Albspirit

Media/News/Publishing

Krim dhe mosndëshkim për luftën e Irakut

PETER SINGER

Me caktimin së fundmi si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare nga Presidenti Donald Trump të John Bolton, i cili luajti një rol kryesor në nisjen e luftës në Irak nga SHBA, paraqiten kërcënime përshkallëzimi të politikave, që ligji ndërkombëtar do t’i shihte si krime të ndëshkueshme.

Muajin e shkuar, New York Times shënoi 15-vjetorin e luftës në Iraku me një artikull prekës nga Sinan Antoon, një novelist irakian që jeton në SHBA, të titulluar “Pesëmbëdhjetë Vite më Parë, Amerika Shkatërroi vendin Tim”. Antoon kundërshtoi si diktaturën brutale të Saddam Hussein dhe pushtimin e kryesuar nga SHBA të vitit 2003, që futi vendin në kaos, shkaktoi tensione etnike dhe vra qindra mijëra civilë. Duke destabilizuar rajonin, lufta i dha mundësi fuqizimit të Shtetit Islamik, i cili pastaj zaptoi një pjesë të konsiderueshme të territorit irakian, duke vrarë kundërshtarët, përmes përpjekjeve të gjenocidit kundër minoritetit Yazidi dhe duke përhapur terrorizmin nëpër botë.

Lufta për të rrëzuar Saddamin ishte padyshim një gafë tragjike. Antoon shprehet se ishte gjithashtu një krim. Nëse kjo është e saktë, autorët janë ende të lirë. Pak amerikanë do ta merrnin seriozisht vlerësimin se presidenti Xhorxh. W. Bush dhe anëtarë të tjerë të administratës së tij – përfshirë zv.presidentin Dick Cheney, sekretarin e mbrojtjes Donald Rumsfeld dhe John Bolton, së fundmi i caktuar nga presidenti Donald Trump si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare – janë kriminelë lufte. Ashtu siç nuk do ta mendonin shumë britanikë kryeministrin Tony Blair në këtë këndvështrim. Megjithatë çështja që i mbështet këto akuza se kanë kryer një krim është çuditërisht mjaft e fortë.
Ideja se është krim të nisësh një luftë nga agresioni daton të paktën në 1919, kur Traktati i Versajës bëri që Kaizer Vilhelmi II të dilte në gjyq për “një shkelje supreme kundër moralit ndërkombëtar”. Një gjyq i tillë nuk ndodhi pas Luftës së Parë Botërore, por pas luftës së dytë, nisja dhe nxitja e luftërave të agresionit ishte një nga katër kauzat mbi të cilat, gjatë gjyqeve të Nurembergut, Tribunali Ndërkombëtar Ushtarak dënoi me vdekje 12 liderë nazistë, mes të tyre rajhu Hermann Göring, ministri i jashtëm Joachim von Ribbentrop dhe marshalli Wilhelm Keitel.

Pas gjyqeve, Komisioni i Ligjit Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara kodifikoi parimet ligjore bazë në një dokument të njohur si Parimet e Nurembergut. Parimet thonë se kushdo që kryen një krim nën ligjin ndërkombëtar është përgjegjës për të dhe duhet ndëshkuar, pavarësisht legjitimitetit të sjelljes së tyre sipas ligjit vendas ku ata vepruan. Dokumenti përmend disa krime nën ligjin ndërkombëtar, përfshirë “planifikimin, përgatitjen, nisjen apo nxitjen e luftës në shkelje të traktateve ndërkombëtare, marrëveshjeve apo garancive” dhe “pjesëmarrje në një plan të përbashkët apo konspiracion” për të nisur apo nxitur një luftë të tillë.

SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar luajtën role kryesore në Gjyqet e Nurembergut. Nëse ato dështojnë të aplikojnë të njëjtat standarde te liderët e tyre, a nuk është kjo hipokrizi?
Pushtimi i Irakut ishte një akt agresioni kundër një vendi që nuk po sulmonte apo kërcënonte të sulmonte një vend tjetër. Ishte gjithashtu një shkelje e Kartës së OKB, që përfshin deklaratën: “Të gjithë anëtarët duhet të mos përdorin në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare kërcënime apo përdorim force ndaj integritetit territorial apo pavarësisë politike të çdo shteti, apo në çdo mënyrë tjetër që nuk përputhet me Qëllimet e Kombeve të Bashkuara. Bush dhe Blair kërkuan autorizim të Këshillit të Sigurisë për sulmin, duke pretenduar se Iraku ishte në shkelje të marrëveshjes së vet për çarmatim. Por Franca, Kina dhe anëtare të tjera të Këshillit të Sigurisë refuzuan, duke argumentuar se inspektorët e armëve atëherë në Irak duhej të lejoheshin të vazhdonin punën e tyre për të zbuluar nëse Saddam kishte armë të shkatërrimit në masë. Megjithatë, Bush dhe Blair çuan përpara sulmin.

Bolton, në atë kohë Nënsekretar i Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, ishte pjesë e “planit të përbashkët” për të zhvilluar një luftë agresioni. Ai zbuloi me analistët e inteligjencës që nuk ishin dakord me atë që administrata Bush donte që ata të mbështesnin. John Prados, pranë Arkivave të Sigurisë Kombëtare të Universitetit Xhorxh Uashington e ka komentuarkëtë: “Analistët që punonin në inteligjencën e Irakut nuk mund të fajësohen se u shprehen se karrierat e tyre do të ishin në rrezik nëse jepnin përgjigje të ndryshme nga ato që administrata Bush donte të dëgjonte”. Administrata Bush kërkoi prova false dhe deformuese të të vërtetës, kryesisht përmes falsifikimit të dokumenteve me qëllim që ta shfaqnin Irakun sikur po kërkonte të blinte uranium nga Nigeria, për të justifikuar vendimin e paracaktuar për të pushtuar Irakun e pasur me naftë.

Blair e justifikoi pushtimin si të nevojshëm për të ndaluar krimet e Saddam ndaj njerëzimit. Në një libër kujtimesh të Gareth Evans, ish-ministër i jashtëm Australian dhe autor kryesor i doktrinës “Përgjegjësia për të Mbrojtur” që është tani baza e mendimit ndërkombëtar për çështjen kur është e justifikueshme një luftë e ndërhyrjes humanitare, e ka hedhur poshtë atë pretendim. Ai pranoi se Saddam kreu krime në vitet 1980 dhe në fillim të viteve 1990 që do ta kishin justifikuar ndërhyrjen, por në vitin 2000 sjellja e tij “nuk ishte më skandaloze se ato të liderëve të tjerë që shkelnin të drejtat e njeriut në botë”.

Nuk ka gjasa që Bush, apo ndonjë anëtar tjetër i administratës së tij të dalin në gjyq për krime të nxitjes së një lufte agresive. Vendi i zakonshëm për një gjyq të tillë është Gjykata Ndërkombëtare Penale. Megjithëse presidenti Bill Clinton nënshkroi traktatin e krijimit të kësaj Gjykate, administrata Bush e tërhoqi nënshkrimin dhe SHBA nuk është ende pjesë e traktatit.

Kjo nuk do të thotë megjithatë, se nuk ka kuptim të diskutojmë natyrën e konsideruar kriminale të sulmit të Irakut. Tensionet ndërkombëtare janë rritur që kur Trump mori detyrën. Caktimi i Bolton do t’i përshkallëzojë ato edhe më tej, duke marrë parasysh pikëpamjet e tij të ashpra ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut. Kjo është një kohë kur duhet ta kujtojmë veten se nxitja e një lufte është shpesh një gafë dhe gjithnjë mbetet krim, edhe nëse krimi kalon pa u ndëshkuar./Project Syndicate/

Please follow and like us: