Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: Po zhduken shpifsit pa kërkue falje!

Image result for IMZOT ERNESTO ÇOBA

 

 IMZOT ERNESTO ÇOBA

(1913 – 1980)

 

1913 KUR SHKODRA RRAHEJ ME TOPA NGA MALI I ZI…

16 SHKURT 1913: U LE IMZOT ERNESTO ÇOBA NË VAUN E DEJËS…

Jo larg nga Kisha ku asht kenë kunorzue Gjergj Kastrioti, besnik i të cilit Imz. Çoba ka qendrue deri në vdekje, edhe pse gjithë jeta i kaloi nen armët e pushtuesve gjaksorë.

Asht shugurue Meshtar në vitin 1936 në Kishen e Jezuitëve. Në 1946 asht me detyra pranë Argjipeshkvisë së Shkodres, deri me 20 Prill 1952 që shugurohet Ipeshkëv nga Imzot Bernardin Shllaku, të cilin e zevendson mbas vdekjes së Tij me 21 Mars 1967, kur me “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare” të vitit 1951, Ai emnohet Kryetar i Kishës.

7 Prill 1858 ishte dita e vumjes së gurit të parë të Kishës Kathedrale të Shkodres, kur Imzot Ernesto Çoba filloi detyrën në pragun e 100 vjetorit të Asaj Kishë, që asht thirrë Kisha e Madhe. Merita e pergatitjes së asaj festë i përket Imzot Çobës, i cili me punën e madhe të Tij dhe kujtimin që ka lanë në historinë e Shkodres, do të thohet pa mdyshje se asht i paharrueshëm në zbukurimin e Kishës dhe zhvillimin e ceremonive të Festës. Imzot Çoba ka dy merita për punën artistike që u ba në ndertimin e Elterit të madh simbas projektit të arkitektit, piktorit dhe skulptorit Kol Idromeno, që kishte dhe lidhje fisnore me Imzot Ernesto Çobën, vepër që lidhej me tavanin e mbrekullueshëm të Kathedralës që ishte punue nga vetë Kola. Njëkohësisht sfondi i Elterit i punuem nga piktori At Leon Kabashi, kuadri i madh i vendosjes së gurit të parë nga piktori Simon Rrota, punimi i katekizmit ndër shtyllat e Kishës, për mungesën që dihet se nuk mund të botohej asgja për me mësue besimin fëmijët e rinia, janë vepra që meritojnë me u quejtë dinjitoze dhe shumë të guximshme tue dijtë edhe luftën e madhe që i bahej Kishës dhe Klerit nga shteti fanatik komunist i Tiranës. Por Imzot Çoba nuk mjaftohet me kaq, Ai njëkohësisht pergatitë në kushte private, përndjekje dhe survejimi disa klerikë të rijë, në një kohë që nuk ka as seminar, as profesora dhe as tekstet e nevojshme që duhen për atë qellim. Ai shuguroi: Don Simon Jubani, Don Matish Lisna, Don Martin Trushi, Don Ernest Troshani, Don Zef Simoni, Don Ndoc Nogaj, Don Luigj Kçira, Don Ndoc Volaj, Don Kolec Toni etj. si dhe dy Martirët e Kishës Don Marin Shkurti e Don Mikel Beltoja, që u pushkatuen nga komunistët tue lanë vetën të perjetshëm në Historinë e Kishës Katolike në Shqipninë e masakrueme. Imzot Çoba thonte meshë e sakramend, rrëfente, predikonte fenë dhe gjindëj kudo në rrugicat e qytetit tue shkue me kungue të sëmurët apo të pamujtunit me shkue ndër Kisha që survejoheshin nga shteti e sigurimi, e që tue u rrezikue puna rrezikohej buka e gojës.

Kjo luftë sa vjen dhe bahet ma barbare me “Revolucionin Ideologjik dhe Kultural”, që merr edhe pamjen e plotë të diktaturës terroriste komuniste me 19 Mars 1967, ku shteti merr çelsat e Kishës Kathedrale, tue i mbyllë të gjitha Kishat e vendit me dhunë.

Me mbylljën e Kishave, sigurimi kerkoi me gjetë shpifës në Shkoder, kundër Imz. Çobës dhe disa klerikëve të njohun… Besoj se shkodranët nuk e harrojnë fjalën e Burrneshës muslimane Adile Ashikja, në mbledhjen e lagjes së saj, kur i kërkohej me shpifë kundër Imz. Çobës: “Unë kam shkue me lypë tek Ai paret e bukës dhe Ai më dha ma shumë se i kerkova….Ju sot, kerkoni që Buken që më fali, me ia shperblye me shpifje! Ai asht kenë dhe mbetët për mue një Meshtar i Nderuem i Fesë Katolike në Shkoder!”

