush edhe e ka akuzuar opozitën për to. Por në fakt, pavarësisht nga motivet dhe qëllimet, ajo duhet përgëzuar. Sepse ajo po na ofron njësoj si në ’91, njësoj si në ’97, njësoj si në 2011, pasqyrën e dhimbshme ku duhet parë regjimi që po instalohet. Dhe historia jonë e afërt na ka treguar se, ne si popull, kemi nevojë për shkundje të forta, për të kuptuar që gjendemi në prag të katastrofës.