Vazhdon diareja, LSI i ikin edhe këshilltarët e Lezhës
5 këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Lezhës, 2 të LSI, 1 i G-99, 1 i partisë ardhmëria shqiptare si dhe një tjetër këshilltar i partisë së personave me aftësi të kufizuara, kanë zyrtarizuar largimin nga forcat respektive politike për t’iu bashkuar PS.
“I bashkohemi PS për dy reforma madhore, reformën në drejtësi dhe integrimin e vendit”, thanë këshilltarët.
“Vullneti i këtyre personave është një vullnet për t’iu afruar më shumë zbatimit të reformave për të cilat po punon Qeveria”, deklaroi nga ana tjetër, Eduard Ndreca, kreu i PS-së në Lezhë.
Në zgjedhjet e 2015-s Këshilli i Bashkisë së Lezhës rezultoi i fragmentizuar masivisht, ku 41 këshilltarë ishin rezultat i shumë forcave politike, konkretisht mbi 20 të tilla.
Me afrimin e 5 këshilltarëve të rinj, tashmë PS ka 10 anëtarë, PD 7 mandate, LSI 4 dhe Ora e Shqipërisë 4.