Kur shteti mori edhe çelsat e Argjipeshkvisë, Imzot Çoba ndodhët përballë Sigurimit të Shtetit që përfaqsohet me komunistin servil dhe hipokrit Angjelin Kumrija, në kontrollin që ushtrohet në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres. Ky dallkauk e spijun arrinë deri aty sa kur kontrollon dhomën e punës së Imzot Çobës, kërkon me ushtrue në mënyrë të paturpëshme kontroll në trupin e Imzotit të Nderuem, tue e detyrue me çveshë pantollonat, se mos ka mshef gja në….dhe, me të drejtë Don Mark Hasi i ka thanë ato ditë Nanës sime: “Ate që na ka ba atë ditë Angjelin Kumrija nuk na e ka ba as Sigurimi i shtetit!” por, kjo nuk ishte vepra e parë e tij si “besnik” ndaj Sigurimit.

Organizohet një mbledhje në vitin 1967, mbas arrestimit të Sekretarit të Kishës, Don Mark Hasit me 7 Prill 1967, tek shkolla Pyjore për demaskimin e Imzot Çobës. Si kudo ndër ato mbledhje nuk mungojnë as shpifsit, dhe as spijunët ordiner të PPSH në ato salla, ku mbas “duertrokitjeve” të tyne, klerikve iu venin prangat xhelatët e Sigurimit të shtetit. Por, krejt ndryshej ndodhë me Imz. Çoben, kur asht pergatitë terreni për arrestim në atë mbledhje, çohet në kambë shoferi trim Dedë Gjushi dhe, deklaron: “Sot njëkëtu, nuk guxon kush me i vue prangat Imzot Çobës!” dhe me të vërtetë “nuk guxoi askush!”. Akti i Dedës tronditi edhe ideatorët e arrestimëve, ndonse “ky emën Hero!” nuk zehet me gojë…(F.R. “Një Monument nën dhé”, fq. 304, v. 2004)

Në shfletimet e proceseve të viteve 1957, 1958 e prap ma vonë, nga deponimet false të At Rrok Gurashit, Don Ndoc Sahatçisë etj., dhe një letrës së shkrueme nga Ndoc Nogaj e Gjon Shllaku, në vitin 1958, kur këta dy largohen nga Argjipeshkvia, (letër e cila ruhet në Arkivin e Shtetit Tiranë e jepet lirisht për me u lexue për “përmbajtjen e saj”), mbi këta akte të turpëshme Sigurimi i shtetit krijon mundësinë e arrestimit të Imzot Çobës, dhe “fajsia e Tij” formulohet mbi bazën e shpifjeve e trillimeve, kështu, flet arresti lëshohet me datën 3 Prill 1976 dhe arrestimi bahet me datën 24 Prill, tue u akuzue për “trathti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor…”. Bashkë me te arrestohen edhe priftën tjerë. Një ndër to asht Don Lec Sahatçija, ish Sekretar i Imz. Frano Gjinit dhe ruejtës i dy letrave të Tija, të cilat me këte rasë zhduken, mbasi Don Leci nuk doli ma nga burgu, vdiq i dënuem 25 vjet, por duhet theksue se Ky prift mbajti qendrim burrnor edhe ndaj Imzot Çobës, gja të cilën të tjerët edhe pse ishin shugurue nga duert e Tija me ndonjë perjashtim, në gjyq nuk e bane, madje, gjatë zhvillimit të gjyqit me dyer të mbylluna edhe e randuene Imzot Çoben me akuza false, për të cilat Ai u dënue 25 vjet burg, por edhe vdiq i pafajshëm i shtrimë ndër çimentot e birucave të qelive të Sigurimit të shtetit. Fjala e Tij në gjyqin kunder Tij, besoj i kujtohet shpifsave:

“Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirtë me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje!”. (Dosja 3359/1 Arkivi i Min. Mbrendshme Tiranë, 1998). Vetem Ky ishte Imz. E. Çoba!

