Spartak Ngjela: Reforma do t’i kapë të gjithë bashkë
Bombardimi i Sirisë nga avionët amerikanë, britanikë dhe francezë, i “varrosi” në Tiranë edhe shpresat e marra të korrupsionit të lartë shqiptar.
l.
Në disa biseda televizive dhe në shumë statuse këtu në FB, unë e kam deklaruar gjendjen financiare mizerabël të Rusisë. Dhe, për këtë, më janë “hedhur në grykë” me kundërshtime politike gati patologjike, politikanë të trembur nga reforma, por edhe gazetarë e analistë politikë që nuk e dinë se politika është shkollë.
Por ja që pasioni dhe frika i dëmton gjithmonë mendjet e vobektësisë intelektuale.
Por, çfarë shkaktoi ndërkombëtarisht bombardimi i Sirisë?
Bombardimi amerikan i Sirisë i datës 13 prill, bashkë me shkatërrimin psikologjik të Rusisë dhe vetë Putinit; shkallmoi psikologjikisht dhe:
Beogradin, Shkupin, Athinën, por tulati thekshëm edhe korrupsionin madhor shqiptar – të gjithë bashkë – Berishën, Metën, Bashën. Kurse Edi Ramës i tha politikisht: “rri mirë ti derëzi, dhe nënshtroju fatit tënd!”.
Por ka edhe më tepër se kaq.
Nën një prizëm të politikës globale ky bombardim duket se ngre siparin për zgjidhjen me anë të forcës të krizës së Lindjes së Mesme. Ka një konfuzion sot në këtë zonë, por gjithsesi mendimi politik amerikan dhe ai perëndimor duket sikur u bashkuan në një pikë: ushtrimi i forcës.
Historia na ka treguar se maturia e tepërme për të ushtruar forcën, i jep të dobëtit armën e intrigës. Dhe kështu veproi edhe politika ruse në këtë kohë dilemash perëndimore.
Por forca e ushtruar kundrejt Sirisë dha edhe në Shqipëri rezultat pozitiv.
ll.
Që pardje, më datë 13 prill, në funksion të antikorrupsionit, historia e ecurisë së Reformës drejt Perëndimit në Shqipëri ka bërë dy hapa të mëdhenj përpara: së pari – nga bombardimi i Sirisë dhe falimentim i Rusisë në këtë rast, u tulatën në Tiranë antiamerikanët politikanë të lartë, gazetarë të lidhur me korrupsionin kryeministror shqiptar, redaksi gazetash e televizionesh, dhe të gjithë “revolucionarët haxhiqamilistë” që kërkojnë të bëjnë revolucion antiamerikan në Shqipëri. Së dyti – u lajmërua hapja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian më 17 prill të këtij viti; dhe erdhi gjithashtu menjëherë edhe ftesa që kancelarja gjermane Merkel i ka bërë kryeministrit shqiptar që ky të vizitojë Berlinin në fund të këtij muaji.
Për të gjithë rrafshin antireformë në Shqipëri, ky ishte një mat në shahun aktual politik.
Ishte vërtet një mat, sepse një kor i madh të korruptuarish të Tiranës kishin kërkuar ndihmë në Moskë. Por çfarë ndihmë mund t’u japë Moska disa hajdutëve shqiptare që nuk i pranon më koha shqiptare sepse kanë abuzuar me paratë e një populli të varfër?
Dhe shenja e parë u dha dhe në Shkodër: revolucioni haxhiqamilist i Saliut dhe Bashës nuk e nisi dot rrugën nga qyteti i Parë i përzgjedhur prej tyre për të filluar një revolucion antiamerikan. Po pse, këta të trembur, i dinë me Moskën shkodranët?!
Një dhe, dy ditë më parë, në funksion të revolucionit haxhiqamilist, Meta dhe Berisha nxorën Llallën që të lajmëronte se Amerika dhe Bashkimi Europian kanë dashur të arrestojnë Saliun dhe Metën.
Saliu priti që, pikërisht për këtë, të ngrihej Shkodra dje; e mandej me radhë të gjithë qytetet. Por ja që Shkodra nuk e përcolli fare “fatkeqësinë” e Saliut. Dhe kjo sigurisht që tregon se shkodranët qenkan dakord me arrestimin e Saliut.
Kurse në Tiranë ka tulatje: ta vazhdojnë apo jo rrugën e revolucionit. Por komedia erdhi dhe u shkrua si një parodi që kaloi nga beteja e miellit në Parlament, te falimentimi i Rusisë në Siri. Dhe mos mendoni se nuk kanë lidhje psikologjike. Është e njëjta psikologji, se Saliu dhe Meta prisnin me ditë që Rusia të sfidonte Amerikën në Siri. Sepse është e qartë që, armët kimike, Putini i hodhi kundër njerëzve të pafajshëm në Siri. I hodhi, dhe paralajmëroi përplasje ushtarake në rrafsh global po të goditje Siria. Saliu mori zemër dhe me miell shpalli në Parlament revolucionin e tij antiamerikan. Por sigurisht që dihet se i urituri në ëndërr gjithmonë sheh kullure.
Mjeranë më të mëdhenj se të korruptuarit qeveritarë të Shqipërisë së sotme, nuk besoj se ka parë Europa që pas Luftës së Dytë Botërore; sepse, as eksponentët e lartë të qeverive komuniste nuk janë katandisur në gjendjen që shohim sot në Tiranë Saliun dhe taborin e tij; por, edhe vetë Edi Ramën, që vërtitet si fëndyell sa nga Saliu te Amerika.
Komedi e madhe është kjo, por, nisur nga shtypi, më rëndë e paskan përjetuar thyerjen e Moskës në Siri ata analistët politikë që e nisin analizën nga shtëpia e tyre, vijojnë në lagjen e tyre, dhe në fund përfundojnë te gazeta, televizioni apo te portali që drejtojnë.
Gjendje më qesharake se kjo nuk ka përjetuar ndonjëherë klasa politike shqiptare. Por shqiptarët ama, janë drejt shpëtimit të tyre historik.
lll.
Si do të vijojnë punët këndej e mbrapa?
Sigurisht që “trompave të Saliut do t’iu vendoset sordina”, kurse Rama kokulur do të pranojë të nënshkruajë marrëveshjen me Bashkimin Europian, do të dëgjojë Merkelin pa e patur mendjen fare të fjalët e saj, dhe do të vijë në Tiranë që të presë fatin e tij sipas shprehjes së Dante Aligerit: “merre jetën ashtu si të të vijë!”
Sigurisht as Rama nuk ka më të ardhme politike; sepse nga mediokriteti pasionant mendoi që pushteti i tij do të zgjasë sa jeta politike e Saliut. Por brenda kësaj devize, është kapur në korrupsion. Reforma do t’i kapë të gjithë bashkë.
Kam përshtypjen se, nisur nga pozitat e forcës, këtë do t’i thotë Ramës edhe kancelarja gjermane në fund të muajit. Pse, a nuk ishte Merkeli që tha kohët e fundit se “shqiptarët e zgjuar po drejtohen nga budallenj”. Dhe, ju mendoni se ajo ka frikë që t’ia thotë Ramës në sy këtë, kur e di që ky frenoi një vit Reformën në Shqipëri?