Artistët që nuk mbrojnë Teatrin, meritojnë vërshëllimat e publikut
Ergys MËRTIRI
Nëse ka një gjë që e kar akterizon në mënyrë të qenësishme Edi Ramën si politikan, është epshi i papërmbajtshëm për pushtet. Ai kërkon të shtjerë në dorë gjithçka, duke sunduar në çdo qelizë të kësaj shoqërie. Çdo hapësirë jete dhe veprimtarie jashtë sferës së tij të ndikimit bëhet e padurueshme për të. Kjo është në përputhje të plotë me natyrën e një politike totalitare.
Ajo e shikon shoqërinë si veprën e vet dhe ndien një nevojë të papërmbajtshme të ndërhyjë në çdo cep të jetës shoqërore. Siç thotë një prej studiuesve më të rëndësishëm të totalitarizmit, Zigmund Bauman, vizioni totalitar e shikon politikën si aktin krijues të një piktori, ku shoqëria është telajo, në të cilën nuk mund të pranohet asnjë ndërhyrje tjetër jashtë projektit të artistit.
Për këtë arsye, çdo burim tjetër pushteti, në sytë e tij është një njollë që prish veprën e tij të artit. Pasi ka shtënë në dorë të gjitha pushtetet e pavarura dhe kushtetuese, gjykatat, bizneset, mediat, shoqërinë civile, Rama i është turrur çdo institucioni që gjallon jashtë vullnetit të tij, duke krijuar konflikte me akademinë, artin, sportin dhe gjithçka që pikon sadopak ndikim mbi publikun apo para.
Lufta për teatrin është një shembull tipik që i përfshin të dyja, edhe pazaret financiare me oligarkët që kërkojnë të ndërtojnë kulla monstruoze në qendër të Tiranës, edhe nënshtrimin e plotë të artistëve nëpërmjet projektligjit mbi artin. Nuk është se Rama nuk i ka në kontroll artistët. Shumë prej tyre, të cilët nuk janë parë në asnjë moment në protestë dhe të tjerë që e kanë braktisur qëndresën për të mbrojtur teatrin, janë njerëz të tij, që kanë përbaltur prej kohësh imazhin e tyre në fushatat elektorale të partisë në pushtet. Por kjo nuk mjafton.
Ai nuk ngopet nga përdorimi i të tjerëve dhe nuk mjaftohet me shërbimet e tyre si partnerë apo klientë. Ai kërkon që të tjerët t’i shërbejnë si skllevër në një marrëdhënie vertikale. Vetëm kështu kënaqet epshi i pushtetit. Projektligji për artin bën të mundur pikërisht këtë, nënshtrimin e plotë dhe pa kushte të artistëve, duke i dhënë në dorë rrogën, bukën dhe shpirtin e tyre. Urrejtja e Edi Ramës për artistët është e hershme. Që kur erdhi në krye të Ministrisë së Kulturës në ‘98-ën ai hyri në luftë me ta, duke e nisur me Teatrin e Operës dhe Baletit, ku artistët hynë në grevë urie për të mos pranuar nënshtrimin, me vendimin e tij për të emëruar drejtoreshë Zana Çelën.
Teatri Kombëtar pati gjithashtu një betejë epike, duke refuzuar projektin e tij për një teatër me kullë. Të parën e fitoi duke u hakmarrë me heqjen nga puna të dirigjentit të orkestrës si dhe disa instrumentistë organizatorë të grevës, ndërsa tek e dyta nuk ia doli dot. Sot, pasi ka riposhtëruar operën, duke i dërguar drejtoreshë pas 20 vjetësh, pikërisht Zana Çelën, po poshtëron edhe teatrin, duke rikthyer projektin për prishjen e godinës, ku pritet të ndërtojë tashmë jo një, por të paktën 6 kulla 20-30 katëshe. Epshi i hakmarrjes duket i frikshëm. Pas dy dekadash, ai nuk harron të godasë në të njëjtën brinjë, me të njëjtin faull.
Shija e hakmarrjes, përzierë me milionat e parave që mund të nxirren nga ajo copë tokë e pakafshuar në zemër të Tiranës, bëhen të papërmbajtshme. Vetë rikthimi i të njëjtit konflikt, në kushte më favorizuese pushtetin, tregon se ky vend ka pësuar një regres të madh në raport me lirinë. Kjo tregon se ky pushtet është sot më i dhunshëm se dy dekada më parë, gjë që përbën një lajm të keq për demokracinë. Dhe kjo është bërë e mundur, jo pse njerëzit sot janë më pak të sensibilizuar për këto probleme, por se komuniteti i artistëve është korruptuar.
Mosprania në protestë e shumë prej aktorëve të këtij institucioni, madje edhe të shumë prej atyre që kanë një jetë që luajnë aty dhe madje edhe kanë qenë barrierë e pakalueshme në përballjen e parë me të, tregon se shumë prej tyre e kanë shitur shpirtin tashmë te pushteti. Ky realitet tregon se ata artistë që pranojnë të përdhunohen në këtë mënyrë nga qeveria, nuk e meritojnë këtë status. Në përgjithësi, natyra e artistit është e tillë që e shtyn të jetë në konflikt me pushtetin, edhe kur ai është jo i keq.
Të ngrohesh në prehrin e një pushteti si ky, është vërtet një turp për njerëz që pretendojnë të jenë ndërgjegjja e publikut. Për këtë arsye, mund ta themi pa asnjë drojë se ata artistë që nuk i bashkohen rezistencës për të mbrojtur teatrin, meritojnë vetëm vërshëllimat dhe kurrë duartrokitjet e publikut./panorama/