Eqerem Çabej: Për botën e arbëreshëve të Italisë
Botimet “Çabej” sjellin në një libër të gjitha studimet e gjuhëtarit Eqerem Çabej mbi botën e arbëreshëve të Italisë, shkruar gjatë disa dhjetëvjeçarëve, ku është e përfshirë edhe doktoratura që mbrojti më ’32 në Universitetin e Vjenës
Fillimet e studimeve të tij Çabej i nisi me botën e arbëreshëve të Italisë, në vitin 1932, kur punoi temën e doktoratës, me titull “Italoalbanische Studien” (Studime italoshqiptare), të cilën e mbrojti në Universitetin e Vjenës. Njohja qysh herët me botën arbëreshe e shenjoi për jetë djaloshin Çabej, sepse i dha të kuptojë rëndësinë e pamatë që ka hulumtimi i diasporës në studimet shqiptare. Për të shkruar doktoratën, Çabej i ri shkoi fizikisht në gjirin e arbëreshëve të Siçilisë, në Horë të Arbëreshëve, afër Palermos (Piana degli Albanesi, atëherë Piana dei Greci), ku voli lëndë të gjallë e ku njohu nga afër këtë botë unike. Tema arbëreshe përgjithësisht dhe e arbëreshëve të Italisë posaçërisht mbeti pareshtur një pikë referimi në veprën e tij. Temë së cilës iu kthye rregullisht gjatë gjithë dekadave të punës së vet studimore. Në këtë libër përfshihen thuajse krejt studimet e Çabejt përmbi botën e arbëreshëve të Italisë – shkruar gjatë disa dhjetëvjeçarëve – me përjashtim të studimit të gjatë të doktoratës. Më poshtë sjellim një fragment nga vepra e Çabejt, mbi arbëreshët ku ndër të tjera flet se:
***
Jemi në shekullin XV. Në këtë kohë Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit, rron brenda në trajtat e plota të jetës mesjetare bizantine. Po ky është edhe shekulli në të cilin një valë e re sundimtarësh të ardhur prej Orienti vjen e përplaset përmbi Gadishull dhe me këtë hap një faqe të re në historinë dhe në jetën shoqërore të kësaj treve. Trajtat bizantine të jetës, me sundimin e Osmanëvet sa venë po treten; ato zëvendësohen dalngadalë me trajta të reja, shumë më orientale, të jetës. Kjo aq më shumë, meqë me këtë sundim të ri edhe një fe e re erdhi e u shtrua vise-vise në këto anë: duke kontribuar edhe kjo në shkallë të lartë në ndërimin e strukturës sociale. Po ta vështrojmë shpërnguljen shqiptare në Itali nëpër prizmën e këtij procesi historik, ne do të shohim se ajo u krye kryesisht në shek. XV, në atë kohë, kur Osmanët shfaqen dhe sapo nisin të zënë rrënjë në Shqipëri. Ata që u shpërngulën, sapo kishin nisur të njihnin sundimtarin e ri të vendit. Shpërngulja pra u bë në një periodë kalimi, kalim nga jeta e krishterë bizantine në jetën turke-orientale. Gjurmët e këtij kapërcyelli ne i shohim më së miri në gjuhën dhe në poezinë popullore të Arbëreshëvet të Italisë. Sikurse dialektet e këtyre krahas me një buri të madhe fjalësh greke-bizantine kanë dhe një numër të pakët huazimesh turke, ashtu dhe te poezia popullore e tyre na pasqyrohet qartas gjendja historike e shoqërore. Te kjo poezi, që këta muarën me vete para vendosjes mirë të Osmanëvet në Shqipëri, na del përpara më një anë jeta mesjetare bizantine e Shqipërisë shprehur me atë thjeshtësi që ne admirojmë në këto këngë: më anë tjetër fillimi i një kohe të re, disi të egërsuar, kohë që lidhet me sundimin turk. Këtë kohë të re, të egërsuar në jetë edhe në poezi, në përmbajtje, në ndjenjë dhe deri diku edhe në formën e përjashtme të kësaj, ne do ta gjejmë më të fortë në Shqipërinë e kohës turke; te Shqiptarët e Italisë gjejmë fillimin e saj. Kështu pra, në poezinë popullore italoshqiptare neve na ruhet koha e mesjetës paraturke e vendit dhe krahas me këtë koha e parë turke. Pjesën më të rëndësishme të kësaj poezie popullore e përbëjnë këngët popullore. Ç’këngë këndohen te këta Shqiptarë në Itali? Ç’këndohet në këto këngë? Si në Shqipëri, ashtu dhe në Itali kemi lloje të ndryshme këngësh, veçse ato të Arbëreshëvet kanë, siç u tha, përgjithësisht një karakter më të lashtë, më arkaik nga këngët popullore të Shqipërisë. Kemi tek ata këngë epike, këngë lirike, këngë dasmash, këngë fetare, si
dhe këngë djepi, vaje etj. Këngët epike të vjetrat që përmendëm dhe më lart, të cilat i shpunë kolonistët e parë atje, mund të quhen dhe këngë historike, me heronj si Pjetër Vojvoda, Nik Peta, Pal Golemi, Rodovani etj., të cilët do të kenë qenë persona historikë. Në këto këngë përshkruhen me ngjyra të gjalla, sepse të jetuara vetë, luftrat e para që bënë Shqiptarët me Turqit në Shqipëri dhe në Greqi, që Shqiptarët e kanë quajtur gjithë kohën Moré. Na këndohet Shqiptari që lëfton për vend dhe Shqiptari renegat që lëfton në vendin e të parëve, si jeniçer turk-muhamedan, për
“zotin e madh”, rrëmbimi i vashave shqiptare prej ushtarësh turq, shumë herë duke dalë e rrëmbyera dhe rrëmbyesi motër e vëlla.
