Skënder Minxhozi: Andreoti, Freedom House dhe nervi i zbuluar i Metës
Ish kryeministri italian Xhulio Andreoti shprehej dikur se nuk duhet reaguar në asnjë mënyrë ndaj sulmeve dhe akuzave të kundërshtarëve, pasi rrezikon t’u bësh reklamë atyre. Dhe dhelpra e vjetër e politikës italiane e zbatoi me fanatizëm, sipas biografëve të tij, këtë parim gjatë gjithë jetës së tij legjendare politike. Por jo gjithkush e ka pasur dhe e ka instiktin dhe inteligjencën e Xhulio Andreotit, brenda dhe jashtë Italisë.
Në orët e fundit, presidenti Ilir Meta po bën pikërisht të kundërtën e aksiomës së vjetër andreotiane. Po ngrihet, së bashku me ish partinë e tij, kundër një raporti të Freedom House, një organizatë joqeveritare amerikane, ku shkruhet se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri u dëmtua me zgjedhjen e Metës kryetar shteti me votat e socialistëve.
Akuza është e rëndë, por edhe reagimi që po shohim është i shpërpjesëtuar. Rrethi i ngushtë i këshilltarëve të kreut të shtetit dhe zyrtarë të lartë të LSI kanë derdhur të gjitha bateritë kundër raportit në fjalë. Duke bërë pa dashje, që edhe ata shqiptarë që nuk i lexojnë më kurrë raportet e huajve për vendin tonë, të hedhin një sy në internet, për të gjetur aludimet ndaj presidentit Meta.
Gjëja që i duhet më pak Ilir Metës në këto kohë, është që të shfaqet sërish në llogoren politike të ish partisë së tij, në shoqërinë e Petrit Vasilit. Presidenti është përpjekur fort dhe gjatë në muajt e fundit, që të japë imazhin e shtetarit të distancuar nga partitë. Ai e ka ndjekur sherrin politik me qëndrime dukshëm më të ftohta se paraardhësi i tij Nishani, i cili bëhej pjesë me dëshirë e konflikteve mes PS e PD. Meta ka kthyer mbrapsht vetëm një ligj deri tani në Parlament, duke mbajtur një raport të ftohtë, por institucional me shumicën në qeverisje. Është e vërtetë që ai nuk e ka dekretuar ende kreun e SHISH, por fakti që ky i fundit vijon punën edhe pa dekretin presidencial në xhep, përbën një kompromis që nuk shqetëson askënd.
Zbritja në fushë e kreut të shtetit kundër një raporti të një organizate ndërkombëtare të pavarur, e cila prej vitesh u ve “nota” politikanëve shqiptarë, përbën një hap të gabuar, që më shumë i bën reklamë raportit të Freedom House, sesa e fsheh atë.
Aq më tepër, kur vetë raporti nuk le pa goditur as qeverinë, duke i kujtuar asaj rastin Tahiri, autoritarizmin e Ramës dhe mënyrën e zgjedhjes së kryeprokurores Marku. Në raport ka shigjeta për të gjithë, nga i pari tek i fundit. Mjafton të thuhet që vijon të na quajë “një regjim hibrid”, ku “çdo hap përpara, u zhvlerësua nga një hap pas”.!
Mediat kanë aluduar orët e fundit se Meta ka një “nerv” të zbuluar ndaj çdo shkrese me kokë që vjen nga matanë Atlantikut, duke sjellë në vëmendjen e publikut një letër të pretenduar të Adriatik Llallës për Kongresin Amerikan, ku ky i fundit citohet të ketë thënë se ambasadori Donald Lu i ka kërkuar dikur “arrestimin e Ilir Metës”.
A është kjo rrethanë shkaku madhor i ndjeshmërisë së Presidentit ndaj lidhjes që i bën Freedom House zgjedhjes së tij si kryetar shteti, me dëmtimin e luftës ndaj korrupsionit në Shqipëri? Ndoshta po, ose me gjasë shkaku mund të mos jetë një episod i vetëm që e lidh Ilir Metën me amerikanët, por më shumë fytyra e ngrysur e tyre prej vitesh, teksa flitej për kryetarin e LSI dhe skandalet e tij të përfolura.
Nuk përbën lajm në ambjetin politik shqiptar, se marrëdhëniet e Metës me SHBA kanë qenë tradicionalisht të bazuara mbi dyshime dhe mosbesim. Vizitat e shpeshta të ish-kreut të Kuvendit në SHBA, përfshirë intervistat e sikletshme në Zërin e Amerikës, vetëm sa e bënin më të fortë përshtypjen se këto marrëdhënie ishin të sforcuara dhe të paragjykuara nga pala amerikane.
Për fatet e Ilir Metës, Edi Ramës apo Lulzim Bashës, me shumë gjasë nuk ka asnjë rëndësi se çfarë shkruan një raport i caktuar, në një moment të caktuar. Kudo ku të jetë shkruar ai. Rëndësi ajo që bëjnë (ose që nuk bëjnë!) këtu, në Shqipëri, e që është produkti i karrierave të tyre politike. Të sulmosh organizmat që prodhojnë raporte, është më së paku një harxhim kohe. Dhe më së shumti, një reklamë indirekte, të cilën plaku i mençur Andreoti, me siguri që do ta kishte kursyer.