Dhunë kundër hebrenjve? – Gjermania duhet të vendosë
Në mes të ditës në Berlin: një i ri arab heq rripin e pantallonave dhe godet një njeri me kipa. Kryeredaktorja është e shqetësuar si do të vejë puna më tej në vendin tonë.
Është bërë pjesë e trishtë e jetës së përditshme, që në internet shfaqen video, të cilat dokumentojnë ekseset antisemite në Gjermani. Njëherë djegin një flamur hebre, njëherë tregohet një burrë që shan pronarin e një restoranti hebre, që flet për dhoma gazi. Çdo herë ato shkaktojnë një valë shqetësimi. Politikanë premtojnë se do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur hebrenjtë në Gjermani. Tërheqin vëmendjen për historinë, për përgjegjësinë, caktojnë edhe një të ngarkuar të posaçëm kundër antisemitizmit, shpallin iniciativa informimi e arsimimi. Dhe flasin për sfida komplekse, të cilat ekzistojnë në këtë vend, i cili pranon vetëm tani dhe tepër vonë zyrtarisht se është vend imigrimi.
Një urrejtje e natyrshme e pafrikë
Videoja aktuale tregon me brutalitet se të gjitha këto nuk do të mjaftojnë për t’i kundërvënë diçka urrejtjes së natyrshme të pafrikë, të cilën njerëzit si ky i ri e shprehin pa rezerva kundër hebrenjve: në zemër të Berlinit, në një shesh me gjallëri dhe në mes të ditës një arab i ri rreh një të ri, i cili mban kipa, dhe në këtë mënyrë duhet të supozosh që është hebre. Ai nuk mban maskë. Përkundrazi – e di që po e filmojnë, viktima ja mban para fytyrës kamerën e celularit. Dhe thërret disa herë qartë: “Po filmoj, po filmoj!”. Është shumë e dukshme që dorasit aq i bën që akti i tij po dokumentohet, që do ta dallojnë se kush është dhe me shumë gjasa policia do ta gjejë.
Çfarë po ndodh aktualisht në Gjermani? Kjo video është një dëshmi tronditëse që shoqëria gjermane duhet të gjejë urgjentisht përgjigje të tjera, që të mund t’i ruajë rregullat bazë të bashkëjetesës sonë. Dënimet e zakonshme duket se nuk mjaftojnë për t’i frikësuar doras të tillë.
Ndoshta e kupton më mirë po të hedhësh një vështrim në oborret e shkollave. Mësuese dhe mësues ka vite që përpiqen që ta sensibilizojnë opinionin që sa e natyrshme është bërë ndërkohë që të rinjtë ta shajnë njeri tjetrin me fjalën “hebre”. Edhe një vështrim në tekstet e muzikës rap dëshmon se po braktiset gjithnjë e më shumë konsensusi shoqëror që shprehjet antisemite nuk kanë punë në këtë vend Dhe që këto shprehje nuk duhen relativizuar dhe në këtë mënyrë nuk duhen pranuar në asnjë rrethanë.
A do të luftojë Gjermania për vlerat dhe për liritë e saj?
Do të ishte gabim të thuash që një hebre sot duhet të presë që ta sulmojnë në rrugët e Gjermanisë, po të jetë e dukshme se cilës fe i përket. Po do të ishte po kaq e gabuar që të thuash se një hebre në parim nuk duhet të ketë frikë se do ta sulmojnë në rrugët e Gjermanisë sapo bëhet e dukshme feja e tij.
Dhe e saktë është pa dyshim që instrumentat ekzistuese nuk mjaftojnë. Gjermania ka mbërritur në një pikë, në të cilën duhet të vendosë se sa qartë është e gatshme të luftojë për vlerat e saj të civilizimit dhe për liritë sociale.