Ekskluzive-Vangjush Dako nën hetime
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, pritet që të arrestohet së shpejti. Ky është pretendimi i kreut të Opozitës, Lulzim Basha, i cili e ka shfaqur gjatë komandimit të Ferdinand Xhaferrit në krye të PD –së, dega Durrës. Emri i Dakos është lakuar edhe më herët si objekt hetimi nga organi i akuzës në Kosovë. Pak kohë më parë u tha, se Vangjush Dako ka dalë krejt rastësisht në përgjimet që po kryente një prokuror në Kosovë. Dako, u tha se kishte rënë në kurthin e prokurorisë, gjatë përgjimeve të një grupi trafikantësh kosovarë, të cilët transportonin drogë nga Kosova në drejtim të Durrësit. Teksa u vunë nën përgjim edhe disa pjesëtarë të grupit kosovar që vinin në Durrës për lëndën narkotike, u evidentuan edhe telefonatat e dyshuara me kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Përgjimet mendohet se janë zhvilluar në periudhën e zgjedhjeve dhe personat me të cilët komunikonte Vangjush Dako dyshohet se janë përfshirë edhe në skema të blerjes së votave. Në skenarin e përfolur thuhet se në lojë, u fut edhe EULEX-i, i cili kërkoi të merrte në ngarkim dosjen, pasi në të ishte përfshirë një zyrtar i lartë shqiptar. Mirëpo, në një prononcim për CNA.al, misioni i EULEX –i, mohoi të kishte dijeni për një çështje të tillë. Pretendimin që Dako është nën hetime nga autoritetet e Kosovës e ka hedhur poshtë edhe Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi. I kontaktuar nga CNA.al, Lumezi ka thënë se nuk kanë të dyshuar, të identifikuar me emrin Vangjush Dako. “Z.Dako nuk është i identifikuar si i dyshuar në regjistrin e PSRK (Prokurorisë Speciale të Kosovës). Sa i përket ndërmarrjes së ndonjë veprimi procedural nga autoritetet e Kosovës për nevojat e organeve ndjekëse në Shqipëri nuk kemi ndonjë informacion”, ka thënë kryeprokurori Aleksandër Lumezi. Ndërkaq, Vangjush Dako pritet të kandidojë për të katërtën herë, në zgjedhjet vendore, për të udhëhequr Bashkinë e Durrësit./CNA.al