Në këngët lirike na përshkruhet trimi me vashën: Skenat e kroit në fshat, malli i fshehtë e i padëftuar, që lidhet me konditat shoqërore të Shqipërisë, siç do të kenë qenë edhe para kohës turke, përjetësia e dashurisë që shprehet në forma simbolike: mbi varr të trimit del qiparisi dhe mbi varr të vashës del “dhria e bardhë”, ku çlodhen dhe mbëlcohen me rrush udhëtarët që kalojnë s’andejmi. Të gjitha këto janë shprehur me një bukuri e thjeshtësi arkaike, së cilës rrallëherë i gjindet shoqe, dhe që te poezia popullore e Shqipërisë pasturke më nuk e shohim si këtu. Gjejmë nganjëherë dhe këngë humoristike, kështu kur këndohet martesa e plakut me një të re. Të bukura dhe të moçme janë dhe këngët e dasmëve. Këto, ashtu si shpeshherë dhe këngët e dasmës në Shqipëri, janë këngë korale, në të cilat kori i burrave ndërohet me korin e grave, duke marrë kënga kështu një karakter disi dramatik. Në këngët arbëreshe të dasmës dhëndri – si dhe në Shqipëri –
krahasohet me një petrit a një qift (skifter), nusja me thëllëzë. Me këtë simbolizohet zakoni i vjetër – diku-diku i gjallë edhe sot – i rrëmbimit të gruas. Këto krahasime i gjejmë kudo në
Ballkan. Janë të ardhura prej Orienti nëpërmjet Bizantit.
Kjo është poezia popullore e vjetra e Shqiptarëve të Italisë, ashtu siç na ruhet në këngët epike-historike, te këngët lirike dhe në këngët korale të dasmës. Vjetërsinë e kësaj poezie e dëshmon,
siç u tha, rrethana që shumë nga këto këngë i gjejmë si në Kalabri si në Siqeli, shumë herë me vargje krejt të njëjta e me të njëjtat fjalë. Një dëshmi tjetër e lashtësisë së saj është forma e përjashtme, vargu. Këngët që këndohen në Itali, sikundër na mëson Maximilian Lambertzi, janë me vargje gjashtë-shtatë e tetërrokëshe, që ndërohen me gjallëri të madhe me njëri-jetrin dhe që janë zakonisht vargje pa rimë. Në këtë kjo poezi ndahet kryekëput nga poezia popullore italiane. Siç dihet, poezia e popujve romanë, posaçërisht poezia italiane, bazohet kryesisht në numrin e rrokjeve dhe në rimë, duke mbetur akcenti në vartësi të plotë të atij numri. Po ta krahasojmë vargun arbëresh me vargun italian, do të shohim një ndryshim themelor, parimor në mes të këtyre. Vargu i poezisë shqiptare të Italisë nuk bazohet as në numër të rrokjeve as në rimë. Ai pështetet në një parim metrik fare të ndryshmë, në parimin e ritmit. Ritmi këtu konsiston në dy elemente kryesore: më një anë në akcent, me vendet e tij të caktuara mirë në varg dhe me rolin që lot
brenda këtij, duke i dhënë këtij vargu atë lëvizje dhe gjallëri dramatike, për të cilat shquhen këto këngë: më anë tjetër konsiston, siç duket, në kuantitet, në ndrimin e rrokjeve të gjata me të shkurtrat; sepse kuantiteti i rrokjeve që sot në Shqipëri, siç dihet, ka mbetur i gjallë në gegërishten, po që gjurma gjurma e gjejmë dhe në labërishten e çamërishten në Jugë, te
Shqiptarët e Italisë ruhet mirë dhe në të folurit e përditshëm….