Çmimi ‘Pulitzer’ i gazetarisë fitohet nga ‘New York Times’ dhe ‘New Yorker’
Fituesit e çmimit “Pulitzer” për këtë vit janë gazetat, ‘New York Times’ dhe ‘New Yorker’. Dy të përditshmet amerikane u vlerësuan për publikimin e skandalit të vitit, që çoi në “shembjen” e producentit të famshëm Hollywoodian Harvey Weinstein, i cili ishte akuzuar nga shumë aktore për ngacmime seksuale.
Në 5 tetor të 2017-s do të publikoheshin lajmet e para nga e përditshmja newyorkeze, nën firmën e Jody Kantor e Megan Twohey. Ndërsa një skup akoma dhe më i fuqishëm do të vinte 5 ditë më pas, nën gërmat e gazetarit Ronan Farrow, i biri i aktores Mia Farrow. Kështu, skandali do të shtrihej, duke patur jo vetëm një impakt global por edhe duke themeluar lëvizjen kundër ngacmimeve seksuale “Me Too”.
“National Reporting”, një tjetër çmim ky i rëndësishëm, shkoi për “New York Times” dhe “Washington Post”. Vlerësimi i këtyre dy gazetave të mëdha erdhi falë botimeve të një sërë artikujsh mbi Russiagate, si dhe të kontakteve të stafit elektoral të Trump-it me Kremlinin.
Në fund, duke mos u pritur aspak, juria ka vlerësuar me “Pulitzer” reperin Kendrick Lamar për albumin e tij “DAMN”, publikuar më 14 prill të 2017-s. 30-vjeçari u vlerësua si një nga zërat më përfaqësues të komunitetit me ngjyrë në SHBA.
http://www.pulitzer.org/news/announcement-2018-pulitzer-prize-winners