Raporti i ‘Freedom House’ për Shqipërinë
“Një hapa para dhe një pas” është formula me të cilën raporti i Freedom House i hartuar nga ish analisti Blendi Kajsiu përshkruan zhvillimet politike që ndodhën vitin e kaluar në Shqipëri. Duke u kursyer në shembuj konkretë të hapave para, Freedom House përmend me emra ato që quan “hapat pas”, nisur nga zgjedhja e Ilir Metës president, përgjimet për Saimir Tahirin dhe zgjedhja e Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme me 69 vota në parlament. Shqipëria rreshtohet në kategorinë e vendeve me demokraci në tranzicion ose regjim hibrid. Në kapitullin për Shqipërinë të raportit të përvitshëm të organizatës Freedom House “Vendet në Tranizicion” – thuhet se: “Progresi i shënuar në luftën kundër kanabisit, u zhbë nga zbulimi se ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-italian të trafikut të drogës. Arritjet në luftën kundër korrupsionit në administratë u zbehën nga zgjedhja e Ilir Metës president, i cili, në perceptimin e shumë qytetarëve është një simbol i korrupsionit, ashtu edhe nga zgjedhja me një shumicë të thjeshtë në parlamentin e Shqipërisë të Prokurores së Përkohëshme më 18 dhjetor, gjë që minoi seriozisht besueshmërinë dhe pavarësinë e institucionit”
Raporti vazhdon duke kujtuar sulmet e Edi Ramës ndaj Ilir Metës në vitin 2011. “Vetë Rama e përshkroi Ilir Metën si simbol të gjithçkaje që është e kalbur në politikën shqiptare, një gjykim që e ndan edhe një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar”. Raporti vë në dukje edhe nuancat autokratike që pati vendimi për të zgjedhur Arta Markun në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe pafuqinë e opozitës dhe Ilir Metës për të penguar Edi Ramën. “PD në opozitë, duket në një proces shpërbërjeje pas rezultatit më të keq në 25 vite, ndërsa presidentit të ri i mungon kredibiliteti për ta penguar abuzimin me pushtetin nga ekzekutivi”, thuhet në raport. Interesant në raport është parashikimi për vitin 2018, ku shkruhet për rrezikun që qeveria të shtojë dozën e autoritarizmit, për shkak të rezultatit që mori në zgjedhjet e 25 Qershorit. “Për 2018, në Shqipëri janë dhënë premtime për një qeverisje më të mirë, por në të njëjtën kohë ekziston rreziku për kalimin në autoritarizëm. Me një mazhorancë solide në parlament, Partia Socialiste në pushtet dhe kryeministri i saj kanë shansin të çojnë përpara reforma për uljen e korrupsionit në gjyqësor dhe ryshfetin në administratën publike. Në anën tjetër, kontrolli i plotë që ka mbi partinë dhe shumica solide në parlament, e kombinuar me një kontroll të rreptë në qeveri, mund të çojnë në tendenca autoritariste që mund t’i çojnë institucionet e tjera shtetërore nën kontrollin e kryeministrit”. Në raport flitet për bllokimin e reformës në drejtësi, për kanabisin apo për lirinë e mediave. “Në vitin 2017, pronarët e mediave vazhduan të përdorin mediat e tyre për t’i bërë shantazhe qeverisë ose për ta detyruar atë që t’u bënte favore ekonomike”, thuhet në raport. “Kështu më 30 mars, parlamenti miratoi një ligj që jepte 5 milionë Euro për organet e medias në mënyrë që të lehtësonin kalimin nga transmetimet analoge në ato dixhitale. Dy përfituesit kryesorë të këtij fondi ishin familjet Hoxha dhe Frangaj, që kanë në pronësi dy stacionet kryesore televizive në Shqipëri, Top Channel dhe Klan”, thotë raporti. Autori i raportit që shpreh edhe qëndrimin e Freedom House për treguesit e demokracisë në Shqipëri është Blendi Kajsiu. I njohur për qëndrimet e tij publike deri disa vite më parë si analist politik, Kajsiu ka studiuar për shkenca politike dhe ka një PhD në Departamentin e Qeverisjes në Universitetin e Essex, në Angli. Në fund të raportit janë të gjitha shkrimet ku është bazuar materiali, kryesisht shkrime të portaleve, gazetave apo analiza mbi të cilat është bërë edhe përmbledhja e zhvillimeve politike dhe jo vetëm, që pasqyrohen në raportin e Freedom House. Më poshte linku ku mund të lexohet i plotë raporti në anglisht:
https://freedomhouse.org/report/nations-transit/2018/albania