Imzot Ernesto Çoba me po aq Burrni asht i patundun në bankën e t’akuzuemve para Kryetarit Sheuqet Muçi, anëtarit Xhemal Gramshi dhe prokurorit të “Revolucionit Kultural”, të njohtunit Faik Minarolli. Ja qendrimi i vërtetë i Martirit Çoba, i cili nuk akuzon asnjë njeri, nuk fyen me asnjë fjalë asnjë nga shpifsit, nuk randon asnjë nga dëshmitarët e rremë dhe nuk denoncon asnjë nga veprimet jo të mira ose të dobta të shokve të vet klerikë, që akuzohet se ka heshtë ose nuk ka marrë masa ndeshkimore. Asnjë qytetar apo fshatar i Shkodres nuk asht viktimë e Tij, sëpse Ai, gjenë forca me rezistue dhe mos me folë për asnjë njeri e, mos harroni se zyra e Tij asht kenë e hapun për katolik e musliman të të gjitha monstrave e modeleve të Shkodres. Ai asht i vetdijshëm se ndodhët në atë bankë vetem pse asht Klerik Katolik dhe armik i vëndosun i komunizmit, me të cilin asnjëherë nuk ka ba asnjë kompromis në asnjë kohë. Ai asht i pastër moralisht dhe shpirtnisht para shokve, miqve, armiqve dhe mbarë Popullit Shqiptar, të cilve iu ka sherbye si fetar dhe Shqiptar, prandej edhe me gjakftohtësi pret vendimin e “pafajsisë së Tij” tue Ju nënshtrue vullnetit të Zotit,  edhe pse i dënuem me 25 vjet heqje lirie, tue kenë me një gjendje shëndetsore shumë të randë  dhe, si pasojë e vuejtjeve me datën 8 Janar 1980, Sigurimi i shtetit e mbytë edhe Këte Martir si shumë të tjerë, në një nga repartet e Spitalit Civil të Tiranës.

Në librin “Çinarët”, fq. 130, At Konrrad Gjolaj shkruen: “…Tregonte radiologu i spitalit të Shkodres, sesi një ditë erdhën dy oficera me një thes në radiologji. I kishin thanë me ba një radiografi. Kishte pregatitë aparatin e po priste radiologu se cili don me e ba prej tyne. Kur i ka thanë: “Jam gati”, ata kanë hapë thesin e kanë nxjerrë një fëmijë me fytyrë të plakun… e kanë vue tek aparati dhe, mbasi asht krye radiografia, e kanë futë prap në thes. Mbasi i kanë lidhë grykën, kanë kërkue filmin për me e çue në Tiranë. Radiologu e ka pregatitë filmin shpejtë e ka kërkue me i shkrue emnin e të sëmurit, edhe pse filmi ishte i lagun. Oficerat kanë ngurrue me i diftue emnin. Ky ka kambëngulë, mbasi, simbas rregullit, nuk lejohej që filmi me u dorëzue pa emen. Ata tue pa kambënguljen e këtij, i kanë thanë emnin: “Imzot Ernesto Çoba”…

E shkrova, thonte radiologu, e kishte njohtë ma përpara, por kurrë nuk do ta kishte besue se asht Ai, po të mos ia kishin thanë vetë ata emnin. Për sa kohë nuk m’asht hjekë nga mendja sesa e kishin ba Imzot Çoben.”

Në vitin 1964 në një bisedë… At Pjetër Mëshkalla më ka thanë këto fjalë:

Ai e përfundonte bisedën me respekt për Imzot Ernesto Çoben, kryesisht për mos tolerancën e Tij në çeshtjet dogmatike dhe e mbyllte bisedën me mendimin se:

“Vetëm Imzot Çoba asht fakt, që asht kenë adapt për këte kohë, mbasi asnjë tjetër nuk do të kishte dijtë as muejtë me veprue si Ai, për kushtet që janë kenë në Shqipni!”.

***

Kriminelët, vrasësit, torturuesit, shpifsit dhe anmiqtë e perjetshem të Klerit Katolik Shqiptar Heroik, janë shumë të knaqun me “heshtjen” ndaj Martirëve të Pafajshem!

Imzot Ernesto Çoba ka Dosja nr. 3359/1, Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, të cilen unë e kam lexue në vitin 1998.

I lutem Bahkëkohësit Imzot Ernesto Çobës, Klerikut të Nderuem, dhe Njohësit të Tij,

Shkelqësisë Kardinalit Ernest TROSHANI, që me Bekimin e Zotit, të nxjerrin haptas Pafajsinë dhe Virtytet e të Ndjerit Martir Imzot Ernesto Maria Çoba!

Melbourne, 18 Prill 2018.

 

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: